Vdekja e anëtares së Gjykatës së Lartë, Ruth Bader Ginsburg i jep Presidentit Donald Trump një mundësi për të emëruar një tjetër konservator në gjykatën më të lartë të vendit dhe për ta zhvendosur edhe më shumë nga e djathta, balancën e saj, vetëm më pak se shtatë javë para zgjedhjeve presidenciale.
Vdekja e saj po ndez një betejë politike lidhur me faktin nëse zoti Trump duhet të emërojë dikë për të zëvendësuar gjykatësen me një seancë konfirmimi në senatin me shumicë republikane, apo ta lërë të paplotësuar vendin e saj, derisa të dalë rezultati i zgjedhjeve.
Aktualisht gjykata ka një shumicë konservatore 5 me 4. Emërimi në Gjykatën e Lartë është i përjetshëm.
Presidenti Trump shkruante të shtunën në Twitter se republikanët kanë detyrimin “të veprojnë pa vonesë”, për të zëvendësuar gjykatësen Ginsburg.
“Ne jemi vendosur në këtë pozicion me pushtet dhe rëndësi për të marrë vendime për njerëzit që me aq krenari na zgjodhën dhe për një kohë të gjatë më i rëndësishmi është konsideruar ai për përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. E kemi këtë detyrim, (ta bëjmë) pa vonesë”, tha ai.
Udhëheqësi republikan i Senatit, Mitch McConnell tha në një deklaratë të premten se çdo kandidat që mund të caktojë Presidenti Trump “do të marrë një votim votim në senatin amerikan”.
Kandidati demokrat për president, Joe Biden tha i bëri thirrje Senatit që të priste për konfirmimin e dikujt tjetër në postin e gjykatëses, duke thënë se “votuesit duhet të zgjedhin presidentin dhe presidenti duhet të zgjedhë kandidatin që duhet të shqyrtojë Senati”.
Radioja publike NPR njofton se vetëm disa ditë para se të vdiste, gjykatësja Ginsburg i kishte diktuar një deklaratë mbesës së saj, ku shprehej: “Dëshira ime më e zjarrtë është që mos zëvendësohem deri kur të zgjidhte presidenti i ardhshëm”.
Me një shumicë të re edhe më të thellë, forcat konservatore mund të mbizotërojnë për çështje që nga të drejtat e abortit, tek imigracioni dhe deri tek kompetencat ekzekutive. Deri tani zoti Trump ka ruajtur status quo-në, duke caktuar dy gjykatës konservatorë – Neil Gorsuch dhe Brett Kavanaugh – për të zëvendësuar anëtarë të tjerë të emëruar nga republikanët.
Por me vdekjen e gjykatëses Ginsburg, Presidenti Trump mund të bëjë diçka që asnjë president nuk e ka bërë prej dekadash, të zëvendësojë një anëtare demokrate me një anëtar republikan të gjykatës. Hera e fundit që kjo ndodhi ishte në vitin 1991 kur Presidenti republikan, George H.W. Bush emëroi gjykatësin konservator Clarence Thomas për të zëvendësuar ikonën liberale, Thurgood Marshall.
E emëruar në vitin 1993 nga ish-Presidenti Bill Clinton, zonja Ginsburg që vdiq në shtëpinë e saj në Uashington në moshën 87 vjeçare nga kanceri, ishte gjykatësja liberale më e moshuar dhe që kishte shërbyer më gjatë në Gjykatën me nëntë anëtarë.
Për shumë liberale, mundësia e emërimit të një kandidati konservator, materializon diçka të cilës i ishin druajtur prej kohësh.
“Kandidati i ardhshëm, me siguri do të ketë pozicione edhe më të djathta se sa gjykatësit Kavanaugh dhe Gorsuch”, thotë drejtori ekzekutiv i organizatës “Fix the Court”.
Zonja Ginsburg, një zë i fuqishëm për kauza liberale ishte vetëm e dyta grua që bëhej anëtare e Gjykatës së Lartë.“Kombi ynë ka humbur një gjykatëse me një stature historike,” tha përmes një deklarate Kryetari i Gjykatës së Lartë, John Roberts. Zonja Ginsburg, gruaja e dytë që shërbeu në gjykatën më të lartë amerikane, e filloi profesionin në një periudhë kur kishte shumë pak gra juriste. Ajo u përpoq gjatë karrierës së saj të zgjeronte barazinë e grave dhe arriti në statusin e pothuajse një ikone në radhët e qarqeve progresiste.
“Unë kam katër vajza dhe u thashë atyre se kjo grua konsolidoi të drejtat e grave si qenie të barabarta njerëzore”, tha Kimberly Wehle, profesore e së drejtës në Universitetin e Baltimorës.
“Sigurisht ka shumë gra dhe burra që kanë pasur rol në këtë drejtim. Por përsa i takon jurisprudencës, ishte puna e saj si jurist dhe sigurisht si anëtare e Gjykatës së Lartë”, tha ajo.
E nohur si dikush që shprehte atë që mendonte, gjykatësja Ginsburg u përplas me zotin Trump gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016, duke thënë se ai ishte dikush që shtirej, duke shkaktuar reagimin e tij që ajo të jepte dorëheqjen.
Presidenti Trump u shpreh në një deklaratë pas vdekjes se “gjykatësja Ginsburg tregoi se mund të mos jesh dakord, pa qenë i pasjellshëm ndaj kolegëve apo këndvështrimeve të ndryshme”.
Komentet