VOAL

VOAL

Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton rezulton pozitiv me koronavirus

December 1, 2022

Komentet

Emërimet e drejtuesve të komunitetit të zbulimit

Tulsi Gabbard

 

VOA/Jeff Seldin

Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka përzgjedhur një aleat të hershëm për të drejtuar CIA-n. Ai gjithashtu ka propozuar dikë nga jashtë strukturave tradicionale për të mbikëqyrur agjencitë amerikane të zbulimit. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jeff Seldin, shumë shikojnë mundësinë e ndryshimeve drastike kur ai të fillojë mandatit e tij të dytë në janar.

Emërimi që tërhoqi më shumë vëmendje është ai i ligjvënëses Tulsi Gabbard, e përzgjedhur nga Presidenti i ardhshëm Donald Trump për postin e drejtores së zbulimit kombëtar.

“Këto janë zgjedhjet që kemi: Vota për Kamala Harris-in është votë për Dick Cheney-in dhe është një votë për luftën, më shumë luftëra, ndoshta Luftën e Tretë Botërore dhe luftën bërthamore. Vota për Donald Trump-in është votë për një person që dëshiron t’u japë fund luftërave, jo t’i fillojë ato”, deklaronte ligjvënësja Gabbard.

Ish-demokratja u bë një zë i fortë për fushatën elektorale të ish-Presidentit Trump, duke siguruar mbështetje më të gjerë për axhendën e tij.

“Për këtë arsye jam krenare që mbështes Presidentin Trump dhe për arsyet përse ne, populli, duhet të votojmë për ta rikthyer në Shtëpinë e Bardhë dhe për ta bërë Amerikën sërish madhështore”, u thoshte mbështetësve ligjvënësja Gabbard.

Kur bëri të ditur emërimin e zonjës Gabbard, Presidenti i zgjedhur Trump lëvdoi “shpirtin e saj të patrembur”, duke thënë se ajo do ta sjellë këtë cilësi edhe në detyrën e re.

Ajo sjell gjithashtu edhe mbi 20 vite eksperiencë me Gardën Kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Por, edhe një nivel debati… duke i trazuar ligjvënësit republikanë dhe demokratë me një mesazh në mediat sociale, ku kritikët thonë se riprodhoi aludimin e propagandës ruse për financimin e laboratorëve të armëve biologjike në Ukrainë – diçka që zyrtarët amerikanë të zbulimit thonë se nuk është e vërtetë.

Senatori republikan Mitt Romney i quajti në atë kohë komentet e ligjvënëses Gabbard “gënjeshtra tradhtare” – një akuzë që ajo e mohon.

Ligjvënësja Gabbard është kritikuar gjithashtu për takimin me Presidentin sirian Bashar al-Assad, i cili është akuzuar për krime lufte. Por, ajo e mbrojti vizitën duke thënë se nuk mund të tregosh se e dëshiron seriozisht paqen, nëse nuk je i gatshëm të bisedosh me kundërshtarët.

Përzgjedhja e ish-ligjvënësit John Ratcliffe nga Presidenti i ardhshëm Trump për të drejtuar CIA-n, është më tradicionale. Zoti Ratcliffe shërbeu si drejtor i zbulimit kombëtar gjatë mandatit të parë të ish-Presidentit Trump.

John Ratcliff

John Ratcliff

Gjatë periudhës kur ishte anëtar i komisionit për zbulimin në Dhomën e Përfaqësuesve, ai i doli në mbrojtje ish-Presidentit Trump:

“A mundet dikush prej jush të thotë se pati ndonjë shkelje gjatë telefonatës që duhet hetuar? Thuajeni me zë të lartë”, u shpreh në atë kohë ligjvënësi Ratcliffe.

Ai vazhdoi të jetë një mbështetës i vendosur i ish-presidentit.

Dhe ish-Presidenti Trump i doli në mbrojtje, kur ligjvënësit e detyruan zotin Ratcliffe të tërhiqej nga procesi i shqyrtimit në vitin 2019 për të marrë postin më të lartë të administratës për çështjet e zbulimit.

“Për mendimin tim, media e trajtoi shumë padrejtësisht. Ai është një person i jashtëzakonshëm”, tha në atë kohë ish-Presidenti Trump.

Zotit Ratcliffe iu dha një shans i dytë dhe ai u premtoi ligjvënësve se do të sigurohet që agjencitë e zbulimit të Shteteve të Bashkuara do t’i ofrojnë vendit “të vërtetën e drejtpërdrejtë”, siç u shpreh ai.

Ai pati edhe përplasje me ligjvënësit për deklasifikimin e të dhënave të zbulimit në lidhje me akuzat për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje.

Ai iu kundërvu ndërhyrjeve nga Irani, Rusia dhe Kina.

“Nuk ka asgjë më të shenjtë në republikën tonë se parimi themelor demokratik – një person, një votë”, deklaroi zoti Ratcliffe.

Presidenti i zgjedhur Trump po ia beson kështu një personi me eksperiencë dhe një politikaneje premtuese, përpjekjet e katër viteve të ardhshme të shërbimeve amerikane të zbulimit.

Republikanët marrin Dhomën e Përfaqësuesve

VOA/Marrë nga Associated Press

Republikanët fituan numrin e mjaftueshëm të vendeve për të marrë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, duke arritur kështu një fitore të plotë të pushtetit dhe duke siguruar kontrollin e të dy dhomave të Kongreasit.

Me një shumicë të ngushtë, udhëheqësit republikanë siguruan mandatin që do t’u bëjë të mundur ndryshimin e qeverisë federale dhe zbatimin me shpejtësi të vizionit që ka zoti Trump për Shtetet e Bashkuara.

Presidenti i zgjedhur ka premtuar se do të ndërmarrë operacionin më të madh të deportimit në vend, do të mundësojë më shumë ulje të taksave, do të ndëshkojë armiqtë e tij politikë, do të marrë kontrollin e mekanizmave më të fuqishme të qeverisë federale dhe do të riorganizojë ekonominë amerikane

Fitorja që shënoi Partia Republikane në zgjedhje bën të mundur që Kongresi ta miratojë këtë agjendë ndërsa demokratët do jenë pothuajse të pafuqishëm për ta penguar atë.

