Tsochatzopoulos, siç thuhet në aktvendimin gjyqësor, është dënuar për korrupsion dhe larje parash lidhur me kontratën për blerjen e nëndetëseve gjermane dhe sistemit kundërajror raketor rus
ATHINË – Ish-ministri grek i Mbrojtjes Akis Tsochatzopoulos (78) është dënuar me 19 vjet burg për larje parash, dhënie ryshfeti dhe evasion fiskal.
Tsochatzopoulos, siç thuhet në aktvendimin gjyqësor, është dënuar për korrupsion dhe larje parash lidhur me kontratën për blerjen e nëndetëseve gjermane dhe sistemit kundërajror raketor rus.
Gjykata në Athinë në fund të procedurës që zgjati tre vite mori vendim me të cilin, në dënime të ndryshme, është dënuar jo vetëm ish-ministri grek por edhe 16 persona të tjerë, përfshirë edhe bashkëshorten dhe vajzën e tij.
Sipas vendimit të gjyqit, Tsochatzopoulos, i cili gjendej në liri me kusht, sërish do të përfundojë prapa grilave.
Tsochatzopoulos në mars të vitit 2013 është dënuar me tetë vite burg për shkak të parashtrimit të dokumenteve të rrejshme mbi pronën dhe të ardhurat. Atëbotë iu shqiptua edhe gjobë prej gjysmë million euro dhe iu konfiskua shtëpia në qendër të Athinës.
Pasi në burg kaloi pothuajse pesë vite, këtë vit me kaucion prej 200 mijë eurosh u lirua me kusht.
Tsochatzopoulos ka qenë ministër i Mbrojtjes prej vitit 1996 deri në vitin 2001 dhe ministër i Zhvillimit prej vitit 2001 deri në vitin 2004.
Komentet