Voal – Ministria e të Punëve Jashtme të Greqisë i ka kërkuar dorëheqjen arkitektit të marrëveshjes për kufirin detar me Shqipërinë, Dimitrios Paraskevopoulos, njëkohësisht përgjegjës për çështjet dypalëshe mes Greqisë dhe Shqipërisë. Një burim nga diplomacia greke i tha Top-Channel se, dorëheqja i është kërkuar edhe numrit dy të kësaj drejtorie, zotit Spineli.
Këto lëvizje vijnë dy ditë pasi ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Kotzias foli për disa ndryshime në stafin diplomatik helen, një ndër të cilat ka shkaktuar polemika edhe në seancën e fundit të Parlamentit grek. Bëhet fjalë për Aleksandra Papadhopoulou, e cila mban postin e ambasadores së Greqisë në BE. Këto zhvillime i vuri në dukje në seancën e Parlamentit edhe Dora Bakojanis, që ndër të tjera shfrytëzoi rastin për të kritikuar politikën e jashtme të qeverisë dhe në mënyrë të veçantë takimin midis Tsipras dhe kryeministrit shqiptar Rama në Nju Jork.
Kritikat e Bakojanis ishin për mungesën e një vizioni në politikën e jashtme të Greqisë, që sipas saj po dëmtohet për shkak të organizimit të brendshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme nga Kotzias. Ndërsa kryeministrin Tsipras ajo e kritikoi pasi homologut Rama duhet t’i kishte kërkuar zgjidhjen e problemeve që lidhen me marrëveshjen e detit.
Zonja Bakojanis, ish-ministre e Jashtme dhe firmëtare e marrëveshjes me Shqipërinë, deklaroi se ky takim nuk ishte aspak i frytshëm. Deklaratat e zonjës Bakojanis lënë të kuptohet se takimi i parë i dy kryeministrave Tsipras dhe Rama në Nju Jork nuk i avancoi përpjekjet në zgjidhjen e një sërë problemesh mes dy vendeve tona fqinje./ TCH
Komentet