Edhe më 2016, kur zoti Trump u zgjodh President, republikanët morën kontrollin e Kongresit, por ai u përball me disa udhëheqës republikanë që u bënë rezistencë politikave të tij. Po ashtu, Gjykata e Lartë në atë kohë kishte shumicë liberale. Por këtë herë, jo.

Kur zoti Trump të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë ai do të bashkëpunojë me një Parti Rapublikane e cila është transformuar plotësisht nga levizja e tij “Make America Great Again” (Ta bëjmë Amerikën sërish madhështore), dhe me Gjykatën e Lartë e cila dominohet nga gjyqtarë konservatorë, përfshirë tre anëtarë të emëruar prej tij.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johson, i cili me mbështetjen e zotit Trump do ta mbajë këtë detyrë vitin e ardhshëm, ka hedhur idenë e ndryshimit të programeve të qeverisë federale, përfshirë ndryshimin tërësor të programeve, që demokratët i kanë patur përparësi në vitet e fundit,

“Republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat kanë një detyrë”, tha ai gjatë kësaj jave. “Populli amerikan kërkon që ne të zbatojmë dhe të çojmë përpara agjendën “Amerika e Para”.

Ndërkohë, ligjvënësi Jim Jordan, drejtues i Komisionit të Ligjeve në Dhomën e Përfaqësuesve, tha se ligjvënësit republikanë nuk kanë “përjashtuar” asnjë element nga planet e tyre për të hetuar prokurorin e posaçëm Jack Smith, edhe pse ky i fundit po mbyll dy çështjet hetimore ndaj zotit Trump lidhur me përpjekjet për përmbysje të rezultatit të zgjedhjeve presidenciale të 2020 dhe atë lidhur me dokumentet sekrete të cilat zoti Trump i mori në Mar-a-Lago pasi përfundoi mandatin.

Mediat amerikane: Jack Smith planifikon të japë dorëheqjen para se Presidenti i zgjedhur Trump të fillojë mandatin

VOA

Prokurori i Posaçëm Jack Smith dhe anëtarët e ekipit të tij planifikojnë të japin dorëheqjen para se Presidenti i zgjedhur Donald Trump të fillojë mandatin, njoftoi të mërkurën gazeta amerikane ‘The New York Times’, duke përmendur disa burime.

Prokurori Smith hetoi dy çështje kundër zotit Trump, njërën mbi dokumentet sekrete të cilat zoti Trump i mori në Mar-a-Lago pasi përfundoi mandatin dhe një tjetër rreth përpjekjeve të tij për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020. Një gjykatës federal në Florida hodhi poshtë rastin për dokumentet në muajin korrik. Departamenti i Drejtësisë tani po shqyrton se si ta mbyllë çështjen e zotit Smith mbi që lidhet me zgjedhjet.

Zoti Trump, i cili i ka mohuar akuzat për të dyja rastet, deklaroi muajin e kaluar se ai do ta shkarkonte prokurorin Smith brenda “dy sekondash” pasi të fillonte mandatin.

Departamenti i Drejtësisë nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për të komentuar mbi këto zhvillime.

Synimi i zotit Smith është që të mos lërë që pjesë të rëndësishme të përgjegjësive të tij t’i përfundojnë të tjerët, sipas gazetës ‘The New York Times’.

Zbardhet letra e Sekretarit të zgjedhur të Shtetit: Biden i ka politizuar non-gratat duke goditur partnerët tanë

Marco Rubio është përzgjedhur nga Donald Trump për postin e Sekretarit të Shtetit.

Ndërkohë, në fillim të këtij viti, Rubio kishte shprehur shqetësim për mënyrën se si po i përdor administrata e Joe Biden sanksionet ndaj partnerëve të SHBA në botë.

Më 17 janar të vitit 2024, Alejandro Eduardo Giammattei Falla, ish-president i Guatemalës, ishte shpallur non-grata nga Departamenti i Shtetit me akuzën se është përfshirë në korrupsion madhor.

Më datë 20 shkurt, një grup senatorësh të rendësishëm të republikanëve, të udhëhequr nga Marco Rubio, i dërgonin një letër presidentit amerikan, Joe Biden për këtë çështje.

Në letrën e nënshkruar nga Marco Rubio, James Risch, Bill Hagerty, James Lankford, Miachel Lee, Tim Scott, Rick Scott dhe John Cornyn, shprehej shqetësim për dizenjimin e ish-presidentit.

“Ne shkruajmë për të shprehur shqetësimin e thellë për keqpërdorimin e autoritetit të ofruar nga Kongresi nga administrata juaj për të luftuar korrupsionin në Amerikën Latine dhe Karaibe në kurriz të interesave strategjike të sigurisë kombëtare të SHBA-së”, thuhet në letër.

Ne letër thuhte se ish-presidenti i Guatemalës ishte “i përkushtuar për ekstradimin e disa kontrabandistëve të qenieve njerëzore dhe shkatërrimin e opioideve të paligjshme sintetike”, duke mbështetur Tajvanin ndaj Kinës, por edhe duke shprehur mbështetje për Izraelin në luftën e tyre me Hamasin dhe duke e shpallur Hezbollahun një organizatë terroriste.

Në të njëjtën kohë, senatorët dënuan administratën e Biden, duke deklaruar se “ka injoruar rastet e mirë-dokumentuara të korrupsionit të konsiderueshëm nga zyrtarë të qeverive të huaja që minojnë në mënyrë aktive interesat e sigurisë kombëtare të SHBA-së dhe mbështesin kundërshtarët e SHBA në Amerikën Latine dhe Karaibe”.

“Ne jemi thellësisht të shqetësuar nga fakti se administrata juaj duket se e ka politizuar procesin e sanksioneve për të goditur disa partnerë të SHBA-së dhe për të minuar sigurinë kombëtare dhe rajonale të SHBA-së, ndërkohë që refuzon të sanksionojë veprime skandaloze në rajon nga të tjerët”, përfundon letra, duke kërkuar përgjigje.

