Në Dhomën e Përfaqësuesve u zhvillua dëshmia publike e Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Bashkimin Evropian, Gordon Sondland. Ai është deri më sot dëshmitari i profilit më të lartë që shfaqet në Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa zhvillohen dëgjesat publike në kuadër të hetimeve që mund të çojnë në proces për shkarkimin e mundshëm të Presidentit Donald Trump. Gjatë deklaratës së tij, ai u shpreh se nuk kishte qenë dakord që në marrëdhëniet me Ukrainën ishte përfshirë Rudy Giuliani, avokati personal i Presidentit Trump. Pohimi më i rëndësishëm që zoti Sondland bëri sot është se vërtet Rudy Giuliani i vuri si parakushte Ukrainës hetimin e zgjedhjeve të 2016-tës, të serverit të Partisë Demokrate dhe të kompanisë energjitike “Burisma”.
Dëshmia e Ambasadorit amerikan në BE, Gordon Sondland, u prit me vëmendje maksimale nga ligjvënësit dhe mediat amerikane. Zyrtari i profilit të lartë, një manjat i biznesit të hotelerisë, i pat dhuruar 1 milion dollarë komitetit organizator për inaugurimin e Presidentit Trump në vitin 2017. Në mars 2018, Presidenti Trump e emëroi atë ambasador në Bashkimin Evropian. Tashmë, ai e gjen veten në epiqendër të zhvillimeve politike për shkak të angazhimit të tij, nga Brukseli, me çështjet e Ukrainës.
“Këtë mëngjes do të dëgjojmë dëshminë e Gordon Sondland, ambasadori amerikan në Bashkimin Evropian. Jemi në vazhdën e një procesi hetimor të Dhomës së Përfaqësuesve, pasi Presidenti Donald Trump u përpoq të kushtëzonte asistencën ushtarake ndaj Ukrainës dhe një takim në Zyrën Ovale me Presidentin e ri të Ukrainës Volodymyr Zelenskiy, me hapjen e hetimeve të motivuara politikisht që Trump besonte se do të ndihmonin fushatën e rizgjedhjes së tij”, tha Adam Schiff, kryetar i Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve.
Zoti Sondland pohoi se në mungesë të materialeve që mund t’i kishte ofruar Departamenti i Shtetit, kujtesa e tij mund të mos ketë qenë aq e saktë gjatë deponimit. Sidoqoftë, ai konfirmoi për ligjvënësit se përfshirja e zotit Giuliani ishte urdhëruar nga Presidenti Trump.
“Sekretari Perry, ambasadori Volker dhe unë punuam me zotin Rudy Giuliani për çështjet e Ukrainës, bazuar në udhëzimin e drejtpërdrejtë të Presidentit të Shteteve të Bashkuara. Ne nuk kishim dëshirë të punonim me zotin Giuliani. E thënë më thjesht, na duhej të luanim me kartat që na u dhanë”, deklaroi Gordon Sondland, ambasadori amerikan në Bashkimin Evropian.
Zoti Sondland tha se u kuptua nga të gjithë se nëse do të kishin refuzuar bashkëpunimin me zotin Giuliani, atëherë do të kishin humbur një mundësi shumë të rëndësishme për të forcuar marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Ukrainën.
“Megjithëse nuk ishim dakort me nevojën e përfshirjes së zotit Giuliani, në atë kohë nuk mendonim se përfshirja e tij ishte e papërshtatshme… Nëse do të kisha ditur për gjithë aferat e zotit Giuliani, apo partnerët e tij, një pjesë e të cilëve janë tashmë duke u hetuar penalisht, unë personalisht nuk do të kisha rënë dakord për pjesëmarrjen e tij. Nga sa dinim në atë kohë, ajo çfarë na kërkohej të bënim, nuk dukej se ishte e gabuar”, shtoi zoti Sondland.
Zoti Sondland tha se Këshilli i Sigurisë Kombëtare dhe udhëheqja e lartë e Departamentit të Shtetit ishin të mirinformuar për kontaktet me Ukrainën deri kur u lëvrua asistenca për Ukrainën në muajin shtator, si dhe hodhi poshtë sugjerimet se mund të jetë vepruar në mënyra të parregullta jodiplomatike. Megjithatë, ai konfirmoi se Rudy Giuliani i vendosi kushte Ukrainës.
“Kërkesat e zotit Giuliani ishin një quid pro quo (shkëmbim favoresh/parakusht) për të siguruar një takim në Shtëpinë e Bardhë për zotin Zelenskiy. Zoti Giuliani kërkoi që Ukraina të bënte një deklaratë publike ku të njoftonte hetime për zgjedhjet e 2016-tës, për serverin e Partisë Demokrate, dhe për kompaninë ‘Burisma’”, deklaroi zoti Sondland.
Ndërsa vazhduan pyetje-përgjigjet me ligjvënësit, pas paradites së dedikuar dëshmisë së zotit Sondland, pasdite pritet të dëshmojnë edhe Zv/Ndihmës Sekretarja e Mbrojtjes Laura Cooper dhe NënSekretari i Shtetit David Hale.
