ATHINË– Veterani i së majtës greke, Manolis Glezos, heroi i rezistencës kundër nazizmit, iu bashkua, në kuadër të zgjedhjeve legjislative të 20 shtatorit, Unitetit Popullor të euroskeptikut Panajotis Lafazanis, kundërshtar i kryeministrit të të majtës radikale, Aleksis Cipras, njoftoi sot partia e tij.
”Manolis Glezos, 92 vjeç, i cili e vuri popullaritetin e tij në shërbim të ardhjes në pushtet të Ciprasit, në muajin janar, do të jetë në krye të listës së partisë Uniteti Popullor (LE)”, theksoi zyra e shtypit e kësaj partie.
Kjo lëvizje është një goditje për Ciprasin, i cili afroi zgjedhjet me dhënien e dorëheqjes më 20 gusht, pas ndarjes brenda grupit të partisë së tij SYRIZA shkaktuar nga Lafazanis.
Ky i fundit refuzoi të mbështesë marrëveshjen e dhënë nga Ciprasi për planin e ri të shpëtimit financiar BE-FMN me një vlerë prej 86 miliardë eurosh, ofruar Greqisë në këmbim të zgjatjes së masave shtrënguese në fuqi që prej pesë vitesh.
Ikonë e rezistencës për heqjen në moshën 18-vjeçare të flamurit nazist që valëvitej në Akropol të Athinës, Glezos ishte distancuar këto muajt e fundit me qeverinë e Ciprasit, duke u shprehur kundër çdo kompromisi me kreditorët e Greqisë.
Duke grupuar 25 deputetë disidentë të SYRIZA-s, Uniteti Popullor numëron gjithashtu në radhët e tij kryetaren e parlamentit, Zoe Konstantopulu.
Komentet