Sot në Nju Jork fillon gjyqi ndaj kompanisë së ish presidentit Donald Trump “Organizata Trump”, e akuzuar për mospagim taksash. Sfida e parë me të cilën përballet gjykata është zgjedhja e një jurie me banorë të Nju Jorkut që nuk kanë qendrime të fuqishme ndaj ish presidentit.
Prokurorët thonë se Organizata Trump ndihmoi drejtuesit e lartë të shmangnin taksat mbi të ardhurat duke u dhënë atyre përfitime shtesë, si apartamente, për të cilat nuk paguanin qira dhe makina luksoze.
Vetë zoti Trump nuk është në gjykim dhe nuk pritet të dëshmojë. Por gjykatësi dhe avokatët e çështjes ka të ngjarë të kërkojnë të mbajnë larg jurisë njerëzit që kanë ndjenja të forta për zotin Trump, i cili është i njohur, por jo i pëlqyer në qytetin e tij të lindjes.
Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, 87% e votuesve të Manhatanit mbështetën demokratin Joe Biden për president. Trump mori 12% të votave.
Pas zgjedhjes së jurisë, gjykatësi Juan Manuel Merchan tha se pret që gjyqi të zgjasë së paku katër javë.
Gjyqi pritet të përqëndrohet në veprimet dhe dëshminë e drejtorit ekzekutiv të Organizatës Trump për një kohë të gjatë Allen Weisselberg, i cili në gusht pranoi fajësinë për marrjen e më shumë se 1.7 milionë dollarëve nga kompania, në formë përfitimesh të pataksuara.
Vetë zoti Trump e ka cilësuar gjyqin si një gjueti shtrigash ndërsa avokatët pretendojnë se kompania ka vepruar sipas ligjit.
Nëse shpallet fajtore, Organizata Trump mund të gjobitet me mbi1 milionë dollarë. Një vendim fajësie mund do të dëmtonte mundësitë e kompanisë për të marrë kredi dhe për të nënshkruar kontrata.
Procesi i përzgjedhjes së jurisë mund të kërkojë disa ditë.
Komentet