Presidenti Joe Biden, ish-presidenti Bill Clinton dhe ish-Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton i bënë homazhe të mërkurën figurës së ish-sekretares së Shtetit, Madeleine Albright, gruas së parë që drejtoi Departamentin amerikan të Shtetit, në shërbimin përkujtimor për ndera të saj që mbahet në Uashington.
“Në shekullin e 20 dhe 21 liria nuk kishte kampione (mbështetëse) më të madhe se Madeleine Albright”, tha Presidenti Biden në homazhet për ish-sekretaren e shtetit.“Sot ne nderojmë një amerikane vërtet krenare që na bëri të gjithëve më krenarë që jemi amerikanë”, tha zoti Biden. “Në vitet 1990, Madeleine punoi ngushtë me Presidentin e Shteteve të Bashkuara dhe me Senatin në përpjekjet për të ndalur gjenocidin në Ballkan, dhe për të mbështetur demokracitë e reja në Evropën Qendrore dhe Lindore”, shtoi Presidenti Biden.
Zonja Albright, e cila shërbeu si sekretare e shtetit nga viti 1997 deri në 2001, vdiq muajin e kaluar nga kanceri. Pas vdekjes së saj, ajo u vlerësua nga shumë njerëz si një pioniere në karrierën e saj politike.
Albright dhe familja e saj u larguan nga nazistët në Çekosllovaki, vend i saj i lindjes, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ata u vendosën përfundimisht në Shtetet e Bashkuara, ku zonja Albright u ngrit në postin e një diplomateje të famshme për një gjuhë të drejtpërdrejtë dhe një koleksion karficash që ajo mbante për të dërguar mesazhe politike.
Shërbimi përkujtimor i mbajt sot në mesditë në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit. Sipas një zëdhënësi të familjes Albright, më shumë se 1,400 njerëz ishin të pranishëm, duke përfshirë ministra të jashtëm, ambasadorë dhe anëtarë të Kongresit.
Familja kërkoi që të pranishmit të mbanin maskën brenda katedrales pasi Uashingtoni ka përjetuar një rritje dramatike të rasteve me COVID-19 në javët e fundit.
Presidenti Biden, ish-Presidenti Bill Clinton, ish-Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton dhe tre vajzat e zonjës Albright mbajtën fjalime në funeralin për ish-sekretaren Albright. Ish-sekretarja e shtetit Condoleezza Rice lexoi disa vargje nga Bibla.
Ish-presidenti Barack Obama, ish-zonja e parë Michelle Obama dhe ish-nëndëspresidenti Al Gore morën pjesë në këtë ceremoni së bashku me zyrtarë aktualë të administratës, përfshirë Sekretarin e Shtetit Antony Blinken.
Madeleine Albright shërbeu në postin e ambasadores amerikane në Kombet e Bashkuara nga viti 1993 deri në vitin 1997 gjatë mandatit të parë të Presidentit Bill Clinton përpara se të bëhej sekretare e shtetit dhe ishte një mbështetëse aktive e fushatave presidenciale të zonjës Clinton.
Zonja Albright ishte një nga zërat më të fuqishëm kundër mizorive të diktatorit serb Sllobodan Millosheviç në luftërat e Ballkanit.
Ajo mbështeste hapur ndërhyrjen e aleancës së NATO-s në Kosovë, me qëllim që të ndalej vrasja e civilëve shqiptarë nga forcat serbe në luftën e viteve 98-99.
Fushata 78 ditore e bombardimeve të NATO-s kundër Beogradit, solli lirinë e Kosovës.
“E fituam këtë luftë në mënyrë që ju të mund të shkoni në shtëpi dhe të jetoni një jetë normale. Millosheviçi dhe serbët humbën kontrollin mbi Kosovë”, u tha zonja Albright refugjatëve shqiptarë gjatë një takimi me ta në kampet e Maqedonisë së Veriut.
Kosovën e lirë dhe të pavarur zonja Albright e vlerësonte si arritjen më të madhe të karrierës së saj.
Komentet