Inspektori i Përgjithshëm i Departamentit të Drejtësisë po dëshmon sot përpara Komisionit të Ligjeve të Senatit rreth raportit të tij që nuk gjeti evidencë për anshmëri politike në fillimin e hetimeve nga FBI-ja për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane.
Michael Horowitz publikoi raportin e tij të hënën. Konkluzionet e tij hedhin poshtë pretendimin e përsëritur të Presidentit Donald Trump se hetimi i FBI-së ishte një gjueti shtrigash që synonte zhbërjen e presidencës së tij.
Presidenti Trump megjithatë u shpreh se raporti konfirmon se pati një “përpjekje për të rrëzuar” qeverinë, në një formë shumë më të keqe nga ç’e kishte menduar.
Presidenti kritikoi të martën Drejtorin e FBI-së Christopher Wray, i cili tha në një intervistë për kanalin ABC News se hetimi “u çel me parapërgatitjen dhe autorizimin e duhur”. Zoti Wray gjithashtu vuri në dukje se Inspektori i Përgjithshëm Horowitz konstatoi se FBI-ja bëri disa gabime gjatë hetimit.
“Nuk di se çfarë raporti ka qenë duke lexuar Drejtori aktual i FBI-së, Christopher Wray, por jam i sigurtë se nuk është raporti që kam marrë unë”, shkruajti Presidenti Trump në Twitter. “Me këtë lloj sjelljeje, ai nuk do t’ia arrijë kurrë ta ndreqë FBI-në, e cila është goditur keqazi, megjithëse aty punojnë disa prej burrave dhe grave më të shkëlqyera”.
Gjatë një interviste të transmetuar të martën me korrespondentin e NBC News, Pete Williams, Prokurori i Përgjithshëm William Barr përsëriti mendimin e tij se FBI-ja mund të ketë vepruar “me qëllim të keq” kur zhvilloi hetime nëse fushata Trump pati bashkëpunuar fshehtazi me Rusinë.
“Mendoj se vendi ynë u kthye me kokë poshtë për tre vite, bazuar në një version krejtësisht të rremë, i cili u fry dhe u nxit nga një shtyp krejtësisht i papërgjegjshëm”, tha zoti Barr. “Mendoj se pati abuzime të mëdha… dhe një sjellje të pashpjegueshme që nuk tolerohet në FBI”.
Komentet e Prokurorit të Përgjithshëm duket se do ta nxisin më tej debatin rreth pyetjes nëse ai vërtet po vepron në mirëbesim, apo si një mbështetës i Presidentit Trump.
Zoti Horowitz shprehet në raportin e tij se FBI-ja ishte e justifikuar në çeljen e hetimit në vitin 2016 për lidhjet e dyshuara mes anëtarëve të fushatës elektorale Trump dhe Rusisë. Raporti konkludon se zyrtarët patën evidencë të mjaftueshme për të autorizuar një hetim.
Komentet