Athinë – Forcat e Armatosura të Greqisë në Egjeun Lindor janë vendosur në gatishmëri të lartë për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme të Turqisë, të shprehura ditët e fundit nga zyrtarë të lartë të qeverisë së presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, njofton gazeta greke Kathimerini.
Megjithëse Greqia e ka vendosur ushtrinë e saj në Egjeun lindor në gatishmëri për të përcjellë një mesazh vigjilence, qeveria greke nuk kërkon të përfshihet në një grindje retorike me Ankaranë. Megjithatë, ajo po monitoron lëvizjet e Turqisë, e shqetësuar për mundësinë e një përshkallëzimi gjatë verës.
Athina pret gjithashtu një intensifikim të përpjekjeve turke për ta përshkruar Greqinë si një vend që kundërshton konventat dhe ligjin ndërkombëtar.
Gazeta greke shkrua se “këtë javë ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavusoglu kërcënoi se do të sfidonte sovranitetin e ishujve lindorë të Egjeut nëse Athina nuk i çmilitarizon ato, ndërsa të premten ai denoncoi Greqinë si një vend që nuk respekton fqinjët e saj. Ai përmendi Maqedoninë e Veriut, për të cilën tha se Greqia e detyroi të ndryshojë emrin e saj si kusht për t’u anëtarësuar në NATO.
“Sa vite zgjati aderimi i Maqedonisë? Njëmbëdhjetë vjet. Pse u deshën 11 vjet? Sepse Greqia i kërkoi Maqedonisë ndryshimin e emrit. U bë Maqedonia e Veriut. Pas kësaj ajo mundi të bëhej anëtare e NATO-s dhe u deshën 11 vjet”, citon Kathimerini, fjalët e ministrit Çavusoglu, që sipas saj goditi kështu edhe Bashkimin Evropian:
“Kushtet e vendosura nga disa vende anëtare të BE-së, veçanërisht në lidhje me Maqedoninë e Veriut dhe maqedonasit, për të marrë një datë negocimi dhe jo anëtarësimi, nuk janë të pranueshme”, tha ai, duke shtuar se Turqia nuk dëshiron që vendet të ndryshojnë emrin e tyre ose të diktojnë se çfarë kombësie duhet të jenë,” përfundon shkrimin e saj Kathimerini.
syri.net
Komentet