ImageImage

LETRA:

I nderuar President Biden,

Ne shkruajmë për të shprehur shqetësimet tona të thella në lidhje me keqpërdorimin e kompetencave nga administrata juaj, të dhëna nga Kongresi, për të luftuar korrupsionin në Amerikën Latine dhe Karaibe në kurriz të interesave strategjike të sigurisë kombëtare të SHBA-ve.

Më 17 janar, administrata juaj e përcaktoi ish-presidentin e Guatemalës, Alejandro Giammattei, për veprime të korrupsionit të rëndësishëm sipas Seksionit 7031(c) të Aktit të Operacioneve të Jashtme dhe Aprovimeve të Programeve të Ndërlidhura, 2023 (Div. K, P.L. 117-328). Gjatë mandatit të Presidentit Giammattei, Guatemala ishte një partner i fortë i sigurisë së SHBA-ve, i angazhuar për ekstradimin e disa trafikantëve të qenieve njerëzore dhe shkatërrimin e opioideve sintetike të paligjshme. Guatemala përforcoi marrëdhëniet me Tajvanin, refuzoi lidhjet me Pekinin, përcaktoi Hezbollahun si një organizatë terroriste dhe mbështeti të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje kundër sulmeve të tmerrshme nga terroristët e Hamas-it të mbështetur nga Irani në tetor.

Ky rast ndjek një model shqetësues. Që nga janari 2021, shumica dërrmuese e përcaktimeve publike të bëra nën Seksionin 7031(c) kanë synuar zyrtarët në Amerikën Latine dhe Karaibe të qeverive që kanë bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara në çështjet e sigurisë strategjike diplomatike dhe kombëtare.

Në kontrast, administrata juaj ka injoruar raste të dokumentuara mirë të korrupsionit të rëndësishëm nga zyrtarët e huaj që në mënyrë aktive minojnë interesat e sigurisë kombëtare të SHBA-ve dhe mbështesin armiqtë e SHBA-ve në Amerikën Latine dhe Karaibe.

Në Venezuelë, administrata juaj nuk ka përdorur përcaktimet e Seksionit 7031(c) për asnjë individ apo entitet të lidhur me regjimin Maduro. Në Ekuador, nuk keni arritur të përcaktoni publikisht ish-Presidentin Rafael Correa, i cili është dënuar për ryshfet dhe korrupsion dhe u akuzua për urdhërimin e rrëmbimit të një lideri të opozitës. Në Argjentinë, nuk keni arritur të përcaktoni publikisht Presidenten Cristina Fernandez de Kirchner dhe anëtarët e familjes së saj pas dënimeve për kontrata të rreme të qeverisë për infrastrukturë publike. Në Brazil, dështuat të zbatoni sanksione për mosrespektimin e mosproliferimit të SHBA-ve kur Presidenti da Silva lejoi ankorimin e dy luftanijeve të sanksionuara të Iranit në Portin e Rio de Janeiro në shkurt të vitit 2023.

Ne jemi thellësisht të shqetësuar për arsyen pse administrata juaj duket se ka politizuar procesin e sanksioneve për të synuar disa partnerë të SHBA-ve dhe për të minuar sigurinë kombëtare dhe rajonale të SHBA-ve, ndërkohë që refuzon të sanksionojë veprime të tmerrshme në rajon nga të tjerët. Administrata duhet menjëherë të shpjegojë procesin dhe kriteret që ka përdorur që nga janari 2021 për të përcaktuar individët në Amerikën Latine dhe Karaibe sipas Seksionit 7031(c).

Sinqerisht,

(JAMES E. RISCH, MARCO RUBIO, BILL HAGERTY, JAMES LANKFORD, MICHAEL S. LEE, TIM SCOTT, JOHN CORNYN, RICK SCOTT)

“Politika është e ashpër”- Zbardhet biseda mes Joe Biden dhe Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden ka pritur sot në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump, i cili fitoi garën presidenciale më 5 nëntor përballë Kamala Harris.

 

Mësohet se pasi kanë shtrënguar duart, Donald Trump i është drejtuar Joe Biden, duke i thënë se “politika është e ashpër”.

“Në shumicën e rasteve  nuk shumë e bukur, por është një botë e bukur sot,” tha Trump.

Nga ana e tij, Joe Biden e përgëzoi Trump për fitoren e tij dhe tha se ai ishte “duke pritur” një tranzicion të qetë të pushtetit.

Ky është takimi i parë mes tyre nga debati në muajin qershor, kur presidenti demokrat nuk ishte tërhequr ende nga gara.

Paraqitja e dobët e Biden rriti shqetësimet në mesin e demokratëve mbi moshën e tij madhe dhe çoi në largimin e tij nga gara presidenciale.

Pas këtij zhvillimi Harris u zgjodh si kandidate e demokratëve për presidente. Ajo udhëhoqi një fushatë të shkurtër që përfundoi me humbjen e saj më 5 nëntor. Panorama

Njihet për lidhjet e forta me komunitetin shqiptar në SHBA, kush është drejtor i ri i CIA-s i zgjedhur nga Trumpi

Presidenti i sapozgjedhur amerikan Donald Trump po vazhdon të përzgjedhë njerëzit në postet kyçe të administratës së tij.

Ai ka zgjedhur John Ratcliffe si drejtor të ri të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA).

“Mezi pres që John të jetë personi i parë që do të shërbejë në të dyja pozicionet më të larta të Inteligjencës së Kombit. Ai do të jetë një luftëtar i patrembur për të drejtat kushtetuese të të gjithë amerikanëve, ndërsa garanton nivelet më të larta të sigurisë kombëtare dhe paqes…”, ka shkruar Trump.

W5 2

Po kush është John Ratcliffe?
Ratcliffe njihet për lidhje të forta me komunitetin shqiptar në SHBA.

Më 2016, Ratcliffe kishte qenë i pranishëm dhe kishte mbajtur fjalë rasti në cilësinë e të ftuarit të veçantë në “Forumin Ekonomik Mbarëkombëtar të Diasporës Shqiptare” në New York, i organizuar nga rrjeti shqiptaro-amerikan.

Në disa takime të tjera shihen fotografi të Ratcliffet me Pandeli Majkon, ish-ministër i Shqipërisë për Diasporën dhe me Fatmir Mediun, ish-ministër i Mbrojtjes në Shqipëri.

