ANKARA – Drejtori i Policisë së Stambollit Mustafa Çalışkan shpalosi informacione para Komisionit hetimor të Kuvendit i themeluar për hetimin e tentativës së grusht shtetit më 15 korrik nga FETO, si dhe ndikimin e puçeve dhe grupimeve klandestine mbi politikën
Çalışkan tregoi se mbrëmjen grusht shtetit më 15 korrik kanë qenë në përgatitje të një operacioni të rëndësishëm kundër DEASH-it, ndërkohë që zv/drejtori i policisë e kishte telefonuar dhe i kishte thënë se “është telefonuar nga një zyrtar ushtarak dhe se është shpallur shtetrrethim”.
Siç tha Çalışkan, atë quanin “mbase i çmendur” për shkak se nuk i përmbahej rrjedhës së zakonshme të jetës. “Megjithatë, drejtori përgjegjës për urën më telefonoi më vonë dhe më tha se 30-40 ushtarë po përpiqen t’i çarmatosin policët. Nuk na shkoi mendja te puçi, por e dinim natyrisht që kjo nuk ishte një gjë normale”, vazhdoi Çalışkan.
Pasi shkoi te ura, siç tha Çalışkan, ai ka parë se ajo qe mbyllur.
“Deshëm të afrohemi. Ata hapën zjarr në ajër. Erdh komandanti ynë dhe prefekti. Mendoja që fillimisht mund t’i bindim ose të përleshemi me këta e ta hapim urën. Ndërsa po i merrnim të gjitha këto vendime, dëgjuam se tanket ishin pozicionuar në vende të ndryshme. Intervenimin në urë e lamë në pritje. Kur tanket u aktivizuan, atëherë e kuptova se nuk po ndodhte diç normale”, tregon ai.
Rreth orës 10:30 përmes radio-komunikimit bëra lajmërimin që ‘Assesi nuk do t’i dorëzojmë armët dhe nuk do të ndahemi nga vendet ku jemi’. Pas atij lajmërimi, forma e ngjarjeve ndryshoi. Thashë që ‘Së bashku me qytetarët nuk do ta dëmtonim palën përballë nesh dhe t’ua bënim me dije se edhe ata janë bijtë e këtij atdheu’. Kjo ishte vështirësia më e madhe. Nuk kishte lëkundje te asnjëri nga ndihmësit e mi. Kam 40 ndihmës. Po të lëkundej vetëm njëri, fuqia do të na reduktohej për 25 përqind”.
Çalışkan vazhdoi të rrefejë se si së bashku me qytetarët kishin filluar të ecnin drejt urës. “U thash që ta mbrojnë Drejtorinë Policore, kështu që u formuan dy rreshta. Njerëzit u rreshtuan para një njeriu që nuk e njihnin. Më pas unë u thash që të hapeshin se ne të paktën kishim jelekë anti-plumb, mirëpo asnjëri nuk u hap”, vazhdoi më tej Çalışkan, duke shtuar se ato çaste dëshmor ka rënë roja e afërt e tij polici Münir Alkan, ndërkohë që një roje tjetër ishte plagosur rëndë, kurse një sekretar privat më lehtë.
Ai tregoi se si atë natë kishin bërë lajmërime me megafon, për t’i mbrojtur qytetarët, njashtu edhe për t’i bindur puçistët, dhe se si kohë pas kohe kanë hapur zjarr ndaj puçistëve. “Kudo që hapnim zjarr, ata gjuanin me tanke. U bënë katër gjuajtje me tank, edhe atë drejtpërdrejt në vendin ku kishte njerëz. Njëri nga tanket kaloi përtej një automjeti policor për shpërndarjen e turmave dhe copëtoi 3-4 qytetarë”, tha ai.
