Ditën e mërkurë më 20 janar, Shtetet e Bashkuara inaugurojnë presidentin e ri Joe Biden, në Uashington DC. Pas sulmeve të dhunshme në Kapitol në fillim të muajit nga mbështetës të Presidentit në largim Donald Trump, amerikanët po përgatiten për më të keqen por shpresojnë në bashkimin, që është edhe motoja kryesore e inaugurimit të zotit Biden. Siguri e lartë për ceremoninë më të rëndësishme në vend e cila mbahet një herë në katër vite, ajo e inaugurimit të presidentit. Me një prani të paparë ushtarake në Uashington që nga Lufta Civile.
Dhoma e Përfaqësuesve javën e kaluar ngriti akuza për shkarkimin e Presidentit në largim Donald Trump, për herë të dytë gjatë mandatit të tij.
Motoja kryesore e inaugurimit të zotit Biden është “Amerika e Bashkuar”, që është një synim sfidues.
Janë thirrur gati 25 mijë trupa të Gardës Kombëtare dhe është shtuar prania e policisë. Ish shefi i Policisë së Kapitolit i tha Zërit të Amerikës se situata e sigurisë është e qëndrueshme.
“Planifikimet për këtë ditë bëhen prej më shumë se një viti, kur unë drejtoja disa nga ato operacione. Do të ketë rreth pesë mijë oficerë të zbatimit të ligjit të cilët do të plotësojnë Shërbimin Sekret, FBI-në dhe Policinë e Kapitolit. Unë kam besim se inaugurimi i presidentit të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara do të zhvillohet normalisht”, tha Terrance Gainer, ish shef i Policisë së Kapitolit.
Ceremoni e sigurt dhe duke respektuar distancimin fizik. Shumica e festimeve do të bëhen virtualisht, të drejtuara nga Tom Hanks dhe yje si Lady Gaga e Jennifer Lopez.
Pjesa më e madhe e Uashingtonit do të jetë e mbyllur, me flamujt që përfaqësojnë qindra mijëra njerëz që normalisht do të ishin të pranishëm në ceremoni. Në qytetet kryesore amerikane ka pasur protesta prandaj priten masa sigurie në të 50 shtetet. Sipas një sondazhi të fundit tre çereku i amerikanëve frikësohen se do të ketë dhunë ditët në vazhdim. Një grua thotë se tensionet përkeqësohen nga politikanët që shpesh nuk u përgjigjen nevojave të vendit.
“Mendoj se njerëzit shpesh shkëputen nga komuniteti që mendojnë se përfaqësojnë. Shoqëria është dëmtuar”, thotë Caroline Beresford-Wood.
Dy mikesha që kanë dallime politike, pajtohen në një gjë. Amerikanët duhet të bashkohen.
“E djathta po shkon shumë në të djathtë. E majta po shkon shumë në të majtë“, thotë Laura.
“Këtu pajtohem me të. E djathta është shumë e djathtë ndërsa e majta shumë e majtë“, vazhdon Linda.
Mes sfidave të zotit Biden, kapaciteti ushtarak i Koresë së Veriut, e cila së fundmi prezantoi armë të reja në një video të paverifikuar në televizionin shtetëror.
Sfidat e brendshme përfshijnë infeksionet në rritje me COVID, papunësinë e lartë dhe përçarjet politike.
“Është e rëndësishme që të ecim përpara”, thotë Anwar Huq, profesor kolegji.
Ndërsa shumë amerikanë shpresojnë në bashkimin e vendit.
Komentet