Administrata e Presidentit Biden po kërkon të zgjerojë kërkesat për një transparencë më të madhe mbi marrëveshjet për blerjen e pasurive të paluajtshme me para në dorë.
Lëvizja shihet si një përpjekje për të frenuar përdorimin e tregut amerikan nga aktorë të këqij, me synimin për të pastruar para përmes aktiviteteve të paligjshme.
Departamenti i Thesarit e bëri të ditur njoftim të hënën duke kërkuar komente publike rreth një rregulloreje të mundshme që do të trajtonte atë që thotë se është një pikë e dobët në tregun e pasurive të paluajtshme.
Aktualisht, në vetëm 12 zona metropolitane, kompanive të sigurimit të titujve të pronësisë, u kërkohet të paraqesin të dhëna për të identifikuar ata persona që bëjnë blerje me para në dorë të pronave të paluajtshme, përmes kompanish të regjistruara në parajsa fiskale, nëse transaksioni është më i lartë se 300,000 dollarë.
“Rritja e transparencës në sektorin e pasurive të paluajtshme do të frenojë mundësinë që zyrtarë të korruptuar e kriminelë, të pastrojnë paratë e përfituara në rrugë të paligjshme përmes tregut të pasurive të paluajtshme në SHBA”, tha Himamauli Das, drejtor i zyrës për luftën ndaj Krimeve Financiare në Departamentin e Thesarit.
Zoti Das tha se ky hap do të shërbejë në “forcimin e sigurisë kombëtare të vendit dhe do të ndihmojë në mbrojtjen e integritetit të sistemit financiar”.
Zonat metropolitane që aktualisht përballen me kërkesat për raportim Bostoni; Çikago; Dallas-Fort Worth; Honolulu; Las Vegasi; Los Anxhelosi; Majemi; qyteti i Nju Jorkut; San Antonio; San Diego; San Francisko dhe Siatëlli.
Tregu amerikan i pasurive të paluajtshme është parë prej kohësh si një ‘stacion’ i qëndrueshëm për zyrtarë qeveritarë të korruptuar nga mbarë globi e aktorë të tjerë të paligjshëm, që kërkojnë të pastrojnë të ardhura të siguruara nga aktivitete kriminale.
Përdorimi i kompanive guaskë nga udhëheqës aktualë apo ish-udhëheqës botërorë, si dhe persona të ngushtë të tyre, për të blerë pasuri të paluajtshme në SHBA e gjetkë, u vu në qendër të vëmendjes së fundmi nga publikimi i të ashtuquajturave “Pandora Papers”, (Dokumentet Pandora) nga Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Investigativë.
Sipas dokumenteve të siguruara nga konsorciumi, Mbreti Abdullah II i Jordanisë, ish-kryeministri i Britanisë së Madhe Tony Blair e figura të tjera të njohura kanë përdorur kompani guaska për të blerë pallate e prona ekskluzive në plazh, jahte dhe pasuri të tjera gjatë çerekshekullit të kaluar.
Edhe pse shmangiet tatimore mund të jenë të ligjshme, ato kanë nxitur propozime të ndryshme për të rritur transparencën tatimore dhe për të përforcuar luftën kundër evazionit fiskal.
Përpjekja për zbatimin e rregulloreve të reja në tregun e pasurive të paluajtshme vjen ndërsa administrata Biden publikoi sot “Strategjinë e luftës kundër korrupsionit”.
Strategjia publikohet ndërsa Presidenti Joe Biden përgatitet të presë takimin e nivelit të lartë mbi Demokracinë në Shtëpinë e Bardhë, i cili që do të bëjë bashkë udhëheqës dhe ekspertëve të shoqërisë civile nga më shumë se 100 vende të botës. Takimi mbahet të enjten dhe të premten.
Strategjia ofron hapa të gjerë për t’u përballur me korrupsionin si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Ajo nxit qeverinë amerikane të përmirësojë boshllëqet rregullatore, duke forcuar përpjekjet anti-korrupsionin ato diplomatike si të punojë për të forcuar mbrojtjen e shoqërisë civile dhe median, përfshirë gazetarët investigativë që ekspozojnë korrupsionin. VOA
Komentet