Dy gra të tjera po akuzojnë kandidatin republikan Donald Trump për ngacmime të padëshiruara seksuale ndaj tyre.
Një pjestare e emisionit televiziv “The Apprentice,” u tha gazetarëve se biznesmeni e puthi dhe e sulmoi në hotelin ku ajo kishte shkuar për të diskutuar një punë të mundshme. Summer Zervos ishte pjestare e emisionit në vitin 2006.
Në një artikull të publikuar sot nga Gazeta Washington Post, Kristin Anderson tha se Trump bëri ngacmime seksuale të padëshiruara ndaj saj në një klub nate në Nju Jork në fillim të viteve 1990.
46 vjeçarja, banore në Kaliforninë e Jugut tha se ajo e shtyhu dhe u ngrit nga një kolltuk ku ishte ulur. Anderson tha se ajo dhe shoqëruesit e saj “u neveritën” nga incidenti, që ajo tha se zgjati më pak se 30 sekonda.
Anderson tha se ishte e rezervuar për të treguar historinë e saj publikisht, por u bind pasi gazeta New York Times dhe revista People Magazine publikua në fillim të javës historinë e një gruaje që ishte sulmuar seksualisht nga Trump.
Trump i mohoi të gjitha akuzat gjatë një mitingu sot në Greensboro të Karolinës së Veriut. “Unë po sulmohem pamëshirshëm me gënjeshtra dhe fyerje,” u tha Trump përkrahësve. “Nuk e kam idenë se kush janë këto gra.” Ai shtoi se akuzat janë “100 përqind të fabrikuara.”
Më parë, kandidati i tij për nënpresident, Mike Pence, premtoi se do të publikoheshin prova që hedhin poshtë pretendimet kundër zotit Trump.
“Para se të përfundojë kjo ditë, do të ketë më shumë prova që do të vënë në pikëpyetje akuzimet e fundit,” tha zoti Pence në një program televiziv sot paradite.
“E di që ka më shumë informacione që do të bëhen publike dhe do të mbështesin pretendimin e tij se të gjitha këto akuza janë kategorikisht fallco”, shtoi Pence.
Në disa intervista televizive sot paradite, Pence fajësoi agjencitë e medias për pretendimet e “pabaza” kundër Trumpit, i cili thotë se akuzuesit e tij janë pjesë e një konspiracioni ndërkombëtar për ta diskredituar atë si udhëheqës të një lëvizje jashtë politikës.
“Makineria e Clintonit është në qendër të kësaj strukture të fuqishme” tha Trumë gjatë një mitingu të enjten në West Palm Beach të Floridas. “Kushdo që sfidon kontrollin e tyre konsiderohet seksist, racist, ksenofob dhe moralisht i deformuar.”
Obama: Shoqëria vlerësohet nga mënyra e trajtimit të grave
Kandidatja demokrate Hillary Clinton nuk kishte mitingje të planifikuara për fushatën sot, por Presidenti Barack Obama bëri fushatë në emër të saj në një tubim në Klivlënt të Ohajos. Obama adresoi polemikat e Trumpit duke iu referuar deklaratave të bëra të enjten nga zonja e pare, Michelle Obama. Pa përmendur emrin e Trumpit, zonja Obama tha se deklaratat e bëra prej tij në lidhje me gratë dhe trupat e tyre ishin “mizore” dhe “të frikshme”.
“Një nga matësit e çdo shoqërie është mënyra sesi trajton gratë”, tha presidenti. “Si i trajton vajzat? A trajtohen ato me respect dhe dinjitet? Dhe në se besoni se jemi më mirë nga ato që kemi dëgjuar, lajmi i mirë është, siç e theksoi edhe dje Michelle, se mund të bëjmë diçka për këtë”, tha presidenti.
Trump, ndërkohë ka kundërshtuar me forcë akuzat e bëra nga gratë në gazetat The New York Times, The Palm Beach Post, dhe revistën People Magazine se i ka sulmuar seksualisht ato. Në një miting në Florida, Trump i cilësoi historitë si “totalisht dhe absolutisht fallco”.
Trump kërkoi që Gazeta të tërhiqte artikullin dhe kërcënoi se do të ndërmerrte veprime ligjore. Një avokat i gazetës tha se New York Times i qëndron besnik artikullit dhe mirëpret shansin për ta takuar zotin Trump në gjyq.
Komentet