Ish-nënpresidenti Joe Biden ka bërë thirrje për shkarkimin e Presidentit Donald Trump, pas akuzave se presidenti ka kërkuar të nxjerrë informata që do të dëmtonin zotin Biden dhe të birin. Politikani veteran është pretendenti kryesor në radhët e kandidatëve demokratë për zgjedhjet presidenciale. Por tani ai e gjen veten në mes të një beteje mes demokratëve në Kongres dhe Presidentit Trump që mund të çojë në procesin për shkarkimin e presidentit. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Katherine Gyson, kjo betejë politike nuk e ka ngadalësuar fushatën e zotit Biden:
Zoti Biden tingëlllon sfidues në komente:
“Presidenti ka hapur sherr me personin e gabuar,” tha ish-nënpresidenti.
Zoti Biden është hedhur në fushatë me një vrull të ri, për të ruajtur epërsinë mes rivalëve demokratë në fushëbeteja elektorale si Nju Hampshër, një ndër shtetet e para që zhvillon zgjedhje partiake.
“Donald Trumpi do të bënte çdo gjë për t’u rizgjedhur, madje do të shkelte edhe format më bazë të demokracisë sonë”.
Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve hapën zyrtarisht një proces hetimor mbi shqetësimet e ngritura nga një informator i brendshëm se Presidenti Trump pezulloi ndihmat për Ukrainën si presion që Kievi të nxirrte informata që do të dëmtonin zotin Biden dhe të birin.
Zoti Biden i ka hedhur poshtë akuzat.
“Nuk ka asnjë të vërtetë në akuzat dhe sulmet e tij kundër meje apo djalit. Asnjë. Zero”.
Ai thotë se është kandidati më i fortë për të mundur presidentin.
“E kam thënë: po konkurroj për të ringjallur shpirtin e Amerikës, pasi në këto zgjedhje është në rrezik. Prandaj kanë rëndësi këto zgjedhje. Prandaj nuk do ta lemë Donald Trumpin të diktojë se kush do të jetë kandidati demokrat në zgjedhje”.
Duket se ky argument ka bindur edhe disa votues të lëkundur demokratë:
“Për herë të parë sot u emocionova. Mendoj se me Nënpresidentin Biden nuk ka lojra. Nuk ka premtime të ekzagjeruara. Dëgjova thjesht një analizë të ndershme të situatës aktuale dhe synimit që kemi. Dëgjova shpresë. Më dha shpresë,” thotë një votuese.
Por përkrahësit e presidentit thonë se duhen parë me vëmendje edhe shkëmbimet e zotit Biden me udhëheqës të huaj.
“Duhet të ketë turp me gjithë këto lojra që ka bërë gjatë viteve dhe tani po akuzon presidentin për gjëra që janë në fakt pjesë e përgjegjësive të presidentit. Kjo është absurde,” thotë një aktivist për fushatën e Presidentit Trump.
Shumë përkrahës e pranojnë shpjegimin e presidentit se po luftonte korrupsionin në Ukrainë:
“Ai më bën të besoj se politika mund të bëhet me energji, duke angazhuar njerëzit, duke folur me një spektër të gjerë njerëzish. Nuk jam ende plotësisht i sigurtë por e shoh të mundur që të votoj për të,” thotë një votues.
Votuesit në Nju Hempshër kanë ende katër muaj për të vendosur se kë do zgjedhin ndër kandidatët demokratë. Shumë gjëra mund të ndryshojnë në katër muaj, por hetimet që po zhvillohen në Kongres e bëjnë pothuajse të garantuar se emri i zotit Biden do të vazhdojë të jetë në qendër të debatit politik.
Komentet