Më shumë se 17 milionë amerikanë kanë hedhur votën për zgjedhjet e vitit 2020, një shifër që ka thyer rekord për votimin e parakohshëm, falë mobilizimit të demokratëve dhe një pandemie që ka transformuar mënyrën e votimit në vend.
Kjo shifër përfaqëson 12% të të gjitha votave të hedhura në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, edhe pse tetë shtete ende nuk kanë njoftuar për totalin e tyre dhe votuesit kanë ende edhe më shumë se dy javë kohë për të hedhur votat.
Nxitimi i amerikanëve për të votuar po bën që ekspertët e zgjedhjeve të parashikojnë se mund të hidhen një rekord prej 150 milion votash dhe pjesëmarrja mund të jetë më e lartë se në çdo zgjedhje presidenciale që nga viti 1908.
“Është e pabesueshme”, tha Michael McDonald, një ekspert i shkencave politike në Universitetin e Floridës i cili ka ndjekur prej kohësh procesin e votimit për faqen e tij ElectProject.org.
Analiza e Prof. McDonald tregon se afërsisht 10 herë më shumë njerëz kanë votuar krahasuar me të njëjtën kohë në vitin 2016.
“Është e sigurt se këto do të jenë zgjedhje me pjesëmarrje të lartë,” tha Prof. McDonald.
Deri tani, pjesëmarrja ka qenë jo e balancuar, me një numër më të madh demokratësh se republikanët me një raport 2-1 në 42 shtetet e përfshira në numërimin e agjencisë Associated Press.
Republikanët e prisnin këtë avantazh të hershëm demokrat prej muajsh me radhë, pasi Presidenti Donald Trump ka sulmuar votimin me postë, duke ngritur shqetësime të pabazuara në lidhje me manipulime të mundshme.
Sondazhet, dhe tani votimi i hershëm, sugjerojnë që retorika i ka larguar anëtarët e partisë së tij nga një metodë votimi ku tradicionalisht, ata mbizotëronin në javët para ditës së zgjedhjeve.
Kjo u jep demokratëve një avantazh taktik në pjesën e fundit të fushatës. Në shumë shtete kritike të betejës, Demokratët i kanë “siguruar” një pjesë të votuesve të tyre dhe tani mund ta kthejnë energjinë dhe fondet drejt votuesve më të vështirë për t’u gjetur.
Por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se demokratët do të kryesojnë në vota deri në kohën e numërimit të fletëve të votimit. Të dyja partitë parashikojnë një rritje të votave të republikanëve në ditën e zgjedhjeve që mundet brenda pak orësh, të zhvendosë në mënyrë dramatike dinamikën.
“Numrat republikanë do të rriten,” tha John Couvillon, një anketues republikan i cili po ndjek votimin e hershëm. “Pyetja është me çfarë shpejtësie dhe kur?”
Zoti Couvillon tha se demokratët nuk duhet ta flenë mendjen me avantazhin e tyre të votimit të hershëm, por se edhe republikanët vetë po marrin një rrezik të madh në sy.
Një numër faktorësh, nga rritja e infeksioneve të virusit tek moti, mund të ndikojë në pjesëmarrjen në person në ditën e zgjedhjeve.
“Nëse i mbajnë të gjitha shpresat tek një ditë votimi, ky është me të vërtetë një rrezik i lartë,” tha zoti Couvillon.
Kjo është arsyeja pse, pavarësisht retorikës së zotit Trump, fushata dhe partia e tij po inkurajojnë votuesit e tyre të hedhin vota me postë ose herët dhe personalisht. Fushata, e cila ka dërguar vullnetarë dhe punonjës në terren për muaj me radhë megjithë pandeminë, pretendon se ajo ka regjistruar më shumë votues këtë vit sesa demokratët në shtetet kryesore si Florida dhe Pensilvania.
Por nuk ka pasur edhe aq sukses në bindjen e bazës për votimin në mungesë. Në shtetet kyçe, Republikanët mbeten shumë më pak të interesuar për të votuar me postë. Në Pensilvani, më shumë se tre të katërtat e më shumë se 437,000 fletëvotimeve të dërguara deri më tani kanë qenë nga demokratët.
Në Florida, gjysma e të gjitha fletëve të votimit të dërguara deri më tani kanë qenë nga demokratët dhe më pak se një e treta e tyre nga republikanët. Edhe në Kolorado, një shtet ku çdo votuesi i dërgohet një fletë votimi me postë dhe republikanët zakonisht dominojnë javën e parë të votimit, vetëm 19% e fletëve të votimit të dërguara kanë qenë nga republikanët.
