Në majin e vitit të shkuar Shteti i Teksasit votoi për të caktuar 7 Nëntorin si “Ditën Përkujtimore të Viktimave të Komunizmit” në kujtim dhe nderim të atyre që kanë humbur jetën dhe kanë vuajtur nën regjimet komuniste.
Anëtarja e Këshillit të VOC (Victims Of Communism) është edhe banorja e Teksasit, Dr. Elida Dakoli e cila dha një dëshmi të fuqishme përpara Dhomës së Përfaqësuesve të Teksasit në rrëfimin e përvojave tragjike të familjes së saj nën regjimin komunist të Shqipërisë.
«Kur gjyshi im refuzoi t’ia dorëzonte pasurinë partisë komuniste, ai u burgos, shtëpitë e tij u shkatërruan dhe gjyshja ime me katër fëmijët e saj të vegjël të moshës 1-12 vjeç – përfshirë babanë tim – u hodhën në rrugë pa asgjë Vëllai i saj e strehoi me guxiom gjyshen time dhe fëmijët, por gjyshi im u vra në burg. Ne ende nuk e dimë se ku është varri i tij. Përndjekja e anëtarëve të familjes sime vazhdoi për katër breza. ”
Përveç Texas-it ishin edhe shtetet e Alabama-s, Utah, Virginia që kishin miratuar rezoluta për të njohur zyrtarisht 7 nëntorin si “Dita Përkujtimore e Viktimave të Komunizmit”. Shteti i Virginia ishte i pari që në mars të 2018 njohu 7 Nëntorin si “Victims of Communism Memorial Day”. Pritet e njëjta gjë edhe nga nëntë shtete të tjera si Arizona, Arkansas, Florida, Idaho, Illinois, Misuri, New Jersey, Pennsylvania dhe Carolina e Jugut.
Dhe ja më 9 maj Guvernatori Republikan i Floridës Ron DeSantis nënshkroi Projektligjin e Dhomës së Përfaqësuesve (HB) 395, duke e caktuar 7 Nëntorin si “Ditën e Viktimave të Komunizmit” për të nderuar qindra miliona njerëz që kanë vuajtur nën regjimet komuniste në mbarë botën. Guvernatori njoftoi gjithashtu se ai do të miratojë 25 milionë dollarë në buxhet për të mbështetur rinovimet dhe restaurimin e Kullës historike të Lirisë në qendër të Majamit.
Në faqen zyrtare të Guvernatorit RonDeSantis lexojmë: “Nderimi i njerëzve që kanë rënë viktimë e regjimeve komuniste dhe mësimi nga studentët tanë për ato mizori është mënyra më e mirë për të siguruar që historia të mos përsëritet”, tha guvernatori Ron DeSantis. “Përmes HB 395 dhe financimit të shpallur sot, ne po garantojmë që historia e atyre që u vranë nga regjimet komuniste dhe përvojat e tyre të ruhen dhe të mos harrohen nga studentët tanë. Ndërsa është në modë në disa qarqe të llustrohet historia e komunizmit, Florida do të qëndrojë për të vërtetën dhe do të mbetet si Shteti Diellshkëlqyes.”
“Faleminderit Guvernator DeSantis, për udhëheqjen tuaj të vazhdueshme dhe Legjislativin për ofrimin e këtij financimi kritik për Kullën e Lirisë së Majamit dhe caktimin e 7 Nëntorit si Ditën e Viktimave të Komunizmit”, tha nën Guvernatoria Jeanette Nuñez. “Projektligji 395 edukon këtë brez fëmijësh dhe brezat e ardhshëm për ideologjinë, historinë dhe tmerret e komunizmit, në mënyrë që liria të mbetet gjithmonë e gjallë në shtetin e diellit.”
HB 395 përcakton 7 Nëntorin si “Ditën e Viktimave të Komunizmit” dhe u bën thirrje shkollave publike që ta respektojnë këtë ditë. Nxënësve të shkollave të mesme do t’ju kërkohet të marrin të paktën 45 minuta mësim mbi temat që lidhen me regjimet komuniste dhe se si kanë vuajtur viktimat nga këto regjime. Udhëzimet për këto tema do të kërkohen duke filluar nga viti shkollor 2023-2024, sqarohet më tutje në faqen elektronike të Guvernatorit të Floridës.