Ratcliffe

Takime me të kanë pasur edhe zyrtarë nga Kosova, përfshirë deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Kongresisti Ratcliffe është mik i afërt me biznesmenë shqiptarë në Amerikë. Kjo dëshmohet nga fotografitë e postuara në rrjete sociale nga këta biznesmenë.

Në mandatin e parë të presidentit Trump, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, kishte përshëndetur përzgjedhjen e John Ratcliffe në krye të Inteligjencës Amerikane.

“Kosova është me fat që ka në krah ShBA-në dhe në rrafshin e sigurisë përket në botën të cilës i prinë Amerika. Partneritetin tashmë të ndërtuar në fushën e sigurisë jemi të vendosur ta forcojmë. Ratcliffe është shumë mirë i informuar për Kosovën dhe njohës i zhvillimeve në rajonin tone”, kishte shkruar Haradinaj në atë kohë. bw

Trump zgjedh ligjvënësen Elise Stefanik për Ambasadore në OKB

Zonja Elise Stefanik së bashku me Presidentin e zgjedhur Donald Trump më 19 janar 2024

 

VOA/Marrë nga Reuters

Ligjvënësja republikane Elise Stefanik është zgjedhur për të shërbyer si ambasadore e Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara në administratën e ardhshme amerikane, sipas një deklarate të Presidentit të zgjedhur Donald Trump për agjencinë e lajmeve ‘Reuters’, të hënën.

Ky post ka nevojë për miratim nga Senati.

“Jam i nderuar të emëroj Elise Stefanikun për të shërbyer në kabinetin tim si ambasadore e Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara. Elise është një mbrojtëse e fortë dhe e mençur e politikave që e vendosin Amerikën të parën”, tha Presidenti i zgjedhur Trump.

Dyzet vjeçarja Stefanik, ligjvënëse nga Nju Jorku dhe kryetare e grupit republikan në Dhomën e Përfaqësuesve, ka qenë një aleate e fortë e zotit Trump.

Organizata e Kombeve të Bashkuara po përgatitet për një rikthim të zotit Trump në pushtet dhe përballjen e mundshme me shkurtime të financimit dhe angazhimit amerikan nëç raport me organizatën, gjatë mandatit të dytë të presidentit republikan.

Një reduktim i angazhimit të Shteteve të Bashkuara në OKB mund të hapë derën Kinës, e cila ka forcuar ndikimin e saj në diplomacinë globale.

Presidenti i zgjedhur Trump ka ofruar pak detaje në lidhje me politikën e jashtme për mandatin e tij të dytë. Megjithatë, mbështetësit e tij thonë se forca e personalitetit të tij dhe qasja e tij ‘paqe përmes forcës’ do të ndihmojë që udhëheqësit e huaj të përkulen ndaj vullnetit të tij. Ai është zotuar t’i japë fund luftës në Ukrainë dhe pritet t’i japë mbështetje të fortë Izraelit në konfliktet e tij me grupet militante, Hamasin në Gazë dhe Hezbollahun në Libanin jugor.

Ndër shqetësimet kryesore në OKB janë nëse Shtetet e Bashkuara do të vendosin të kontribuojnë më pak para për organizatën botërore me 193 anëtarë dhe të tërhiqen nga institucionet dhe marrëveshjet kryesore shumëkombëshe, përfshirë Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe marrëveshjen e Parisit për mjedisin.

Zonja Stefanik mori pozitë udhëheqëse brenda grupit republikan në Dhomën e Përfaqësuesve në vitin 2021, kur ajo u zgjodh për të zëvendësuar ligjvënënesen Liz Cheney. Zonja Cheney humbi mbështetjen pas kritikave të saj lidhur me pohimet e pa mbështetura në fakte të zotit Trump për manipulime në zgjedhjet e vitit 2020.

Ajo tërhoqi vëmendjen e opinionit publik në nivel kombëtar kur e mbrojti zotin Trump gjatë ngritjes së akuzave në Kongres për shkarkimin e ish Presidentit republikan në vitin 2019. Mbrojtja që ajo i bëri atij nxiti ish Presidentin Trump ta krahasojë zonjën Stefanik me “një yll që sapo kishte lindur”, në politikë.

Ligjvënësja Stefanik ishte gruaja më e re e zgjedhur ndonjëherë në Dhomën e Përfaqësuesve. Ajo fitoi në një qark që kishte votuar dy herë për presidentin demokrat Barack Obama dhe ishte përfaqësuar nga demokratët në Kongres që nga viti 1993.

Ajo shihej si një kandidate e mundshme për postin e nënpresidentes para se zoti Trump të zgjidhte senatorin JD Vance.

Ndërkohë Presidenti i zgjedhur Trump tha gjatë fundjavës se nuk do t’i kërkonte ish-kandidates republikane për presidente, Nikki Haley, që t’i bashkohej kabinetit të tij të ri.

Zonja Haley shërbeu si ambasadore amerikane në Kombet e Bashkuara gjatë mandatit të parë të zotit Trump. Ajo i ofroi mbështetje zotit Trump për president pavarësisht se e kishte kritikuar ashpër kur ajo konkurroi kundër tij në zgjedhjet paraprake të partisë.

Zoti Trump po vazhdon takimet me kandidatët e mundshëm për të shërbyer në administratën e tij përpara inaugurimit të tij si president më 20 janar.

Bloomberg: Trumpi kërkon ‘ndryshime të mëdha’ në politikën e jashtme

Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, nuk po humb kohë në përpjekjet e tij për të rinovuar politikat e Uashingtonit për Ukrainën, edhe pse inaugurimi i tij është ende disa muaj larg, raportoi Bloomberg të premten.

Një ish-zyrtar i paidentifikuar i administratës Trump i tha agjencisë se republikani “do të ketë një fillim të menjëhershëm falë perceptimit se ai do të jetë më i ashpër se paraardhësi i tij”. Ai shtoi se disa kundërshtarë të SHBA-së mund të ndryshojnë sjelljen e tyre pa pritur që presidenti i zgjedhur të betohet, pasi ata mund të “frenohen nga kërcënimi i hakmarrjes së SHBA”, ndërsa të tjerët mund të përpiqen “të shfrytëzojnë levat e tyre të mbetura përpara se Presidenti Joe Biden të largohet nga detyra.”

