Në SHBA, një gjykatë federale apeli hodhi poshtë kërkesën e ekipit të Presidentit Donald Trump për të mos lejuar Presidentin e zgjedhur Joe Biden të shpallet fitues i shtetit të Pensilvanisë.
Vendimi është një tjetër hap prapa në përpjekjet e zotit Trump për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të 3 nëntorit.
Në vendimin e tij, Stephanos Bibas, në emër të një trupi gjykatës me tre gjyqtarë shkroi: “Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë gjaku i demokracisë sonë. Akuzat për padrejtësi janë serioze. Por t’i quash zgjedhjet të pandershme, kjo nuk i bën ato të tilla”. “Akuzat kërkojnë aludime serioze dhe më pas prova. Në këtë rast ne nuk kemi as njërën, as tjetrën.”
“Do të shkojmë në Gjykatën e Lartë” shkroi në Twitter pas vendimit Jenna Ellis, avokate e ekipit të zotit Trump, duke iu referuar një apelimi që planifikon të bëjë ekipi. “Makineria gjyqësore aktiviste në Pensilvani vazhdon të mbulojë akuzat për mashtrim masiv,” shkruante ajo.
Pensilvania çertifikoi këtë javë zotin Biden si fitues, i cili mori votën popullore në këtë shtet. Sipas ligjit të Pensilvanisë, kandidati që fiton votën popullore në shtet merr të 20 votat elektorale të tij.
Presidenti Trump ka refuzuar të pranojë humbjen ndaj rivalit të tij demokrat dhe vazhdon të pretendojë, pa prova, për mashtrim të gjerë të votuesve.
Por ai tha të enjten se do të largohet nga Shtëpia e Bardhë nëse zoti Biden fiton Kolegjin Elektoral.
zëri i amerikës
Komentet