UASHINGTON (AP) – Departamenti i Drejtësisë po i kërkon një gjykate federale të bëj publik urdhrin që FBI-ja përdori për të kontrolluar pronën në Mar-a-Lago të ish-presidentit Donald Trump, tha të enjten Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland, duke pranuar interesin e jashtëzakonshëm publik për rastin rreth të dhënave të klasifikuara.
Kërkesa është e çuditshme sepse dokumenta të tilla tradicionalisht mbeten të vulosura gjatë një hetimi në vazhdim. Por Departamenti i Drejtësisë duket ta ketë pranuar se heshtja që nga kontrolli kishte krijuar një vakum për sulme të hidhura verbale nga ish presidenti Trump dhe aleatët e tij dhe se publiku kishte të drejtë të dinte çfarë nxiti veprimin e së hënës në shtëpinë e ish-presidentit.
“Interesi i qartë dhe i fuqishëm i publikut për të kuptuar atë që ndodhi në këto rrethana peshon më shumë në favor të bërjes publike të urdhrit”, thuhej në një mocion të paraqitur në gjykatën federale në Florida të enjten.
Kërkesa që është tani në dorën e gjykatësit dhe që ish presidenti mund ta kundërshtojë bërjen publike të saj– mund të zbulojë informacione jo të këndshme për ish-presidentin dhe për shqyrtimin e FBI-së për trajtimin nga ana e tij të dokumenteve të ndjeshme të qeverisë pikërisht ndërsa ai përgatitet për një tjetër garë për Shtëpinë e Bardhë. Gjatë fushatës së tij të suksesshme të vitit 2016, ai vuri në dukje shpesh një hetim të FBI-së ndaj kundërshtares së tij demokrate, Hillary Clinton, për të pare nëse ajo keqpërdorte informacionin e klasifikuar.
Në këtë pikë është e paqartë se sa informacion do të përfshihej në dokumente, nëse ato do të bëheshin publike, ose nëse ato do të përfshinin një deklaratë të FBI-së që me sa duket do të parashtronte një bazë të detajuar faktike për kontrollin në pronën Mar-o-Lago. Departamenti kërkoi në mënyrë specifike bërjen publike të urdhrit si dhe një listë ku renditeshin sendet që u sekuestruan, së bashku me dy dokumenta të paspecifikuara.
Për të marrë një urdhër kontrolli, autoritetet federale duhet t’i provojnë një gjyqtari se ekziston një shkak i mundshëm për të besuar se është kryer një krim. Kryeprokurori Garland tha se ai personalisht e miratoi urdhrin, një vendim që ai tha se departamenti nuk e mori lehtë duke pasur parasysh se praktika standarde aty ku është e mundur, është të zgjidhen taktika më pak ndërhyrëse sesa kontrolli i shtëpisë.
As zoti Trump dhe as FBI-ja nuk kanë thënë asgjë në lidhje me dokumentet që FBI-ja mund të ketë sekuestruar, apo çfarë saktësisht kërkonin agjentët. Por ish-presidenti u ankua sërish të enjten për kontrollin.
Zoti Trump, i cili për vite me radhë ka kritikuar FBI-në dhe ka kërkuar të mbjellë mosbesim mes mbështetësve të tij në vendimet e saj, tha se urdhri u kërkua dhe kontrolli u krye pavarësisht bashkëpunimit të tij me Departamentin e Drejtësisë.
Në një postim në platformën e tij “Truth Social”, zoti Trump tha se “avokatët dhe përfaqësuesit e tij po bashkëpunonin plotësisht” përpara kontrollit dhe se zyrtarët e qeverisë “mund të kishin gjithçka që dëshironin, kurdo që të dëshironin, nëse ne do ta kishim atë që kërkonin”.
Departamenti i Drejtësisë ka afat deri të premten pasdite për të njoftuar gjyqtarin nëse zoti Trump do të kundërshtojë publikimin e urdhërit.
Politika e FBI-së dhe e Departamentit të Drejtësisë paralajmëron kundër diskutimit të hetimeve në vazhdim, si për të mbrojtur integritetin e hetimeve, ashtu edhe për të shmangur keqtrajtimin e padrejtë të dikujt që po hetohet. Kjo është veçanërisht e vërtetë në rastin e urdhrave të bastisjeve, ku dokumentet gjyqësore mbështetëse mbahen në mënyrë rutinë sekret ndërsa hetimi vazhdon.
Sidoqoftë, në këtë rast, kryeprokurori Garland përmendi faktin se vetë Trumpi kishte dhënë konfirmimin e parë publik të kontrollit të FBI-së, “siç është e drejta e tij.” Departamenti i Drejtësisë, në dosjen e tij të re, tha gjithashtu se zbulimi i informacionit në lidhje me të tani nuk do të dëmtojnë funksionet e gjykatës.
Megjithatë, zoti Garland, në një deklaratë publike të planifikuar me ngut në Departamentin e Drejtësisë, dukej se pranoi natyrën e pazakontë të kërkesës së departamentit pasi ai refuzoi të merrte pyetje ose të jepte ndonjë hollësi thelbësore në lidhje me hetimin e FBI-së.
“Pjesa më e madhe e punës sonë kryhet jashtë syrit të publikut. Ne e bëjmë këtë për të mbrojtur të drejtat kushtetuese të të gjithë amerikanëve dhe për të mbrojtur integritetin e hetimeve tona,” tha ai. “Ligji federal, rregullat e departamentit dhe detyrimet tona etike më pengojnë të jap detaje të mëtejshme në këtë kohë, në lidhje me arsyen e kontrollit”.
Departamenti i Drejtësisë nën drejtimin e zotit Garland ka qenë i kujdesshëm ndaj deklaratave publike në lidhje me hetimet e ngarkuara politikisht, ose për të konfirmuar se deri në çfarë mase mund të hetonte zotin Trump si pjesë e një hetimi më të gjerë për trazirat e 6 janarit në Kongres dhe përpjekjet për të përmbysur rezultatet e zgjedhjet e vitit 2020.
Komentet