Faton Bislimi, anëtar ekzekutiv i LQSHA dhe ish-deputeti i LDK lajmëron në Facebook fitoren e Kongresmenit Republikan Kevin McCarthy, i cili do të jetë edhe drejtuesi i ardhshëm i Kongresit Amerikan. Ja çfarë shkruan Faton Bislimi:
“Me betimin e Kongresit të ri të SHBA-ve në Janar 2023, rolin e Kryetarit pritet ta marrë Kongresisti Kevin McCarthy, Republikan nga Kalifornia, që deri më tani ka qenë Udhëheqës i Pakicës në Kongres. Kongresisti McCarthy është mik yni dhe i kombit shqiptar, dhe kjo falë angazhimit historik me të dyja taborret partiake në Capitol Hill të lobit tonë në SHBA, Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane.
Pasi që veç është konfirmuar se zgjedhjet e 8 Nëntorit i dhanë Republikanëve shumicën në Dhomën e Përfaqësuesëve, Nancy Pelosi sot e deklaroi të përfunduar mandatin e saj në krye të Kongresit të SHBA-ve pas një karriere të gjatë e të bujshme duke u bërë edhe gruaja e parë në pozitën e Kryetarës së Kongresit.
Puna jonë për kauzën kombëtare do vazhdojë me sukses edhe me z. McCarthy dhe Kongresin e ri të SHBA-ve.
Është me të vërtetë e bukur të kemi miq të njëmendtë në kupolën e demokracisë botërore. Dyertë e hapura aty ku duhet arrihen me angazhim sistematik. Krenar me angazhimin tim me liderët në Capitol Hill tash e dy dekada!”
Komentet