Madje, siç tha Çalışkan, u kishte ardhur ndërmend t’i merrnin tanket nga ushtarët. Për këtë, ai e kishte informuar edhe nëngjeneralin Yavuz Türkgenci, major gjeneralin e atëhershëm dhe njëherësh kryetar i Divizionit të Planeve dhe Politikave pranë Shtatmadhorisë Turke, i cili mbrëmjen e puçit bashkëvepronte me policët. Më pas, rrëfeu Çalışkan, kishin ardhur në përfundim se kjo gjë mund të kthehej në katastrofë duke patur parasysh se qytetarët nuk dinë t’i drejtojnë tanket.
Çalışkan potencoi se Türkgenci atë natë ka kryer shërbime të mëdha dhe u ka ndihmuar shumë atyre. “Veçanërisht në mëngjes pas orës 4:00-5:00 kishin dobi të madhe nga ai. Mobilizoi shumë njerëz dhe ishte së bashku me ne në shumë vende dhe përleshje. Madje, një kolonel që vepronte nën urdhërin e tij ra dëshmor, ndërsa një tjetër kolonel u plagos rëndë. Nga ai pamë dobi të madhe edhe në shumë vende të tjera. Ai është hero. Dha kontribute të shumta”, u shpreh Çalışkan.
“Në 26 pika të ndryshme në Stamboll kishte përpjekje kundër puçistëve”
“Bëmë një punë pa marrë lejen e kryetarit të shtetit, megjithatë, bëmë diç të duhur. Rreth orës 11:00-12:00 një zëvendës drejtor i policisë publikoi një mesazh. Ai mesazh i ftonte qytetarëve. Një zëvendës drejtor i policisë zhvilloi bisedë me Muftininë rreth thirrjeve nga xhamitë. Muftiu tha se kjo është e mundur me udhëzim nga Presidenca e Çështjeve Fetare. U realizua kontakt edhe me të”, tha Çalışkan, për bërë të ditur më tej se për t’i ndaluar tanket kishin përdorur të gjitha automjetet e mundshme, duke filluar nga metrobusët e deri të automjetet e rënda.
Çalışkan tha se mbrëmjen e tentativës për puç përpjekje kundër puçistëve kishte në 26 pika të ndryshme në Stamboll. Ai bëri të ditur se gjatë kësaj periudhe dëshmorë kanë rënë 99 persona, gjashtë prej të cilëve nga policia. Po ashtu, një nënkolonel puçist i cili ka ardhur me tank në drejtorinë policore te Rruga Vatan ishte kapur dhe nga telefoni i tij ishte gjetur grupi në Whatsapp ku kishin komunikuar 104 persona. Siç u shpreh Çalışkan, kjo gjë u kishte sjellë dobi të madhe.
Ai më tej potencoi se Drejtoria Policore e Stambollit ishte sjellur me kujdes të madh gjatë tentativës për puç. “Domethënë, përballë nesh kishim persona që i shihnim si armiq, persona që hapnin zjarr mbi ne dhe që na fyenin rëndë. Megjithëkëtë, policia nuk u kundërpërgjigj ndaj këtyre në asnjë mënyrë. Kur ushtarët u arrestuan, 99 përqind, mund të them edhe 100 përqind, asnjëri nuk u keqtrajtua”, deklaroi Çalışkan.
Ai rrëfeu se një gjeneral brigade puçist ishte dërguar personalisht nga vetë me makinë të blinduar në polici pa u treguar qytetarëve. Madje, ai tha se ia kishte tërhequr vërejtjen një polici i cili kishte filluar ta fyente një oficer puçist. “Asnjërin nuk do ta fyejmë dhe ofendojmë. Nuk do të bëjmë asgjë negative. Mbase këta meritojnë çdo gjë, megjithatë, kjo nuk është detyra jonë”, kishte thënë atë çast Çalışkan.
“Zoti të mos e sprovojë atdheun tonë në këtë mënyrë sërish”
Çalışkan më tej tha se presidenti Recep Tayyip Erdoğan e kishte telefonuar personalisht dhe e kishte pyetur se për sa kohë mund ta zbrazë kullën e aeroportit. I kapluar nga emocionet, vazhdoi Çalışkan, ishte përgjigjur se një gjë të tillë mund ta bënte brenda 10-15 minutave.
