“Është legjendar guximi i turqve në luftë”, tha Trump, duke theksuar më tej se edhe sot ekziston rrezik i ri nga terrorizmi, ndaj të cilit do të vazhdojnë të luftojnë së bashku
WASHINGTON – Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan dhe presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, pas takimit të zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë në një konferencë të përbashkët për media shprehën nevojën për luftën e përbashkët kundër organizatave terroriste, në veçanti kundër DEASH-it.
Presidenti Erdoğan dhe homologu i tij amerikan, Donald Trump, pas takimit kokë më kokë në Zyrën Ovale në Shtëpinë e Bardhë kanë mbajtur një deklaratë të përbashkët për shtyp. Erdoğan i ka përcjellë falënderimet presidentit Trump dhe ekipit të tij për interesin e treguar ndaj tij dhe delegacionit.
Duke i shprehur Trumpit urimet për fitoren e arritur në zgjedhje, Erdoğan, ka theksuar se në takimin me presidentin Trump kanë diskutuar për situatën aktuale të marrëdhënieve Turqi-SHBA, që bazohet rrënjësisht në të kaluarën dhe e cila ka një qasje në nivel partneriteti strategjik.
Pasi ka vënë në dukje se lidhjet mes Turqisë dhe SHBA-ve janë zhvilluar në bazë të vlerat demokratike dhe interesave të përbashkëta, Erdoğan është shprehur “Mbajtja e marrëdhënieve tona mes nesh të forta krahas interesave tona të përbashkëta është e rëndësishme për paqen dhe stabilitetin global. Në këtë periudhë të trazuar që po kalohet në rajonin tonë ka fituar rëndësi shumë më të madhe se çdo herë bashkëpunimi i afërt që do të tregojnë kryesisht dy vendet”.
“Jemi të vendosur për të rritur edhe më tej dialogun dhe solidarizimin tonë”
Erdoğan, ka theksuar se Turqia me SHBA-në janë në bashkëpunim të afërt brenda institucioneve kyçe si OKB, NATO dhe G20 dhe ka shtuar më tej se, “Në proceset në vijim kryesisht në këto platforma dhe në çdo fushë jemi të vendosur të rritim edhe më tej dialogun dhe solidarizimin tonë. Në të vërtetë, unë besoj se kjo vizitë do të përbëjë një pikë kthese në historinë tonë në këtë drejtim”.
“Në të ardhmen e rajonit tonë nuk ka vend për organizatat terroriste”
Ndër të tjera duke bërë të ditur se janë në të njëjtin mendim për rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushat si ekonomia, tregtia, investime, energji dhe në industrinë e mbrojtjes, Erdoğan, ka vazhduar më tej:
“Paraqet një rëndësi të madhe vendosja e një solidariteti të përbashkët kundër të gjitha organizatave terroriste në rajonin tonë, kryesisht DEASH-it. Jemi të vendosur të luftojmë pa dallim kundër organizatave terroriste që kërcënojnë të ardhmen tonë të përbashkët. Në të ardhmen e rajonit tonë nuk ka vend për organizatat terroriste. Posaçërisht është e papërshtatshme sipas mirëkuptimit global që cilido shtet të marrë në konsideratë organizatën terroriste YPG/PYD. Në të njëjtën mënyrë nuk duhet të lejojmë ata të cilët dëshirojnë të ndryshojnë strukturën etnike dhe besimit në rajon nën pretekstin e aktiviteteve të organizatave terroriste. Herët apo vonë do të humbasin ata që dëshirojnë të kthejnë në mundësi kaosin në Siri, Irak, Jemen dhe Libi. Solidarizimi dhe bashkëpunimi i afërt i dy aleatëve është i mjaftueshëm për të mundur rrjetin vrastar me duar të përgjakura. Ashtu sikundër e kam theksuar edhe më parë do t’i shprehem qartë të nderuarit president në lidhje me pritshmëritë tona në lidhje me çështjen e organizatës terroriste FETO e cila është autori i tentativës për grusht shteti më 15 korrik”.
“E gjejmë me vend qëndrimin pas sulmit të fundit kimik”
Pasi ka theksuar se në takim kanë vlerësuar hapat e përbashkët që mund të hidhen në Siri dhe Irak, presidenti Erdoğan, tha se: “Fitorja e zgjedhjeve nga Trump ka sjellë lindjen e pritshmërive të reja, çeljen e filizave të shpresës në rajonin ku ndodhet Turqia. Ne besojmë se qeveria e re e SHBA-ve nuk do të nxjerrë boshe këto shpresa. E gjejmë goxha me vend qëndrimin pas sulmit të fundit kimik nga regjimi i Asadit në Siri. Shpresojmë se do të vijë vazhdimësia e hapave që do të rikuperojnë gabimet e përjetuara në të kaluarën në çështjen e luftës parimore dhe të vendosur kundër organizatave terroriste”.