Sipas Bloomberg, ndryshimi i kohërave është “ndjerë më i mprehtë në Ukrainë”, duke pasur parasysh se Trump ka premtuar se do ta zgjidhë konfliktin brenda 24 orëve nëse zgjidhet, madje edhe para inaugurimit të tij. Presidenti i zgjedhur dhe presidenti ukrainas Zelensky kanë pasur tashmë një telefonatë.

Shelby Magid, zëvendësdrejtoresha e Qendrës Eurasia të Këshillit Atlantik, i tha Bloomberg se fitorja e Trump ka ndryshuar qëndrimin e Ukrainës ndaj bisedimeve. Ajo shtoi se vendi tani “po lëviz në drejtimin për të pranuar se negociatat janë realitet”.

Periudha e tranzicionit është shpesh e trazuar në SHBA, shtoi artikulli, duke vënë në dukje se kjo është përkeqësuar nga qëllimi i dukshëm i Trump për të ndryshuar politikën e SHBA. Sipas Bloomberg, kjo “ka vënë pranga administratën Biden”, pasi shumë aleatë të SHBA-së kishin hezituar të merrnin masa përpara se të ishin të sigurt se kush do të ishte presidenti i ardhshëm i SHBA.

Sa i përket një zgjidhjeje të mundshme të konfliktit të Ukrainës, Wall Street Journal raportoi se një nga planet në shqyrtim përfshin heqjen e ambicieve të Kievit për t’u bashkuar me NATO-n në të ardhmen e afërt dhe ngrirjen e konfliktit përgjatë vijës së frontit aktual. Ndërsa Zelensky ka përjashtuar çdo lëshim ndaj Rusisë, duke përfshirë territorin “tregtar” , raportet e mediave ukrainase sugjeruan se ai mund të jetë i pafuqishëm për t’i rezistuar presionit të SHBA nëse Trump vendos që Kievi duhet të bëjë një marrëveshje paqeje me Rusinë. bw

Gjykata pezullon afatet për çështjen gjyqësore ndaj ish-Presidentit Trump për zgjedhjet

Godina e gjykatës në Distriktin e Kolumbias

 

VOA

Gjykata ka shtyrë të gjitha afatet gjyqësore të vendosura ndaj Presidentit të zgjedhur Donald Trump për padinë për ndërhyrjen në zgjedhjet e vitit 2020.

Gjykatësja Tanya Chutkan miratoi të premten kërkesën e prokurorit të posaçëm Jack Smith, që drejtonte hetimin për çështjen penale të ngritur ndaj presidentit të zgjedhur.

Ekipi i prokurorit Smith shprehet në kërkesën e paraqitur për shtyrjen e afateve se i duhet “kohë për të vlerësuar rrethanat e pahasura më parë dhe të përcaktojë drejtimin e duhur për hapat e ardhshëm, në përputhje me politikën e Departamentit të Drejtësisë”.

Sipas politikës së Departamentit të Drejtësisë, nuk mund të ngrihen akuza ndaj presidentëve në detyrë.

Tashmë që duket se zoti Trump është pranë marrjes së postit më të lartë publik në vend, pas fitores përballë Nënpresidentes Kamala Harris në zgjedhjet presidenciale, detyra e re mund ta mbrojë atë nga përballja me akuza për atë që u njoh si sulmi ndaj Kapitolit.

Gjykatësja Chutkan i ka udhëzuar prokurorët të paraqesin propozimin e tyre deri më 2 dhjetor, për mënyrën se si mendojnë se duhet vepruar për çështjen ndaj zotit Trump.

Gjykatësja Tanya Chutkan, ish-Presidenti Donald Trump dhe prokurori i posaçëm Jack Smith

Gjykatësja Tanya Chutkan, ish-Presidenti Donald Trump dhe prokurori i posaçëm Jack Smith

Zoti Trump ka deklaruar gjithmonë se ka imunitet nga ndjekja penale. Në korrik, Gjykata e Lartë vendosi se ish-presidentët kanë imunitet të gjerë nga ndjekja penale dhe ia riktheu çështjen gjykatëses Chutkan-it, që ajo të përcaktojë se si mund të vazhdojë çështja ndaj ish-presidentit.

Avokatët e zotit Trump ishin planifikuar t’i përgjigjeshin deri më 21 nëntor argumentit të prokurorit Smith, që parashtronte se çështja mund të vazhdonte ende, pasi shumica e aktiviteteve për të cilat zoti Trump akuzohej ishin në rolin e tij si kandidat për rizgjedhje, jo si president.

Më 6 janar 2021, ish-Presidenti Trump dhe mbështetësit e tij u përpoqën të pengonin marrjen e presidencës nga Joe Biden-i. Zoti Biden kishte fituar përballë presidentit të atëhershëm Trump në zgjedhjet e vitit 2020, por pasi ish-Presidenti Trump mbajti një fjalim të zjarrtë, mbështetësit e tij marshuan drejt Kapitolit, ndërsa ligjvënësit po certifikonin rezultatet e zgjedhjeve presidenciale. Mbi 1000 mbështetës të ish-Presidentit Trumpit janë dënuar për pjesëmarrjen e tyre në trazira.

Pavarësisht imazheve të dhunshme që u shfaqën nga ajo ditë, përfshirë pjesëmarrësit që godisnin oficerët e policisë, zoti Trump ka vazhduar t’i karakterizojë mbështetësit e tij si “patriotë” dhe ka thënë se do të falte shumë prej tyre nëse zgjidhet.

Disa informacione për këtë artikull u morën nga agjencitë e lajmeve Associated Press dhe Reuters.

Guvernatori demokrat i Kalifornisë zotohet të “mbrojë” vlerat e Kalifornisë kundër Trumpit

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, ka bërë thirrje që të mblidhet një seancë speciale e legjislaturës së shtetit me qëllim marrjen e masave për të “mbrojtur vlerat dhe të drejtat themelore të Kalifornisë” nga administrata e ardhshme e Donald Trump.

