Drejtori i FBI-së, Christopher Wray paralajmëroi ligjvënësit se Rusia nuk po heq dorë nga përpjekjet për të ndikuar tek rezultati i zgjedhjeve të nëntorit, duke u munduar të dëmtojë shanset e fushatës së kandidatit demokrat, ish-nënpresidentit Joe Biden, një përfundim që duket se nuk po i shkon për shtat Presidentit Donald Trump.
Zoti Wray, duke dëshmuar para Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Sigurinë Kombëtare i përshkroi operacionet e Kremlinit për ndikim si “shumë, shumë aktive” në mediat sociale, në mediat shtetërore dhe organe të tjera të lidhura me të.
Ai tha se synimi i këtyre operacioneve është “kryesisht të denigrojnë ish-nënpresidentin Biden dhe atë që rusët e shohin si strukturë anti-ruse”.
Ishte hera e parë që zoti Wray paralajmëronte publikisht për intensifikimin e operacioneve ruse, që kur fushata presidenciale hyri në fazën e saj të fundit. Paralajmërimi i tij përputhej gjithashtu me vlerësimin e zyrtarit më të lartë amerikan të kundërzbulimit, William Evanina në gusht.
Zoti Evanina, kishte paralajmëruar gjithashtu se aktorë të lidhur me Rusinë, po “përpiqeshin të rrisnin shanset” për kandidaturën e zotit Trump, diçka që zoti Wray nuk e pohoi, kur u pyet për ndërhyrjen ruse.
Presidenti Trump reagoi të enjten duke iu drejtuar drejtorit të FBI-së me emër.
“Por Chris nuk po sheh aktivitet nga Kina, megjithëse është rrezik SHUMË më i madh sesa Rusia, Rusia, Rusia. Të dyja ato, plus të tjerë do të jenë në gjendje të ndërhyjnë në zgjedhjet e 2020-ës, me votimin tonë të ekspozuar me manipulimin e fletëve të votimit”, shkruante ai në Twitter.
Megjithë akuzat e presidentit për problemet e votimit me postë, që ai i ka përsëritur shpesh, drejtori i FBI-së u tha ligjvënësve se shqetësime të tilla ishin pa bazë.
“Nuk kemi parë ndonjëherë deri tani në zgjedhje kombëtare një përpjekje të koordinuar për mashtrim me votimin”, tha zoti Wray, duke u bërë jehonë garancive të dhëna nga zyrtarë të lartë amerikanë të rendit dhe zbulimit, të cilët folën me gazetarët muajin e kaluar.
Drejtori i FBI-së tha se është më i shqetësuar për valën e keqinformimeve nga Rusia dhe të tjerë, që kanë në shënjestër votuesit amerikanë.
“Shqetësimi im më i madh është breshëria e keqinformimit dhe amplifikimi i ndërhyrjeve më të vogla kibernetike. Druhem se me kalimin e kohës këto do të kontribuojnë tek gërryerja e besimit e votuesve amerikanë”, tha zoti Wray.
“Një përshtypje e tillë do të ishte perceptim, jo realitet. Mendoj se amerikanët mundet dhe duhet të kenë besim tek sistemi ynë i zgjedhjeve dhe tek demokracia jonë”, shtoi ai. zëri i amerikës
Komentet