Laura Cooper
Laura Cooper është zyrtare e karrierës në Pentagon dhe mbulon sektorin e politikave për Rusinë, Ukrainën dhe vendet e tjera të atij rajoni. Ajo filloi punë në Departamentin e Mbrojtjes në vitin 2001. Ajo pati disa funksione përpara se të emërohej Zv. Sekretare e Mbrojtjes për Rusinë, Ukrainën dhe Euroazinë. Ajo u takua në këtë kapacitet me zotin Volker në fund të muajit gusht për të diskutuar rreth asistencës së ngrirë për Ukrainën. Ajo u informua nga zoti Volker se asistenca mund të jepej nëse Ukraina do të publikonte një deklaratë ku do të dënonte ndërhyrjen në zgjedhje dhe ku të zotohej se do të hetonte çdo person të përfshirë në këtë ndërhyrje. Zonja Cooper u tha hetuesve në Kongres se ajo dhe të tjerë zyrtarë patën shprehur shqetësimin për ligjshmërinë e pezullimit të fondeve të autorizuara nga Kongresi për Ukrainën.
David Hale
Si Nënsekretar Shteti për Çështjet Politike, David Hale, është zyrtari i tretë më i lartë i Departamentit të Shtetit, një pozicion që Presidenti Trump ia dha në vitin 2018. I diplomuar në Shkollën e Shërbimit të Jashtëm të Universitetit Georgetown, zoti Hale u bë anëtar i Shërbimit të Jashtëm në vitin 1984 dhe tashmë mban gradën diplomatike ambasador. Në fillim të muajit mars, ai udhëtoi drejt Ukrainës, ku i kërkoi ambasadores të atëhershme amerikane Marie Yovanovich, të zgjaste mandatin e saj me një vit dhe të qëndronte në atë vend gjatë gjithë 2020-tës. Më vonë, Rudy Giuliani, si personi kryesor për Ukrainën i caktuar nga Presidenti Trump, filloi një fushatë njollosjeje për të larguar ambasadoren Yovanovich, si dhe udhëzoi Ndihmës Sekretarin e Shtetit George Kent që “të ulte kokën”. Zoti Hale dëshmoi më herët këtë muaj, me dyer të mbyllura, për menaxhimin nga Departamenti i Shtetit të tërheqjes nga Ukraina të ambasadores.
Vetëm një ditë më parë në Dhomën e Përfaqësuesve u dëgjuan dëshmitë e katër zyrtarëve të lartë, tre prej të cilëve kishin dëgjuar telefonatën e 25 korrikut mes Presidentit Trump dhe Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy, gjatë së cilës i kërkoi hetimin e kandidatit demokrat për president Joe Biden.
Kolonel Lietnant Alexander Vindman, eksperti kryesor për Ukrainën në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, tha të martën se telefonata e Presidentit Trump ishte “e papërshtatshme” dhe “e pavend”. Ai tha se “sinqerisht nuk më besohej çfarë po dëgjoja. Ndoshta ishte edhe një element shokimi, në njëfarë mënyre, që frika ime më e madhe për drejtimin që mund të merrte politika jonë Ukrainën, realisht po ndodhte“. Zoti Vindman tha se kërkesa për të hetuar zotin Biden “nuk kishte asnjë lidhje me interesat e sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara” dhe se nuk kishte qenë pjesë e tezave të bisedimit që ishin përgatitur për Presidentin Trump.
Jennifer Williams, këshilltare për politikën e jashtme e Nënpresidentit Mike Pence, dëshmoi të martën se edhe ajo e dëgjoi telefonatën dhe se kërkesa e Presidentit Trump për hetimin e zotit Biden ishte “e pazakontë”, pasi bëhej fjalë “për një çështje të politikës së brendshme” dhe jo të politikës së jashtme. Zonja Williams tha se në karrierën e saj 14-vjeçare si anëtare e shërbimit të jashtëm kishte dëgjuar shumë telefonata presidentësh, por asgjë të ngjashme me atë çfarë kërkonte Presidenti Trump.
Ambasadori Kurt Volker, ish-i dërguari i posaçëm amerikan në Ukrainë, pati thënë fillimisht në seancat me dyer të mbyllura se nuk shikonte një lidhje mes presionit nga Presidenti Trump ndaj Ukrainës për të hetuar zotin Biden dhe pezullimit nga Presidenti Trump i gati 400 milionë dollarëve në asistencë për Ukrainën. Por, gjatë dëshmisë publike të martën, zoti Volker tha se pasi dëgjoi dëshmitarët e tjerë dhe pasi lexoi transkriptin e telefonatës së 25 korrikut, ai tashmë beson se pati një lidhje. Ai tha se po t’i kishte parë gjërat ndryshe më herët, do të kishte paraqitur kundërshtimin e tij. Zoti Volker tha gjithashtu se nuk pati kuptuar se kur Shtëpia e Bardhë pati kërkuar hetimin e kompanisë ukrainase të gazit “Burisma”, ajo çfarë nënkuptohej ishte hetimi i Hunter Biden-it, i cili ishte anëtar bordi i kompanisë.
Tim Morrison, ish-drejtor për çështjet evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, dëshmoi të martën se nuk pati dëgjuar asgjë që mund ta quante të paligjshme gjatë telefonatës së Presidentit Trump. Megjithatë, ai tha se hetimi i zotit Biden nuk duhet të jetë “një objektiv politikash”. Ligjvënësit demokratë kërkojnë të dinë se përse transkripti i plotë i telefonatës së 25 korrikut u vendos në një vendndodhje tepër të klasifikuar të Shtëpisë së Bardhë, ku zakonisht gjenden vetëm dokumentat më sensitivë. Zoti Morrison tha se ishte “një gabim administrativ”.
Komentet