Shefi i Shtatmadhorisë Amerikane, gjenerali Mark Milley, tha të mërkurën se ekzistojnë “mundësitë” që Shtetet e Bashkuara të bashkërendojnë veprimet me talebanët për çdo sulm të ardhshëm kundër terrorizmit në Afganistan, kundër militantëve të Shtetit Islamik apo grupeve të tjera.
Talebanët, tha gjeneral Milley, janë një grup “i pamëshirshëm” dhe “mbetet për t’u parë nëse ata do të ndryshojnë”.
“Në luftë bëhet ajo që duhet për të zvogëluar rrezikun dhe jo domosdoshmërisht ajo që do të dëshironim të bënim”, shtoi ai.
Duke folur dy ditë pasi trupat e fundit amerikane u larguan nga Afganistani duke i dhënë fund një evakuimi kaotik, që u shoqërua me një shpërthim vdekjeprurës, gjenerali Milley dhe Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin u thanë gazetarëve në Pentagon se është e vështirë të parashikohet e ardhmja e talebanëve në Afganistan.
“Unë nuk do të bëja asnjë koment duke patur pak informacion mbi çështje më të gjera”, tha zoti Austin.
Si Sekretari Austin ashtu edhe gjenerali Milley kanë drejtuar trupat në Afganistan gjatë luftës 20-vjeçare atje dhe komentet e tyre të mërkurën u përqëndruan kryesisht në nderimin e atyre që shërbyen, që u vranë apo u plagosën në konflikt, si dhe atyre që menaxhuan evakuimin ajror kompleks, gjatë tre javëve të fundit.
Me përfundimin e luftës së SHBA -së në Afganistan, Presidenti Joe Biden po përballet me mundësinë e krijimit të një marrëdhënieje të re me talebanët, grupi militant islamik që SHBA-ja rrëzoi nga pushteti, me fillimin e misionit në Afganistan pas sulmeve të 11 shtatorit 2001. Tashmë talebanët janë sërish në pushtet në Afganistan.
Zoti Biden ka ngarkuar Sekretarin e Shtetit Antony Blinken të bashkërendojë përpjekjet me partnerët ndërkombëtarë në mënyrë që talebanët të mbajnë premtimin e tyre për largimin e sigurt të amerikanëve dhe atyre që duan të largohen nga vendi në ditët në vazhdim.
Gjenerali i Marinës Frank McKenzie, kreu i Komandës Qendrore Amerikane, i ka përshkruar marrëdhënien e SHBA-së me talebanët gjatë evakuimit, si “shumë pragmatike e kryesisht marrëdhënie pune”, duke thënë se ata ndihmuan në sigurimin e aeroportit të Kabulit. Por sipas të tjera njoftimeve, njerëz në Afganistan kanë folur për të shtëna me armë, dhunë dhe përpjekje të talebanëve për të bllokuar afganët e dëshpëruar që të mos futen në aeroport.
Komentet