Demokratët e presidentit Joe Biden janë më afër që të mbajnë kontrollin e Senatit, pasi senatori Mark Kelly fitoi garën në këtë shtet në zgjedhjet e mesmandatit.
Fitorja e Kellyt ndaj republikanit Blake Masters, e vendos partinë republikane një ulëse larg fitores në Senat.
Demokratët mund të mbajnë kontrollin e Senatit nëse fitojnë Nevada ose në balotazhin në Xhorxhia, që mbahet muajin e ardhshëm. Që republikanët të fitojnë kontrollin në Senat duhet të fitojnë garën në këto dy shtete.
Demokratët do të marrin shumicën nëse fitojnë edhe një ulëse, pasi kanë votën e nënpresidentes amerikane, Kamala Harris.
Republikanët megjithatë ende kanë mundësi që të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, teksa numërimi i votave për zgjedhjet e së martës po vazhdon.
Nëse republikanët fitojnë kontrollin në një prej dy institucioneve të Kongresit, ata mund të pengojnë agjendën e presidentit Biden.
“Nga dita e parë, kjo fushatë ka qenë për shumë qytetarë të Arizonës – demokratë, të pavarur dhe republikanë – të cilët besojnë se duke punuar së bashku mund të përballemi me sfidat e mëdha me të cilat ballafaqohemi. Kjo është çfarë kam bërë gjatë dy vjetëve në qeverisje dhe do të vazhdoj ta bëj për aq kohë sa jam në këtë detyrë”, tha Kelly përmes një deklarate për media.
Kelly, ish-astronaut, gruaja e së cilit Gabby Giffords i shpëtoi një tentim-vrasjeje në kohën sa ishte ligjvënësve amerikane, u zgjodh dy vjet më parë në Senat, për të zëvendësuar senatorin e ndjerë John McCain.
Kundërkandidati i tij, Masters, ishte mbështetur nga ish-presidenti amerikan, Donald Trump. Ky i fundit refuzon të pranojë humbjen në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 dhe vazhdimisht përsërit akuzat e rreme për mashtrime zgjedhore.
Përmes një deklarate, Masters tha se gjatë fushatës ka pasur çështje “shqetësuese”.
“Na presin beteja ligjore”, tha ai.
Rezultati në Arizona është goditje për republikanët, të cilët po shpresojnë që të marrin kontrollin në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve.
Përderisa republikanët janë favorit që të fitojnë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, gara për Senat është e ngushtë, teksa demokratët kanë dalë më mirë në zgjedhje sesa pritej.
Komentet