Një diplomat veteran amerikan dëshmon sot para ligjvënësve në Dhomën e Përfaqësuesve që po heton nëse Presidenti Donald Trump kushtëzoi asistencën për Ukrainën me çeljen e një hetimi ndaj ish-Nënpresidentit Joe Biden dhe djalit të tij.
William Taylor, zyrtari më i lartë në ambasadën amerikane në Ukrainë, dëshmon sot në një seancë me dyer të mbyllura, ku do të pyetet për një seri mesazhesh të shkëmbyera me zyrtarë të tjerë ku shprehte shqetësimin për veprimet e Shtëpisë së Bardhë. Zoti Taylor shkruajti se ishte “çmenduri të pezullohej asistenca për sigurinë në këmbim të ndihmës për një fushatë politike”.
Zv.Ndihmës Sekretarja e Mbrojtjes Laura Cooper, e cila ka mbuluar politikat për Rusinë dhe Ukrainën në Pentagon, pritet të dëshmojë të mërkurën.
Hetimi i udhëhequr nga demokratët filloi kur një informator nga radhët e shërbimeve të zbulimit i shprehu shqetësimin inspektorit të përgjithshëm për telefonatën e 25 korrikut mes Presidentit Trump dhe Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy, ku duket se i bën thirrje zotit Zelenskiy për të hapur një hetim ndaj ish-nënpresidentit, i cili po konkuron tashmë për të marrë emërimin e demokratëve për zgjedhjet e vitit 2020.
Presidenti Trump ka aluduar se ishte zoti Biden që kërcënoi të tërhiqte garancitë për borxhin ukrainas, në rast se nuk ndalej një hetim i filluar ndaj kompanisë së gazit që kishte punësuar djalin e tij Hunter.
Nuk ka dalë asnjë evidencë shkeljesh nga Joe Biden apo Hunter Biden. Por, ti kërkosh një qeverie të huaj të rrëmojë për një rival politik, konsiderohet ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale dhe është një shkelje ligjore që mund të sjellë shkarkimin e presidentit.
Presidenti Trump ka këmbëngulur se nuk pati “quid pro quo” gjatë telefonatës së tij me Presidentin Zelenskiy, duke shtuar se biseda ishte “perfekte” dhe duke akuzuar demokratët për gjueti shtrigash.
Por, ky qëndrim u rrëzua javën e kaluar nga Mick Mulvaney, shefi i personelit i Presidentit Trump. Zoti Mulvaney pranoi para gazetarëve se Presidenti Trump ngriu 400 milionë dollarë ndihma për Kievin për shkak të shqetësimeve të presidentit për korrupsionin në Ukrainë dhe dyshimeve se ky vend ishte përfshirë në ndërhyrjen kompjuterike ruse tek email-et e Komitetit Kombëtar Demokrat në vitin 2016.
Zoti Mulvaney tha në mënyrë sfiduese se do të ketë gjithnjë influencë të politikës tek politika e jashtme dhe se njerëzit duhet “të mësohen me këtë”. Më vonë, ai qarkulloi një deklaratë ku përpiqej të qartësonte komentet e tij.
Pasi Presidenti Trump u bëri thirrje të hënën ligjvënësve republikanë që “të ashpërsohen dhe të luftojnë” hetimin, ata duket se reaguan duke propozuar një rezolutë që vendoste kufizime ndaj Ligjvënësit demokrat Adam Schiff, i cili drejton hetimin në cilësinë e kreut të Komisionit të Zbulimit. Rezoluta u hodh poshtë me 218 vota kundër dhe 185 pro. zëri i amerikës
Komentet