Një gjykatëse federale në Florida po i kërkon Departamentit të Drejtësisë që të ofrojë të dhëna më të detajuara lidhur me dokumentet e klasifikuara të gjetura në rezidencën e ish-Presidentit Donald Trump. Gjykatësja po konsideron mundësinë e emërimit të një prokurori të posaçëm për të shqyrtuar dokumentet e sekuestruara.
Një gjykatëse federale duket se po anon drejt emërimit të një prokurori special për të mbikëqyrur shqyrtimin e provave të mbledhura nga hetuesit federal gjatë kontrollit të rezidencës së ish-Presidentit Trump në Mar-A-Lago. Kërkesa u bë nga ekipi ligjor i zotit Trump.
Përmes një njoftimi të shtunën, gjykatësja e emëruar nga Presidenti Trump kur ai ishte në Shtëpinë e Bardhë, caktoi 1 shtatorin si ditë për paraqitjen e argumenteve.
Drejtori i Zbulimit Kombëtar do të vlerësojë “rreziqet e mundshme ndaj sigurisë kombëtare” që mund të kenë rezultuar nga mbajtja e dokumenteve të klasifikuara në rezidencën e zotit Trump.
Kërkesa për shqyrtim erdhi nga udhëheqësit e lartë demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve.
Pas publikimit të dokumentit që sherbeu për marrjen e autorizimit të gjykatësit për kontrollin e rezidencës së ish-Presidentit, ata thanë se: “Është kritike që komuniteti i zbulimit të veprojë me shpejtësi për të vlerësuar, dhe nëse është e nevojshme, për të zvogëlojë dëmin e shkaktuar”.
Dokumenti prej 38 faqesh, i publikuar me redaktime të theksuara, u përdor nga Byroja Federale e Hetimeve, FBI, për të marrë miratimin e gjykatës për kontrollin në Mar-A-Lago.
Departamenti i Drejtësisë dha shpjegime për redaktimin e dokumentit.
“Qeveria ka shqetësime të bazuara se mund të ndërmerren hapa për të penguar ose për të ndërhyrë në këtë hetim nëse faktet bëhen publike para kohe”.
Madje, në dokument theksohet kërkesa për mbajtjen e tij sekret, sepse ka palë të paidentifikuara të cilat ende po hetohen, çka mund të rezultojë në ngritjen e akuzave të tjera.
Ish-Presidenti Trump e ka kritikuar hetimin dhe pretendon se nuk ka bërë asgjë të gabuar. Megjithë kritikat për redaktimin e dokumentit, ekipi i tij ligjor nuk argumentoi në gjykatë për publikimin e tij.
Komentet