“Po të më pyeste tani, do t’i thoja një orë. Besoni, në mënyrë shumë interesante kjo gjë me të vërtetë u realizua brenda 10-15 minutave. Zoti nuk na turpëroi dhe forcat speciale morën kullën. Ia kthyem përgjigjen presidentit dhe i thamë se ‘Kulla është marrë’, me çka ai realizoi zbritjen”, rrëfeu Çalışkan.
Atë natë, siç tregoi Çalışkan, policët e Drejtorisë Policore të Stambollit zbatuan detyrën pa asnjë justifikim. “Ishte ditë e vështirë. Zoti të mos e sprovojë atdheun tonë në këtë mënyrë sërish”, tha ai.
“Policët e njohin më së miri strukturën e quajtur FETO”
Çalışkan tha se ata që e njohin më së mirë strukturën e quajtur FETO janë policët. Më tej, ai vazhdoi me shpalosjen e të dhënave:
“Çdo kush në intitucionin policor di çdo gjë për këta. Dikush mund t’i dojë, dikush të mos i dojë e dikush të jetë kundër, por secili di çdo gjë për ta. Ai që lexon dhe hulumton qoftë pak dhe përcjell zhvillimet nuk e ka të vështirë të krijojë lidhje mes tentativës për grusht shteti dhe kësaj strukture, madje edhe pa parë diçka konkrete. Kur tanket dhe ushtarët, në mendje qartazi m’u shfaq mendimi se 90 përqind e këtyre qëndrojnë pas kësaj pune. Një refleks dhe parashikim për një ndodhi të tillë e kishim të gjithë. Jo se mendonim se do të bënin puç, megjithatë, edhe ata vetë kishin thënë dhe kishin aluduar se do të bënin ndonjë marrëzi, shkruanin opinione në gazeta dhe jepnin mesazhe të çuditshme”.
“Mbrëmjen e 15 korrikut nuk kemi patur asnjë informacion konkret”
I pyetur nëse kanë patur ndonjë informacion para 15 korrikut si paralajmërim se mund të ndodhë grusht shteti, Çalışkan u përgjigj se “Mbrëmjen e 15 korrikut nuk kishim asnjë informacion konkret, deri sa na u tha se mbi urë ka ushtarë”.
“Ushtarët kishin shumë besim në vete. Ata kishin marrë urdhër të qartë. Atyre qe thënë diç si ‘Jini të pamëshirshëm. Kjo punë mbaron brenda një ose dy orëve. Përballë jush nuk mund të dalë as polic e as qytetar’. Për këtë arsye edhe ishin shumë të vendosur dhe të pamëshirshëm. Kishin vetëbesim të skajshëm”, u shpreh Çalışkan.
“Kjo organizatë nuk është organizatë e thjeshtë”
“Organizata përballë nesh vërtetë është organizatë shumë e madhe. Organizata përballë nesh është organizatë me mbështetje dhe kapacitet veprimi ndërkombëtarisht dhe e cila ka përdorur me shkathtësi pikat e ndishme në Turqi. Ata kanë arritur t’i helmojnë njerëzit në atë mënyrë, sa t’i detyrojnë të hapin zjarr ndaj bashkëqytetarëve të tyre. Kjo organizatë nuk është organizatë e thjeshtë. Kjo organizatë është më e madhe sesa që kemi menduar”, tha Mustafa Çalışkan.
Duke potencuar se hetimet në lidhje me FETO-n po vazhdojnë 99 përqind në mënyrë të saktë, Çalışkan vuri në dukje se mund të ketë 1 përqind gabime.
