Trupi i ish-Presidentit të SHBA Xhorxh H.W. Bush do të qëndrojë për homazhe në Rotundën e Kapitolit, selia e Kongresit amerikan në Uashington, pas arritjes të premten pasdite në kryeqytet nga Hjuston i Teksasit me avionin presidencial Air Force One.
Kapitoli do të jetë i hapur për personalitetet dhe publikun deri të mërkurën në mëngjes për të nderuar presidentin e 41-të amerikan.
Ai vdiq në shtetin e tij Teksas të premten vonë në moshën 94 vjeçare, pas një sëmundjeje që i zgjati disa vite.
Ish-Presidenti u përcoll nga Teksasi me 21 të shtëna topash dhe u transportua për në kryeqytetin amerikan me avionin presidencial që u vu në dispozicion nga presidentit Donald Trump.
George H. W. Bush, i cili shërbeu një mandat të vetëm në Shtëpinë e Bardhë nga 1989 në 1993, do të nderohet me një funeral shtetëror të mërkurën në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit dhe shumica e zyrave qeveritare do të qëndrojnë të mbyllura atë ditë. Varrimi do të bëhet të enjten në bibliotekën e tij presidenciale në Teksas.
Presidenti i SHBA, Donald Trump do të marrë pjesë në funeral. Të hënën ai shkruante në Twitter: “Do të jem me familjen Bush për t’i bërë homazhet e mia Presidentit Xhorxh H.W. Bush”.
Looking forward to being with the Bush Family to pay my respects to President George H.W. Bush.
— Donald J. Trump (@realDonaldTrump) December 3, 2018
President George H.W. Bush led a long, successful and beautiful life. Whenever I was with him I saw his absolute joy for life and true pride in his family. His accomplishments were great from beginning to end. He was a truly wonderful man and will be missed by all!
— Donald J. Trump (@realDonaldTrump) December 1, 2018
Më parë, zoti Trump u shpreh: “Presidenti George H. W. Bush pati një jetë të gjatë, të suksesshme dhe të bukur, kur kam qenë më të, pashë gëzimin e tij absolut për jetën dhe krenarinë e vërtetë në familjen e tij; arritjet e tij ishin të mëdha nga fillimi në fund. Ai ishte një njeri vërtet i mrekullueshëm dhe do të na mungojë të gjithëve!”
Duke folur për gazetarët në Pentagon të hënën Sekretari i Mbrojtjes Jim Mattis i vlerësoi kështu shërbimet e veteranit të Luftës së Dytë Botërore për vendin:
“Kur ishte i ri, ai dëshmoi rolin e tij në rrethanat më të vështira dhe për pjesën tjetër të jetës ai ishte i njëjti shërbëtor publik, i angazhuar për të gjithë ne”.
Analisti politik Larry Sabato në Universitetin e Virxhinias i tha Zërit të Amerikës se vendi që zë George H. W. Bush në mesin e 45 presidentëve të vendit është rritur gjatë çerek shekullit që kur u largua nga Shtëpia e Bardhë:
“Është shumë e qartë kur e hedh vështrimin pas; kur njerëzit kujtojnë presidencën e Bushit, ajo duket shumë më e mirë sesa dukej në fund të mandatit të saj”, tha Sabato. “Zoti Bush sigurisht u mposht në rizgjedhje dhe shumica e njerëzve në atë kohë e konsideronin atë një president të dështuar” për shkak të recesionit gjatë kohës së tij në Shtëpinë e Bardhë.
“Por tani, tha Sabato, mendoj se parë në retrospektivë, ai ishte në të vërtetë mjaft i suksesshëm”, veçanërisht në çështjet e jashtme, pasi ndihmoi në formësimin e reagimit perëndimor ndaj rënies së Bashkimit Sovjetik dhe ribashkimit të Gjermanisë. Ai gjithashtu e udhëhoqi SHBA-në në fitore ushtarake, në përmbysjen e pushtimit të Kuvajtit nga diktatori irakian Sadam Husein.
Për më tepër, tha Sabato, zotit Bush i rritet vlera kur krahasohet me sjelljen e Presidentit Trump në gati gjysmën e rrugës në mandatin e parë në Shtëpinë e Bardhë.
“Të them të drejtën, tha Sabato, nuk do të kishte qenë diçka e jashtëzakonshme të kesh një president i cili u bindet dhe i vlerëson normat e sistemit amerikan dhe të presidencës, një president civil, i sjellshëm me njerëzit dhe që ngrihet mbi grindjet e vogla. Por ju e kuptoni, gjërat kanë ndryshuar, veçanërisht gjatë dy viteve të fundit. Dhe kontrasti midis presidentit George H.W. Bush dhe presidentit aktual është tepër i fortë.”
James Baker, ish-sekretar i shtetit gjatë presidencës Bush dhe miku i tij prej 60 vjetësh, i tha rrjetit CNN të dielën se ai e konsideronte zotin Bush si “njeriun më të sjellshëm dhe më të kujdesshëm për tjetrin që kishte njohur.”
Ai tha se “shëndeti i tij u keqësua shumë” në muajt e fundit, por ai ishte në gjendje të bisedonte me telefon me fëmijët e tij të rritur, përfshirë ish-presidentin George W. Bush.
Zoti Baker tha se fjalët e fundit të ish-presidentit Bush ishin: “Edhe unë të dua”, kur iu drejtua presidentit Bush i riu, presidenti i 43-të të vendit.
Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders tha në një deklaratë se e mërkura është caktuar si ditë kombëtare zije dhe se flamujt e Shtëpisë së Bardhë tashmë janë ulur në gjysmë shtizë, për të nderuar ish presidentin e ndjerë.
“Presidenti dhe zonja e parë do ta shpallin të mërkurën, 5 dhjetor, si Ditë Kombëtare Zije. Ai dhe zonja e parë do të marrin pjesë në funeralin në Katedralen Kombëtare në Uashington, D.C.”
Bursa e Nju Jorkut tha se do të mbylle’j të mërkurën për nder të ish Presidentit Bush.
Tradicionalisht, funeralet shtetërore në SHBA mbahen për presidentët, ish-presidentit apo zyrtarët e tjerë sipas vendimit të presidentit.
Një funeral shtetëror zgjat shtatë deri në dhjetë ditë dhe përbëhet nga tri faza: ceremonitë në shtetin përkatës, ceremonitë në Uashington, dhe ceremonitë në shtetin ku individi ka zgjedhur për t’u varrosur.
Komentet