Presidenti amerikan Donald Trump kthehet në Uashington këtë javë pasi nënshkroi disa marrëveshje biznesi, që përputhen me premtimet e tij për vende pune brenda Shteteve të Bashkuara, si edhe angazhime nga aleatët për më shumë bashkëpunim në luftën kundër terrorizmit. Por ndoshta po aq i rëndësishëm është fakti që udhëtimi i lodhshëm 9 ditor i ka dhënë një mundësi presidentit që të jetë larg shqetësimeve brenda vendit, dhe që të shkëlqejë në arenën botërore.
Por udhëtimi ka ushqyer gjithashtu spekullime për energjitë fizike të presidentit 70 vjeçar; nëse ai ishte shumë i lodhur kur ngatërroi një fjali shumë të rëndësishme në fjalimin para udhëheqësve myslimanë, apo ishte një mënyrë jo e menduar mirë për të dalë mbi këshilltarët e tij që donin që ai të shmangte retorikën e përdorur gjatë fushatës, e cila shkaktoi akuza për paragjykime dhe Islamofobi.
“Mund të jetë lodhja e udhëtimit, por mund të jetë edhe e qëllimshme”, i tha Zërit të Amerikës Julian Zelizer, profesor historie dhe marrëdhëniesh ndërkombëtare në Universitetin Princeton. “Është e lehtë të thuash se dikush është i raskapitur, por në disa raste njerëzit nxjerrin nga goja pikërisht atë që duan të thonë”.
Fjali e debatueshme
Gjatë fushatës, zoti Trump përmendi shpesh nevojën për të luftuar “terrorizmin radikal islamik” dhe kritikoi ashpër rivalen demokrate Hillary Clinton dhe Presidentin e atëhershëm Barack Obama për shmangien e kësaj fraze.
Por pas një debati të ashpër që mesa duket ndodhi mes këshilltarëve të tij, në tekstin e përgatitur për fjalimin përdorej shprehja “Ekstremizëm islamik,” që synon të bëjë dallim mes gjithë botës islamike dhe grupeve myslimane që përziejnë fenë me ideologjinë e skajshme politike të njohur si “Islamizëm”.
Por kur dha fjalimin, presidenti devijoi nga teksti i përgatitur, duke shtuar disa fjalë të vetat.
“Sigurisht mbetet ende shumë punë për t’u bërë. Kjo do të thotë që të luftojmë krizën e ekstremizmit islamik dhe islamistët dhe terrorin islamik të çdo lloji”.
Pas fjalimit, një këshilltar e sqaroi gafën presidenciale duke thënë “Ai është thjesht jashtëzakonisht i lodhur”. Vetë presidenti Trump më pas u tërhoq nga një fjalim për rrjetet sociale, duke thënë se ishte i lodhur. Vajza e tij Ivanka e zëvendësoi.
Barry Strauch, që e ka studiuar lodhjen e tejskajshme si hetues aksidentesh me Bordin Kombëtar të Sigurisë së Transportit tha se megjithëse stërlodhja nuk mund të përjashtohet, nuk ka gjasa që të jetë faktor në rastin e zotit Trump.
“Kushtet e udhëtimit për një president janë krejtësisht të ndryshme nga ato për cilindo tjetër. Ai fluturon me Air Force One, që ka kushte shumë të mira për të fjetur për presidentin”, tha zoti Strauch.
Profesor Zelizer, që e ka studiuar karrierën e mëparshme të zotit Trump, tha se gabimi strategjik në fjalim përputhet me praktikat e tij të mëparshme në biznes.
“Kur e ke ndjekur që nga vitet 1980, ai është njëlloj. Ky është një element që e kemi parë tek Presidenti Trump, kur ishte i ri. Është i njëjti person”.
Deklarata të pavërteta
Zoti Trump ka një histori me deklarata të pavërteta dhe me ngatërrimin e fakteve, gjë që i ka bërë kritikët ta akuzojnë si të pasinqertë. Në disa raste, bëhet fjalë për gabime shumë të dukshme.
Në një intervistë me kanalin telelviziv Fox Business Channel, ai tha:
“Sapo kemi lëshuar 59 raketa në Irak”. Gazetarja Maria Bartiromo e korrigjoi “Në Siri”, tha ajo.
Në një tjetër intervistë, duke folur për Korenë e Veriut, ai tha se vendi ka të njëjtin udhëheqës prej dy dekadash. Megjithëse Koreja e Veriut sundohet nga e njëjta familje prej tre brezash, udhëheqësi i tanishëm Kim Jong Un, e mori pushtetin vetëm në vitin 2011.
Ndalesat e tjera në udhëtimin e Presidentit Trump, në Izrael dhe territoret palestineze, Vatikan, Bruksel dhe Siçili, janë organizuar në mënyrë të tillë që të konsolidojnë imazhin e një presidenti që po goditet nga media e vendit të tij. Përveç një takimi me shtypin nga Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson në Air Force One, asnjë zëdhënës nuk ka folur për gazetarët, me përjashtim të disa citimeve të shkurtra në përgjigje të kërkesave nga shtypi.
Kjo heshtje relative ka ushqyer spekullimet për ndryshime në personelin dhe strategjinë e komunikimit në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa administrata përpiqet të përmirësojë imazhin. Një ndryshim i mundshëm do të ishte ndërprerja e konferencave të përditshme të shtypit nga zëdhënësi Sean Spicer.
Sipas njoftimeve, zoti Trump është i pakënaqur me faktin që këto konferenca shtypi janë kthyern në një cirk mediash, por nuk i ka ndërprerë deri tani sepse ato ngjallin shumë interes tek audiencat televizive.
Komentet