Sipas një deklarate të publikuar nga zyra e Newsom, sesioni special do të përqendrohet në “forcimin e burimeve ligjore të Kalifornisë që mbrojnë të drejtat civile, lirinë riprodhuese, ndryshimet klimatike dhe familjet e emigrantëve”.

“Liritë që i kemi të dashura në Kaliforni janë nën sulm – dhe ne nuk do të rrimë duarkryq. Kalifornia është përballur me këtë sfidë më parë dhe ne dimë se si t’i përgjigjemi. Ne jemi të përgatitur dhe do të bëjmë gjithçka të nevojshme për të siguruar që kalifornianët të kenë mbështetjen dhe burimet që u nevojiten për të lulëzuar, ” tha Newsom.

Zyra e guvernatorit konfirmoi gjithashtu për Associated Press se ligjvënësit e Newsom dhe Kalifornia ishin të gatshëm të “provonin” ligjet e shtetit dhe t’i jepnin zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm më shumë fonde për të luftuar çdo sfidë të mundshme federale.

Republikanët e Kalifornisë i janë përgjigjur nismës së Newsom duke e cilësuar atë si një “marifet të paturpshëm politik”. Udhëheqësi republikan i Asamblesë Shtetërore të Kalifornisë, James Gallagher, argumentoi se e vetmja çështje që do të zgjidhte seanca e posaçme legjislative është “pasiguria e Gavin Newsom që nuk po i kushtojnë vëmendje të mjaftueshëm njerëzve”. bw

Kabineti i ri Trump, emrat nën shqyrtim

VOA/Rob Garver

Pas fitores në zgjedhje një tjetër garë nisi menjëherë për Presidentin e zgjedhur Donald Trump, sprinti 11-javor për të zgjedhur administratën e re, që do të duhet të jetë gati për të marrë drejtimin e vendit më 20 janar të vitit 2025.

Administrata e një presidenti përfshin me mijëra të emëruar, por në javët e para, pas zgjedhjeve, vëmendja është përqendruar tek përbërja e kabinetit të tij.

Tradicionalisht në të përfshihet nënpresidenti dhe drejtuesit e 15 departamenteve të degës ekzekutive, si ai i Shtetit, i Drejtësisë, apo Departamenti i Thesarit.

Veç anëtarëve të kabinetit, janë edhe rreth 10 zyrtarë të tjerë, që shërbejnë në pozita që konsiderohen në nivelin e një anëtari kabineti, siç është përfaqësuesi amerikan për tregtinë, drejtori i zbulimit kombëtar dhe shefi i kabinetit i Shtëpisë së Bardhë.

Përveç nënpresidentit dhe shefit të kabinetit, të gjithë të emëruarit në nivel kabineti, duhet të konfirmohen nga Senati.

Të enjten në mbrëmje, zoti Trump njoftoi se Susie Wiles, një prej dy menaxhereve kryesorë të fushatës së tij të suksesshme elektorale, do të jetë shefja e kabinetit të tij në Shtëpinë e Bardhë. Ajo bëhet kështu gruaja e parë që shërben në këtë pozitë.

Ndërkohë zoti Trump ka ofruar pak informacion mbi emrat që do të përbëjnë kabinetin e tij të ri.

Shumë prej atyre që shërbyen në administratën e tij të parë, që nga ajo kohë, i kanë shkëputur marrëdhëniet me presidentin e zgjedhur. Disa prej tyre madje, shkuan aq larg, sa të mbështesin kundërshtaren e tij, nënpresidenten Kamala Harris. Megjithatë, një numër i konsiderueshëm i ish zyrtarëve të zotit Trump kanë mbajtur marrëdhënie të mira me të dhe mund të rishfaqen në role të rëndësishme në administratën e ardhshme.

Mes atyre që ai mund të vendosë në poste kyçe janë anëtarë aktualë dhe ish-anëtarë të Kongresit, si dhe figura të njohura nga bota e biznesit që mbështetën fushatën e tij, si themeluesi i SpaceX, Elon Musk.

Ekipi i tranzicionit

Kandidatët presidencialë zakonisht krijojnë ekipe tranzicioni shumë përpara përfundimit të zgjedhjeve për të lëviyur me shpejtësi me procesin që pason.

Jo-Anne Sears, eksperte pranë Qendrës për Studimin e Presidencës dhe Kongresit, ka shërbyer në ekipet e tranzicionit për ish-Presidentin George W. Bush dhe kandidatin republikan për president të vitit 2012, Mitt Romney.

Ajo i tha Zërit të Amerikës se ka qenë në kontakt me anëtarët e ekipit të tranzicionit të zotit Trump dhe pret që përzgjedhja të bëhet mes një numri të madh emrash nën shqyrtim.

“Nga ajo që po dëgjoj nga zyrtarë që po merren me çështjet e tranzicionit është se ata duan që realisht të sjellin më të mirët dhe më të ndriturit në Uashington”, tha zonja Sears. “Kjo do të thotë se ata do të vijnë nga pjesë të ndryshme të vendit dhe nuk do të jetë vetëm nga Nju Jorku apo Uashingtoni”.

“Mendoj se ai do të përpiqet të sjellë njerëz që janë ekspertë të vërtetë në fushat e tyre, qoftë sa i takon sigurisë kombëtare, në çështje që lidhen me teknologjinë, apo efikasitetin e qeverisjes, që mendoj se do të jetë një nga qëllimet e tij”, tha zonja Sears.

Ish të emëruarit e kabinetit Trump

Disa nga zgjedhjet që bien në sy për poste të larta në administratën e dytë të zotit Trump janë individë që mbanin poste të larta në administratën e parë, për të cilat nevojitej konfirmim nga Senati.

Robert Lighthizer shërbeu si përfaqësues për tregtinë për pjesën më të madhe të mandatit të parë të zotit Trump. Ai mund të rishfaqet në administratën e re në një rol më të lartë, siç është ai i Sekretarit të Thesarit.

Mike Pompeo, i cili shërbeu si drejtor i CIA-s dhe Sekretar Shteti në periudha të veçanta në administratën e parë të zotit Trump, mund të rikthehet në një nga këto poste, ose në atë të Sekretarit të Mbrojtjes.