“Duhet të lirohemi nga shprehjet ‘polic idealist’ (Ulkücü, doktrinë nacionaliste në Turqi) ose ‘polic gylenist’. Do të kemi një lloj polici, e ai do të jetë polici i shtetit”, vazhdoi Çalışkan, duke u shprehur tutje se njerëzit që e duan shtetin dhe i respektojnë ligjet e vazhdojnë luftën e tyre kundër kësaj strukture të quajtur FETO.
“Çështja se si janë rritur me kafshatën e këtij shteti dhe më pas janë shndërruar në përbindësh pas marrjes së disa njohurive fetare është temë më vete për doktoratë. Kjo nuk është gjë që kuptohet. Kanë ktyher të birin kundër të atit, kanë shpërndarë familje dhe popullin. Madje, kanë krijuar edhe fe paralele”, konsideroi Çalışkan.
Ai tha se vendi ku struktura e FETO-s ka është vendosur më së shumti dhe e ka dalluar është policia. Për këtë arsye, siç tha ai, problemet më të mëdha janë përjetuar mu në polici.
Duke folur edhe për shkarkimet në polici, Çalışkan tha se “Nëse në vendin tim do të ishte ndonjë person tjetër, po të mos kishte shkarkime, apo po të mos kishte intervenim më 17-25 dhjetor, e them me keqardhje se do të duhej t’i bindeshim. Nuk e di se kush do të mund të bëhej drejtor i Policisë së Stambollit, por po të ishte njeri i kësaj strukture, atëherë ai do të na thoshte: ‘Shokë uluni, ne nuk duhet të dalim përballë ushtarëve. Ata janë ushtarë turq. Rrini aty ku jeni’, dhe në këtë mënyrë dëmet do të ishin dy-trefish më të mëdha”.
Çalışkan tregoi se struktura e quajtur FETO në të kaluarën i kishte hapur shumë probleme dhe e kishte munduar. Ai rrëfeu se ishte dënuar katër vite në Gjykatën e Krimeve të Rënda për shkak të akuzës së hapur nga ish-prokurori Mehmet Berk dhe në këtë mënyrë nuk ka mundur të gradohet në pozitë. Siç theksoi, të gjithë gjykatësit dhe prokurorët që e kishin gjykuar në të kaluarën sot gjenden ose në burg, ose janë arratisur.
“Çështja e snajperit në urë, legjendë e qytetit”
“Nëse puçin e 15 korrikut e lidhni vetëm me ushtarët, atëherë gaboni. Ushtria ishte vetëm një dimension i kësaj pune. Kemi të bëjmë me një organizatë shumë të madhe. Kemi të bëjmë me një organizatë që me financat, arsimin dhe marrëdhëniet ndërkombëtare aktualisht përpiqet të krijojë një diasporë armike në shumë vende të botës dhe që ka mbështetjen e shumë shteteve”, theksoi Çalışkan.
Ndërkaq, në lidhje me pretendimet për praninë e një snajperisti në Urën e Bosforit, ai tha se “Çështja e snajperit është legjendë e qytetit. Aty nuk kishte snajper. Ajo që valëvitej mbi urë nuk ishte snajper. Kjo organizatë ka dëmtuar çdo gjë tonën, madje edhe shërbimin informativ. Na kanë dëmtuar shumë në aspektin e shërbimit informativ. Është e qartë se kanë marrë shumë përgjime në mënyrë të paturshme”.
Çalışkan tha se nuk ka parë asnjë listë të përgatitur nga puçistët për ekzekutim siç pretendohet, dhe se nuk e di nëse lista të tilla ka në qytetet e tjera.
Po ashtu, në komision mori pjesë edhe antipuçisti Sabri Ünal i cili mbrëmjen e tentativës mbi të kaluan dy tanke, duke mbajtur një fjalim të shkurtër. Ünal tha se komisioni është i rëndësishëm sa i përket punës së saktë, arritjes së rezultateve dhe përmbushjes së pritjeve të qytetarëve për zbardhjen e fajtorëve që qëndrojnë prapa grusht shtetit. aa
Komentet