Ish-presidenti George W. Bush i kërkoi sot Amerikës të shqyrtonte pa kompromis dështimet e saj tragjike duke përmendur padrejtësinë radikale që po dëmton shoqërinë amerikane.
“Ky mbetet një dështim tronditës që shumë afro-amerikanë, veçanërisht të rinj, ngacmohen dhe kërcënohen në vendin e tyre”, shkruan ish-presidenti (2001-2009) në një komunikatë për vdekjen e George Floyd, i asfiksuar nën gjurin e një polici të bardhë.
“Kjo tragjedi, që është pjesë e një serie të gjatë tragjedish të ngjashme, ngre një pyetje të pashmangshme: Si do t’i jepet fund racizmit të vazhdueshëm në shoqërinë tonë?”, pyet ai.
“Ka ardhur koha për Amerikën të shqyrtojë dështimet tona tragjike”, shtoi ai.
Vdekja e George Floyd, një javë më parë në Minneapolis ka indinjuar Amerikën dhe ka shkaktuar manifestime të shumta në mbarë vendin, që kanë degjeneruar dhe në përleshje.
Edhe pse nuk e përmend kurrë presidentin amerikan, Donald Trump, ish-presidenti republikan këmbëngul mbi nevojën për të dëgjuar zërat e atyre që vuajnë.
“Ata që përpiqen të kufizojnë këto zëra në heshtje nuk e kuptojnë domethënien e Amerikës”, shkruan ai.
“Heronjtë e Amerikës nga Frederick Douglass te Harriet Tubman, Abraham Lincoln apo Martin Luther King Jr – janë heronjtë e unitetit”, nënvizoi ai.(Atsh)
Komentet