“Unë janë këtu sot për të folur në emër të 120,000 studentëve të Kolegjit Miami-Dade, 75% e të cilëve janë hispanikë dhe shumë prej prindërve dhe gjyshërve të tyre ikën nga komunizmi për t’u dhënë atyre mundësinë për të lindur këtu,” tha Madeline Pumariega, Presidente e Kolegji Dade në Miami. “Investimi juaj këtu siguron se edhe në njëqind vitet e ardhshme historia e prindërve të mi, e prindërve tanë dhe e gjyshërve tanë të tregohet vazhdimisht. Ne do të vazhdojmë të ruajmë trashëgiminë e atyre që njohim dhe atyre që nuk i njohim.”
“Korriku i ardhshëm do të shënojë dhjetëvjetorin e vrasjes së babait tim nga duart e regjimit kuban”, tha Rosa María Payá, Aktiviste Kubane për të Drejtat e Njeriut. “Siç kanë bërë mijëra kubanë më parë dhe ndërsa ne flasim sot, të paktën 1000 kubanë po vuajnë burgimin politik për marshimin paqësor duke kërkuar lirinë. Është koha të ndalet ky proces, kjo fabrikë e viktimave të komunizmit. E vlerësoj këtë iniciativë dhe faktin që po nderojmë viktimat e komunizmit duke u mësuar të rinjve të këqijat e komunizmit dhe detyrimin moral që kemi për ta ndalur atë.”
25 milionë dollarë financim do t’i jepen Kolegjit Miami-Dade për të mbështetur ruajtjen dhe përmirësimin e Kullës së Lirisë, aktualisht shtëpia e Muzeut të Artit dhe Dizajnit të Kolegjit Miami-Dade. pjesë e këtij Muzeumi është edhe Galeria e Trashëgimisë Kubane dhe Eksperiencën e Mërgimit që nderon trashëgiminë e amerikanëve kubanë. Kulla e Lirisë u përdor për Qendrën Kubane të Asistencës në vitet 1960 për të ndihmuar kubanezët që ikin nga regjimi komunist të kenë akses në burimet për jetën e tyre të re në Shtetet e Bashkuara.
Financimi do të përdoret për të përfunduar riparimet urgjente strukturore, për të ruajtur dhe restauruar komponentët arkitekturorë historikë, për të instaluar sistemin e ajrosjes dhe temperaturës dhe sistemet e sigurisë me standartet muzeale për të mbrojtur pjesët e vendosura në muze, për të përmirësuar ekspozitat e muzeut dhe për ta bërë ndërtesën më të aksesueshme për personat me aftësi të kufizuara.
SB 160 krijon një numër përcaktimesh nderi të objekteve të transportit në të gjithë Florida. Do të ketë 26 emërtime rrugësh në të gjithë shtetin, duke përfshirë tre emërtime për të nderuar kubanët që luftuan kundër regjimit të Kastros. Këto tre emërtime do të nderojnë Arturo Diaz Artiles dhe Oswaldo Paya përmes përcaktimeve të rrugëve në kontenë Miami-Dade si dhe Maximino dhe Coralia Capdevila përmes përcaktimeve të rrugëve në County Hillsborough.
Gjatë një konference për shtyp Guvernatori DeSantis tha se kjo ditë ka për qëllim “të nderojë më shumë se 100 milionë njerëz që kanë rënë viktimë e regjimeve komuniste në mbarë botën”.
“Ne duam të sigurohemi që çdo vit, njerëzit në Florida – por veçanërisht studentët tanë – do të mësojnë për të këqijat e komunizmit, diktatorët që kanë udhëhequr regjimet komuniste dhe qindra miliona individë që kanë vuajtur dhe vazhdojnë të vuajnë nën peshën e kësaj ideologjie të diskredituar”, tha ai.
Ndërsa në Twitter doli me këtë tweet:
“Sot, caktova 7 Nëntorin si Ditën e Viktimave të Komunizmit për të nderuar ata që kanë vuajtur nën komunizëm dhe për t’u kujtuar njerëzve shkatërrimin që komunizmi ka shkaktuar në mbarë botën, duke përfshirë një numër të viktimave që i kalon 100 milionë. Në Florida, do të tregojmë të vërtetën për komunizmin.”, me këtë tweet doli në Twitter Guvernatori Republikan Ron DeSantis.
Komentet