John Ratcliffe, shërbeu si drejtor i Zbulimit Kombëtar të zotit Trump gjatë vitit të fundit të mandatit të tij të parë. Ai mund të emërohet në një post të lartë që lidhet me zbulimin, apo në atë të Prokurorit të Përgjithshëm, (siç njihet posti i Ministrit të Drejtësisë në SHBA).

Linda McMahon, ish-shefja ekzekutive e “World Wrestling Entertainment”, një kompani e mundësve profesionistë, shërbeu si drejtuese e Administratës së Biznesit të Vogël në mandatin e parë të zotit Trump. Ajo është aktualisht një nga drejtueset e ekipit të tranzicionit të zotit Trump dhe emri i saj po përflitet për postin e Sekretares së Tregtisë.

Richard Grenell, i cili shërbeu si ambasador i zotit Trump në Gjermani dhe më pas për një kohë të shkurtër në vitin 2020, si drejtor në detyrë i Zbulimit Kombëtar, besohet se të jetë në garë për postin e Sekretarit të Shtetit. Megjithatë, zoti Grenell një figurë jashtëzakonisht luftarake, mund të hasë në vështirësi në procesin e konfirmimit në Senat. Ai mund të jetë gjithashtu kandidat, për postin e Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, një pozicion jo në nivel kabineti për të cilin nuk kërkohet konfirmim në Senat.

Robert O’Brien, ish-këshilltari i zotit Trump për Sigurinë Kombëtare, i cili gjithashtu ka shërbyer si i dërguar për çështjet e pengjeve, mund të marrë gjithashtu një detyrë të lartë në administratën e re, ndoshta atë të sekretarit të Shtetit.

Stephen Miller, i cili ka qënë këshilltar i lartë i zotit Trump gjatë administratës së tij të parë, mund të rikthehet gjithashtu në Shtëpinë e Bardhë. Megjithatë, edhe zoti Miller mund të përballet me vështirësi konfirmimi në Senat.

Anëtarë aktualë dhe ish-anëtarë të Kongresit

Kongresmenë dhe dhe ish të tillë, po shqyrtohen gjithashtu si emra të mundshëm për administratën e re, përfshirë senatorin e shtetit Utah, Mike Lee.

Një avokat dhe mbështetës i flaktë i zotit Trump, që ndihmoi në përpjekjet për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të 2020, zoti Lee besohet të jetë një kandidat kryesor për postin e Prokurorit të Përgjithshëm.

Senatori Bill Hagerty i shtetit Tenesi, besohet të jetë në shqyrtim për poste të ndryshme të larta. Ai shërbeu si ambasador i zotit Trump në Japoni përpara se të zgjidhej në Senat. Emri i tij është përmendur për pozicione të lidhura me tregtinë dhe diplomacinë.

Senatori i Floridës, Marco Rubio, shndërruar nga një kritik i ashpër në një mbështetës të flaktë të zotit Trump, emri i të cilit u lakua si një kandidat për nënpresident vitin e kaluar, po shqyrtohet tashmë për pozitën e Sekretarit të Shtetit.

Senatori Tim Scott i Karolinës së Jugut është një nga mbështetësit më të njohur të zotit Trump në komunitetin afrikano-amerikan. Ai po shqyrtohet mes emrash të tjerë për postin e sekretarit të Strehimit dhe Zhvillimit Urban.

Senatori Tom Cotton nga shteti Arkansa, një veteran i ushtrisë dhe një mbështetës fortë i mbrojtjes kombëtare, është në shqyrtim për postin e sekretarit të Mbrojtjes.

Një tjetër emër që po shqyrtohet për detyrën e lartë në Pentagon është Mike Waltz, ish pjestar i forcave speciale të ushtrisë dhe kolonel i Gardës Kombëtare, që ka shërbyer në Kongres duke përfaqësuar shtetin e Floridës.

Zoti Waltz ka qenë një nga zërat më të fuqishëm në mbrotje të zotit Trump në media.

Ligjvënësi Mark Green nga shteti Tenesi, i cili kryeson Komisionin e Sigurisë Kombëtare në Dhomën e Përfaqësuesve, shihet si një zgjedhje e mundshme për të drejtuar Departamentin e Sigurisë Kombëtare.

Ligjvënësja e Nju Jorkut, Elise Stefanik është përmendur si ambasadore e mundshme në Kombet e Bashkuara.

Udhëheqësit e biznesit

Elon Musk luajti një rol të madh në financimin e fushatës së zotit Trump dhe ka sinjalizuar se është i hapur për të shërbyer në një lloj komisioni që synon ta bëjë qeverinë federale më efikase, por përfshirja e tij në një pozicion zyrtar në kabinet duket e pamundur.

Zoti Musk shërben aktualisht si drejtor ekzekutiv i disa kompanive që kanë kontrata me vlerë miliarda dollarësh me qeverinë federale, përfshirë kompaninë e raketave SpaceX.

Kjo krijon një mundësi të mëdha për konflikt të mundshëm interesi, që do ta vështirësonin konfirmimin e tij në Senat.

John Paulson, një miliarder, që drejton kompani që menaxhojnë fonde investimesh, e që e ka mbështetur zotin Trump që nga fushata e parë e tij për presidentit në vitin 2016, thuhet se po shqyrtohet për postin e Sekretarit të Thesarit.

Në shqyrtim për këtë post është edhe Scott Bessent, një menaxher i kompanive të fondeve të investimeve dhe këshilltar i fushatës së zotit Trump.

Një nga drejtuesit e ekipit të tranzicionit të zotit Trump, Howard Lutnick, drejtor ekzekutiv i firmës së shërbimeve financiare “Cantor Fitzgerald”, është një kandidat i mundshëm për postin që lidhet me politikat ekonomike.

Prej kohësh ka zëra se Jamie Dimon, drejtor ekzekutiv i bankës “JPMorgan Chase”, po shqyrtohet për postin e Sekretarit të Thesarit. Megjithatë njoftimet e fundit kanë sugjeruar se ai nuk është i interesuar për një gjë të tillë.

Faktori RFK Jr.