“Të gjitha këto janë inkurajuese, por tre javë është një kohë e gjatëj,” thotë strategjisti demokrat Tom Bonier tha për shifrat e hershme të votave. “
Votimet në masë janë bërë pa u shoqëruar nga përleshje të dhunshme në vendet e votimit që disa aktivistë dhe zyrtarë të zbatimit të ligjit kishin frikë se mund të ndodhte. Ka pasur disa gabime të konsiderueshme, si për shembull 100,000 fletë votimi defektoze të dërguara në New York, apo 50,000 në Columbus, Ohio. Por ka pak prova për probleme masive që disa vetë u druheshin, pasi zyrave zgjedhore iu desh që të fillonin të merreshim me një fluks votimesh të hershme.
Por ka pasur radhë të jashtëzakonshme dhe pritje për orë të tëra në Georgia, Texas dhe Karolinën e Veriut me hapjen e votimit të hershëm në këto shtete. Vonesat ishin kryesisht rezultat i burimeve të pamjaftueshme për të përballuar fluksin, diçka që aktivistët pretendojnë se është një formë e shtypjes së votuesve.
Republikanët argumentojnë se këto shenja entuziazmi janë pa vlerë pasi ata thonë se votuesit e hershëm demokratë janë njerëz që do të kishin votuar gjithsesi.
Por një analizë e AP për votimin e hershëm tregon se 8% e votuesve të hershëm nuk kishin votuar asnjëherë votim më parë, dhe 13.8% kishin votuar në gjysmën ose më pak të zgjedhjeve të mëparshme për të cilat kishin të drejtën e votës.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se votuesit përqafojnë votimin me postë, e cila zyrtarët shëndetësore thonë se është mënyra më e sigurt për të shmangur infeksionin e koronavirusit gjatë votimit. Nga votuesit e hershëm, 82% e dërguan votën me postë dhe 18% personalisht. Votuesit afrikano-amerikanë përbëjnë 10% të votave të hedhura, një shifër që përputhet me përqindjen e tyre në elektorat, sipas analizës së AP të të dhënave nga L2, një firmë politike e të dhënave. Kjo është një shenjë se ata votues, të cilët kanë më pak të ngjarë të votojnë me postë sesa të bardhët dhe hispanikët, e kanë përqafuar këtë metodë.
Fletëvotimet me postë deri më tani kanë anuar nga votuesit e moshuar. Gjysma e tyre që vijnë nga votuesit mbi moshën 64 vjeç. Tradicionalisht, votuesit e rinj dhe të pakicave dërgojnë fletët e tyre të votimit më pranë ditës së zgjedhjeve ose votojnë personalisht.
Fletëvotimet e dërguara tashmë në disa shtete janë shumë herë më të shumta se i gjith totali i zgjedhjet e mëparshme. Në Uiskonsi, janë hedhur më shumë se pesë herë më shumë fletëvotime me postë deri tani krahasuar me shifrën totale të vitit 2016. Karolina e Veriut ka parë gati trefishin e numrit deri më tani. Votimi i hershëm në person filloi këtë javë në disa shtete të mëdha dhe gjithashtu theu rekorde, veçanërisht në zonat metropolitane me popullata me prirje demokratike. Në Teksas, Qarku Harris i Hjustonit pa një rekord me 125,000 vota. Në Xhorxhia, radhët me orë të tëra zgjateshin nga qendrat e votimeve përmes pjesës më të madhe të zonave urbane të shtetit.
Tunde Ezekiel, një avokat 39-vjeçar dhe demokrat i cili votoi herët në Atlanta të enjten, tha se ai donte të ishte i sigurt se ai kishte një shans për të hequr zotin Trump nga detyra:
“Nuk e di se si do të jetë situata në ditën e zgjedhjeve. Dhe unë nuk doja të rrezikoja.”
Mobilizimi i dukshëm midis demokratëve ka entuziazmuar operativët e partisë, por ata vërejnë se është vështirë të thuhet se cili do të jetë rezultati përfundimtar.. Republikanët mund të jenë po aq të motivuar, por duke pritur për ditën e zgjedhjeve.
“Secila nga palët mund të përfitojë nga pjesëmarrja e lartë,” tha zoti Bonier. “Nuk i dihet”. zëri i amerikës
Komentet