Do të vazhdojnë sot seancat e gjyqit kundër ish-policit Derek Chauvin, i akuzuar për vdekjen e afrikano-amerikanit George Floyd vjet në Mineapolis. Juria dhe publiku që po e ndjek procesin drejtpërdrejt përmes televizionit apo në platforma dixhitale, do të kenë mundësi të dogjojë vazhdimin e dëshmisë së një zjarrfikëseje që ishte në skenën e ngjarjes por nuk u lejua t’i ofrojë ndihmë zotit Floyd.
Genevieve Hansen ishte një ndër dëshmitarët e thirrur të martën për të rrëfyer ngjarjet që panë. Si të tjerët, ajo shprehu revoltim dhe zemërim që kishte dëshmuar skenën kur polici mbante të mbërthyer përtokë zotin Floyd para një dyqani vjet në maj.
Sipas dëshmitarëve dhe klipeve të regjistruara nga kalimtarët, zonja Hansen u shpjegoi policëve se ishte zjarrfikëse e trajnuar për të dhënë ndihmë të shpjetë duke u kërkuar ta lejonin t’i kontrollonte pulsin zotit Floyd.
“Ishit në skenë për afro tetë minuta e gjysmë, e pohon se gjatë kësaj periudhe po shfaqnit sjellje më agresive, u bëtë më e irrituar?” e pyet avokati i ish-policit.
“Më e irrituar, ajo është fjala e duhur,” përgjigjet zonja Hansen.
Avokati mbrojtës e pyet nëse filloi të ndjehej më e zemëruar. Zonja Hansen përgjigjet se po bëhej më e dëshpëruar.
Prokurorët thonë se i pandehuri e mbajti të mbërthyer me gjurin tek qafa zotin Floyd për 9 minuta e 29 sekonda, ose 43 sekonda më gjatë se ç’ishte raportuar fillimisht. Ish-polici Chauvin është akuzuar për vrasje me qëllim dhe vrasja pa paramendim. Ai ka deklaruar pafajësinë.
Avokatët e tij mbrojtës kanë argumentuar se polici po zbatonte rregulloret dhe se faktorë të tjerë si sëmundje zemre dhe droga që kishte në sistem viktima ishin shkaku i vdekjes.
Avokati mbrojtës e pyet në fund zjarrfikësen për një ofezë që ajo dëgjohet t’u thotë policëve:
“Isha shumë e revoltuar, pasi po e fusnin zotin Floyd në ambulancë dhe ishte e kotë të përpiqesha t’i bindja më, pasi ata sapo kishin vrarë një njeri,” tha zonja Hansen.
Vdekja e zotit Floyd dhe videoja e arrestit që u nda masivisht në median sociale në mbarë botën, u bënë shkas për protesta masive në mbarë Shtetet e Bashkuara me thirrjet për të ndalur dhunën policore.
Së fundmi, qyteti i Mineapolisit ra dakord t’u paguajë familjarëve të zotit Floyd 27 milionë dollarë dëmshpërblime për të mbyllur paditë që ata kanë ngritur lidhur me vdekjen e tij. VOA
Komentet