UASHINGTON – Dhoma e Përfaqësuesve me shumicë republikane miratoi të hënën një paketë rregullash të brendshme që u japin ligjvënësve të djathtë të linjës së ashpër më shumë ndikim ndaj kryetarit republikan të sapozgjedhur, Kevin McCarthy.
Ligjvënësit votuan për legjislacionin 220 me 213, me vetëm një ligjvënës republikan që votoi kundër. Të gjithë 212 ligjvënësit demokratë votuan kundër paketës së rregullave të reja, duke thënë se ishte plot me lëshime ndaj krahut të djathtë të Partisë Republikane.
Paketa e rregullave, që do të qeverisin veprimtarinë e Dhomës së Përfaqësuesve gjatë dy viteve në vazhdim, përfaqësoi një sprovë të hershme ndaj aftësisë së zotit McCarthy për të mbajtur të bashkuar grupin e ligjvënësve të partisë së tij, pasi iu desh të kalonte 14 raunde votimi për shkak të kundërshtive të 20 ligjvënësve të linjës së ashpër, përpara se të mund të zgjidhej kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve.
Legjislacioni i ri përfshin lëshimet kryesore që kërkoheshin nga përfaqësuesit e linjës së ashpër dhe për të cilat kishte rënë dakort zoti McCarthy gjatë përpjekjeve për t’u bërë kryetar. Ndryshimet mundësojnë p.sh. që një ligjvënës i vetëm të bëjë thirrje për heqjen e kryetarit në çdo kohë. Ndryshime të tjera vendosin kufizime për shpenzimet federale, duke e kufizuar ndoshta edhe mundësinë e vetë zotit McCarthy për të negociuar paketat e financimit të qeverisë me Presidentin Joe Biden, partia e të cilit ka shumicën në Senat.
Demokratët e dënuan legjislacionin në fjalë si një paketë rregullash për “ekstremistët e MAGA-s” (lëvizja e ish-Presidentit Trump), që do të favorizonte korporatat e mëdha përkundër punëtorëve, do të dëmtonte standartet e etikës së legjislativit dhe do të çonte drejt kufizimeve të mëtejshme ndaj abortit. “Këto rregulla nuk janë një përpjekje serioze për të qeverisur. Janë në thelb, një mesazh pengmarrjeje për Amerikën nga e djathta ekstreme”, tha Ligjvënësi Jim McGovern.
Republikanët kanë një shumicë të ngushtë, 222 me 212, në Dhomën e Përfaqësuesve, pasi fituan më pak vende se ç’pritej në zgjedhjet e mesmandatit që u mbajtën në nëntor. Kjo ka nxjerrë më në pah fuqinë e përfaqësuesve të linjës së ashpër dhe ka ngritur pikëpyetje se si do të funksionojë Kongresi i përçarë.
Ligjvënësit përballen me detyra jetike gjatë vitit në vazhdim, përfshirë çështjen e kufirit të borxhit të qeverisë federale prej 31.4 trilionë dollarësh. Nëse nuk arrijnë të merren me këtë çështje, ose qoftë edhe nëse krijohet një ngërç i zgjatur, kjo do të trondiste ekonominë globale.
Ndër ndryshimet e tjera është vendosja e një periudhe pritjeje prej 72-orësh nga momenti kur paraqitet një projekt-ligj dhe deri në momentin kur mund të hidhet për votim; vendosja e një tavani për shpenzimet qeveritare sipas niveleve të vitit 2022; si dhe krijimi i një komisioni për të hetuar Departamentin e Drejtësisë.
Komentet