Sekretari në detyrë i Marinës amerikane bëri thirrje për një hetim më të plotë rreth “pyetjeve pa përgjigje” lidhur me ngjarjet në bordin e aeroplanmbajtëses “USS Theodore Roosevelt”. Ky zhvillim vjen ndërsa marinarët që kanë qëndruar në karantinë për javë të tëra, po rikthehen në anijen ushtarake.
“Ka pyetje pa përgjigje që hetimi paraprak ka nxjerrë në pah, e që mund t’u përgjigjemi vetëm falë një rishikimi më të thelluar“, tha sekretari në detyrë i Marinës.
Transportuesi ishte anija e parë e marinës amerikane që përjetoi një shpërthim të virusit në përmasa të mëdha në det, duke e nxjerrë jashtë operimit aeroplanmbajtësen në fund të marsit. Në qendër të procedurës së rishikimit qëndron fati i kapitenit të anijes, Brett Crozier, i cili u shkarkuar nga detyra për shkak se ngriti shqetësimin mbi përhapjen e COVID-19, në një email drejtuar eprorëve të tij.
Sipas njoftimeve në mediave shefi i Operacioneve Detare, admirali Mike Gilday, ka rekomanduar hapin e pashembullt atë të rikthimit në detyrë të Brett Crozier-it. Të mërkurën zoti McPherson tha se ai e kishte dhënë udhëzime zotin Gilday që të zgjeronte raportin paraprak të Marinës. Ish-sekretari i Përgjithshëm i Marinës, Thomas Modly, i cili shkarkoi nga detyra zotin Crozier, dha dorëheqjen pas publikimit të një bisede audio, ku ai dëgjohej tek e quajte zotin Crozier “ose tepër naiv ose tepër budalla për të qenë komandant“, mbi dërgimin e letrës tek të paktën 20 zyrtarë të marinës.
Presidenti Donald Trump nuk pranoi të mërkurën të komentojë se si mendonte ai se duhet të vepronte më tej marina, por la të kuptohet se zoti Crozier kishte thyer rregullat me menon e paraqitur.
‘”Unë nuk e njoh. Kurrë nuk kam folur me të. Mendoj se është një njeri shumë, shumë i mirë, por që kishte një ditë shumë të keqe“, tha zoti Trump gjatë një takimi me guvernatorin e Luizianës dhe anëtarët e grupit të punës mbi situatën e krijuar nga koronavirusi, në Shtëpinë e Bardhë. “Ai dëshironte të bëhej Ernest Hemingway dhe shkroi një memo të gjatë“, tha presidenti. “Nuk mund ta bësh këtë kur je kapiten i një anijeje, veçanërisht asaj anijeje“, tha zoti Trump. Presidenti u duk gjithashtu se sugjeroi se zoti Modly, gjithashtu, kishte shkuar shumë larg.
“Mendoj se ish-sekretari në detyrë është një njeri shumë i mirë gjithashtu edhe ai pati një ditë të keqe. Të dy patën një ditë të keqe, nëse doni të dini të vërtetën“. tha ai.
Por kryetari i Komisionit të Forcave të Armatosura në Dhomën e Përfaqësuesve u tha gazetarëve të mërkurën se pjesa më e madhe e fajit i takon zotit Trump dhe kulturës që po krijohet nga Shtëpia e Bardhë.
“Nuk dua që Departamenti i Mbrojtjes të humbasë kompetencën që ka dhe thjesht të shndërohen në një organizatë tjetër, detyra e së cilës është t’i rrisë egon presidentit“, tha përfaqësuesi i demokratëve Adam Smith.
“Një mënyrë me të cilën ata mund të bëjnë një deklaratë të fortë është që ta rikthejnë kapitetin Crozier në detyrë. Nga gjithçka që ka dalë apo kam parë, nuk ka asnjë arsye për ta liruar atë nga detyra“, shtoi ai.
Megjithatë zoti Smith tha se ai e mbështet vendimin për të zgjeruar hetimit dhe mbi mënyrën se si u trajtua shpërthimi i koronavirusit në anije. Në kulmin e shpërthimit në anije, 955 nga rreth 5 mijë marinarë të “USS Theodore Roosevelt” u testuan pozitivë. Marina tha se 940 prej tyre konsideroheshin ende pozitivë dhe se duhet të testoshin dy herë radhazi, përpara se të konsiderohen të shëruar. Një nga marinarët e aeroplanmbajtëses vdiq nga COVID-19 më 13 prill. Marinarët të cilët u vendosën në karantinë në Guam me javë të tëra kanë nisur të kthehen në anije nga sot (të mërkurë), tha një zyrtar i Marinës për “Zërin e Amerikës”. Kjo do të zgjasë të paktën disa ditë dhe do të shënojë një pikë kthese kritike në një situatë që ka tronditur flotën e Marinës në Paqësor, një rajon i rëndësishëm për interesat amerikane të sigurisë.
Në një anije tjetër të Marinës, destrojeri “USS Kidd”, 64 nga 330 marinarë të tij janë testuar pozitivë. Zyrtarët thanë se anija tashmë ndodhet e ankoruar në San Diego.
Destrojeri “USS Kidd” la portin e saj në Hauait më 20 Mars. Më shumë se një muaj më vonë, tek një prej marinarëve u shfaqën simptomat e para. Ai u evakuua dhe më pas u testua pozitiv.
Komentet