Duke theksuar se bashkëpunimi Turqi-SHBA është shumë i rëndësishëm në vendosjen e stabilitetit dhe sigurisë rajonale, Erdoğan, është shprehur se, “Kam besimin se me të nderuarin Trump jemi në një vendosmëri për intensifikimin e takimeve tona dhe për vazhdimësinë në mënyrë të vendosur të bashkëpunimit tonë. Uroj që themelet e hedhura sot për periudhën e re të shërbejnë për të mirën e vendeve tona”.
“Në periudhën më të afërt dëshiroj të shpreh kënaqësinë të pres personalisht presidentin dhe familjen e tij në vendin tim”, tha Erdoğan, duke shprehur falënderimet për ftesën dhe mikpritjen.
Trump: Mbështesim Turqinë në luftën kundër grupeve terroriste
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, në konferencën e përbashkët për media në Shtëpinë e Bardhë pas takimit me presidentin e Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka thënë se mbështesin Turqinë në luftën kundër grupeve terroriste dhe se pret me padurim të bashkëpunojë me homologun turk Erdoğan në arritjen e paqes në Lindjen e Mesme dhe për të luftuar kundër rreziqeve.
Trump ka theksuar se mes SHBA-ve dhe Turqisë ekzistojnë marrëdhënie të thella që datojnë nga e kaluara e largët, si dhe ka shtuar se nuk e harrojnë faktin që ushtarët turq kanë luftuar së bashku me ato amerikanë gjatë Luftës së Koresë dhe se Turqia ka qëndruar kundër ekspansionizmit komunist dhe sovjetik.
“Është legjendar guximi i turqve në luftë”, tha Trump, duke theksuar më tej se edhe sot ekziston rrezik i ri nga terrorizmi, ndaj të cilit do të vazhdojnë të luftojnë së bashku.
“Populli turk në vitet dhe kohët e fundit është përballur me sulme të tmerrshme terroriste. Ne shprehim ngushëllimet tona për viktimat e këtyre sulmeve dhe i ofrojmë mbështetjen tonë popullit turk. Japim mbështetje për Turqinë në luftën kundër grupeve terroriste si PKK dhe DEASH dhe i ofrojmë siguri që të mos u lihet hapësirë e sigurtë grupeve terroriste”, ka deklaruar më tej Trump.
Trump theksoi se pret me padurim të bashkëpunojë me homologun turk në arritjen e paqes në Lindjen e Mesme dhe për të luftuar kundër rreziqeve të përbashkëta.
“Pres me padurim të bashkëpunoj me presidentin Erdoğan në arritjen e paqes dhe sigurisë në Lindjen e Mesme, në luftën kundër rreziqeve të përbashkëta dhe për një të ardhme dinjitoze për tërë njerëzimin”, ka thënë presidenti amerikan Trump.
Ndërkaq, lidhur me bashkëpunimin ekonomik me Turqinë, Trump potencoi se dëshirojnë t’i forcojnë lidhjet ekonomike dhe tregtare mes dy shteteve. Ai shprehu bindjen se marrëdhëniet mes dy vendeve mund të rindërtohen mbi themele ekonomike në një mënyrë që do të ishte në interesin e dy vendeve.
Trump ka shprehur vlerësime për përpjekjet e Turqisë në ndalimin e masakrave tmerruese në Siri, duke shprehur mbështetje për, siç tha, “çdo hap që zvogëlon dhunën në Siri dhe mundëson zgjidhje paqësore”.
Simpatizantët e PYD/PKK-së u lejuan të protestojnë para Shtëpisë së Bardhë
Teksa zhvillohej takimi Erdoğan-Trump, një grup simpatizantësh të PYD/PKK-së protestuan kundër takimit para Shtëpisë së Bardhë duke hedhur slogane në favor të oganizatës terroriste. Ndërkaq, vëmendje tërhoqi sjellja e ashpër e policisë ndaj disa qytetarëve turq që reaguan ndaj grupit të protestuesve.
Simpatizantët e organizatës terroriste mbanin në duar posterë të kreut të organizatës terroriste Abdullah Öcalan.
Nga ana tjetër, një grup qytetarësh turq që po ashtu u mblodhën para Shtëpisë së Bardhë në shenjë mbështetjeje ndaj presidentit Erdoğan reaguan ndaj simpatizantëve të terrorit. Gjatë ndërhyrjes, policia tërhoqi vëmendjen me sjelljen e ashpër ndaj qytetarëve turq dhe përfaqësuesve të mediumeve.
Policia ka trajtuar me ashpërsi kameramanin e AA-së dhe ka kërkuar që qytetarët turq ta braktisin parkun Lafayyete para Shtëpisë së Bardhë, teksa lejoi që simpatizantët e organizatës terroriste të vazhdonin të protestonin në park.
Protesta që u zhvillua nën masa të rrepta policore vazhdoi gjatë kohës së mbajtjes së takimit.aa
Komentet