Robert F. Kennedy Jr., nipi i ish-presidentit John F. Kennedy dhe djali i ish-prokurorit të përgjithshëm, Robert Kennedy, e nisi fushatën si kandidat i pavarur për president, po më pas u tërhoq dhe i dha mbështetjen zotit Trump.

Në këmbim, zoti Trump i ka ofruar atij një rol në formësimin e politikave të shëndetit publik.

Gjatë një telefonatë me mbështetësit e tij në fund të fushatës, zoti Kennedy tha se zoti Trump i kishte “premtuar” kontrollin e Departamentit të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore – që përfshin Qendrat për Kontrollin e Sëmundjeve, Administratën e Ushqimit dhe Barnave dhe Institutin Kombëtar të Shëndetësisë, ose si Sekretar i Departamentit të Bujqësisë.

Megjithatë ekzistojnë pikëpyetje nëse zoti Kennedy mund t’i mbijetojë konfirmimit në Senat për një pozicion në nivel kabineti. Dikur një aktivist i çështjeve të mjedisit, në dekadat e fundit ai është shndërruar në një skeptik të njohur të vaksinave dhe mbron teorive konspirative, ndaj dhe ligjvënësit mund të ngurrojnë ta vendosin atë në krye të një agjencie që lidhet me shëndetin publik.

Po kështu në listën e gjatë të emrave nën shqyrtim për administratën e re Trump mund të jenë edhe ish-kundërshtarët kryesorë të tij në zgjedhjet paraprake, të kthyer tani në mbështetës, Doug Burgum, ish-guvernatori i Dakotës së Veriut dhe biznesmeni Vivek Ramaswamy.

Si e siguroi fitoren ish-Presidenti Donald Trump

VOA/Dora Mekouar

Sondazhet para zgjedhjeve presidenciale të kësaj jave në Shtetet e Bashkuara flisnin për një garë të ngushtë mes ish-presidentit Donald Trump dhe Nënpresidentes Kamala Harris. Por siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Dora Mekouar, zoti Trump shënoi një fitore bindëse, duke bërë për vete votues nga grupe të ndryshme demografike, përfshirë mes burrave, grave dhe votuesve hispanikë.

Sondazhet tregonin se gara presidenciale në Shtetet e Bashkuara ishte e ngushtë, por Donald Trump siguroi një mbështetje të gjerë dhe e mundi lehtësisht Nënpresidenten Kamala Harris më 5 nëntor.

“Ata erdhën nga të gjitha grupet: nga sindikatat, ose jo sindikatat, afrikano-amerikanët, hispaniko-amerikanët, aziatiko-amerikanët, arabo-amerikanët, myslimanët amerikanë. I kishim të gjithë me vete”, tha zoti Trump.

Megjithëse i dënuar për 34 akuza penale për falsifikimin e të dhënave të biznesit, zoti Trump u bë kandidati i parë presidencial republikan në 20 vjet që fiton votën popullore.

“Pse fati i disa kandidatëve vendoset nga gjëra të tilla dhe i të tjerëve jo? Nuk kam përgjigje për këtë, se pse për shembull akuzat e tradhtisë dhe problemet ligjore nuk ndikuan tek Donald Trump”, thotë Samuel Abrams, profesor i politikës dhe shkencave sociale në Kolegjin Sarah Lawrence në Nju Jork.

Ajo që pati efekt ishte mesazhi i përsëritur prej vitesh nga zoti Trump për votuesit.

” ‘Unë ju dëgjoj. Unë e kuptoj luftën tuaj. Unë e kuptoj që situata juaj nuk është aq e mirë sa ç’mund të ishte dhe unë dua t’ju ndihmoj, t’ua bëj më të lehtë’. Ky ishte mesazhi i tij. Mediave u pëlqen të përmendin retorikën më të skajshme të tij. Por në fund të fundit, mesazhi kryesor ishte ‘Amerika e para’”, thotë prof. Abrams.

Fushata e zotit Trump vuri në shënjestër grupet kryesore, shpesh përmes podkasteve dhe mediave sociale, që u ndoqën nga miliona vetë.

“Ata u kushtuan vëmendje të rinjve, atyre që nuk votuan, individëve që kanë vuajtur gjatë disa viteve të fundit për shkak të inflacionit dhe kjo u shpërblye”, thotë profesori i Universitetit të Arizonës, Thom Reilly.

Zonja Harris kishte rreth 100 ditë për të bërë fushatë pasi presidenti Joe Biden u tërhoq nga gara në korrik. Ajo hapësirë kohore e ngjeshur dëmtoi shanset e saj, thotë prof. Reilly.

“Shumë kritikojnë zotin Biden, duke thënë se duhet të kishte dalë nga gara më shpejt. Por nëse ai do të ishte larguar më herët, tridhjetë, gjashtëdhjetë, nëntëdhjetë ditë më herët, do të kishte pasur një garë brenda partisë dhe zonja Harris mund të mos ishte kandidatja.”

Nënpresidentja u pengua gjithashtu nga lidhja e saj me një president jopopullor.

“Ishte e qartë se publiku amerikan donte ndryshim dhe shumë individë, për mirë apo për keq, e panë atë si vazhdimësi të administratës së Bidenit”, thotë prof. Reilly.

Analistë të tjerë thonë se zonja Harris u përqendrua shumë tek të drejtat e abortit dhe shumë pak tek ekonomia.

“Shumë më pak se 1% të votuesve amerikanë do t’u duhet të përballen me abortin direkt ose indirekt. Të gjithë votuesit duhet të përballen me inflacionin, çmimin e karburantit, çmimet e energjisë, dhe të ardhurat që nuk janë ngritur”, thotë këshilltari republikan Jason Cabel Roe.

Nuk dihet nëse shanset e zonjës Harris u dëmtuan edhe nga fakti që është grua dhe me ngjyrë.

“Unë sinqerisht nuk mendoj se kishte të bënte me racën, përkatësinë etnike apo gjininë këtë radhë. Mesazhi i zotit Trump rezonoi shumë më tepër se sa ai i zonjës Harris për shumë prej këtyre votuesve anembanë vendit.”

Një mesazh që e çoi atë drejt fitores.


Send this to a friend