Prokurorët filluan të paraqesin argumentet duke shfaqur videon e plotë të filmuar nga një dëshmitar që tregonte se si polici Chauvin po e mbante gjurin në qafën e George Floydit ndërsa njerëzit në rrugë po i kërkonin atij ta hiqte. Ajo që ndodhi është e qartë, thanë prokurorët.
“Do të mësoni se më 25 maj të vitit 2020, zoti Derek Chauvin tradhëtoi uniformën e tij kur ai përdori forcë të tepruar dhe të paarsyeshme ndaj trupit të zotit George Floyd”, tha prokurori Jerry Blackwell.
Avokatët e policit Chauvin thanë se video të tjera që juria ende nuk i ka parë dhe dëshmi të tjera do të japin një pasqyrë tjetër të ngjarjes.
“Provat do të tregojnë se zoti Floyd vdiq nga aritmia kardiake që rezultoi nga tensioni i lartë, sëmundjet koronare, marrja e metampfetaminës dhe fentanolit, dhe adrenalina që përshkonte trupin e tij”, tha avokati mbrojtës Eric Nelson.
Prokuroria tha se dëshmitë mjeko-ligjore do të tregojnë se zoti Floyd vdiq në duart e ish policit që përdori forcë të tepruar.
Floyd akuzohej se kishte përdorur një 20 dollarësh të falsifikuar, për të cilën prokurorët thanë se ai mund të merrte një gjobë të thjeshtë në vend të konfrontimit fizik.
Avokatët mbrojtës të zotit Chauvin thanë se Floyd i bëri rezistencë arrestimit, ndërsa prokurorët thanë se pasi u vu nën kontroll, ai kishte vështirësi me frymëmarrjen.
Vdekja e George Floydit shkaktoi protesta në të gjithë botën kundër mënyrës së trajtimit të afrikano-amerikanëve nga policia, por avokatët e të dyja palëve thonë se rasti do të përcaktohet nga faktet.
“Çështja ka të bëjë me dëshmitë, që ju do t’i shihni gjatë këtij gjyqi. Jam dakord me prokurorin e shtetit. Nuk ka asgjë më shumë se kaq. Nuk ka kauza politike ose sociale në sallën e gjyqit”, tha avokati mbrojtës Eric Nelson.
Por, rasti është gjithashtu një provë për sistemin juridik, thotë djali i udhëheqësit të lëvizjes për të drejtat civile.
“Amerika dhe bota po shikojnë nëse sistemi juridik po funksionon, dhe ne do të jemi në gjendje të vendosim për këtë gjatë këtij procesi gjyqësor”, tha Martin Luther King III, djali i udhëheqësit të lëvizjes për të drejtat civile.
Gjyqi pritet të zgjasë rreth katër javë, dhe po ndiqet me vëmendje në vend dhe botë.
Komentet