Drejtori i shkarkuar i FBI-së, James Comey tha sot në dëshminë e tij se administrata e Presidentit Donald Trump përhapi “gënjeshtra për të” dhe “e diskreditoi” atë dhe FBI-në.
Ish-drejtori i FBI-së e hapi seancën e shumëpritur në Senat, duke thënë se motivacioni i administratës për shkarkimin e tij, e kishte bërë konfuz dhe e kishte shqetësuar.
Zoti Comey tha se kishte mbajtur shënime pas çdo kontakti me Presidentit Trump, sepse e dinte se mund të vinte një ditë që mund t’i duhet të vetëmbrohej.
Ai tha se nuk kishte ndjerë një nevojë të tillë me ish-Presidentin Obama.
“Shpresoj që të ketë kaseta”, tha zoti Comey duke iu referuar sugjerimit të zotit Trump se ai mund t’i kishte inçizuar bisedat e tyre.
Zoti Trump kishte në plan ta ndiqte seancën në Shtepinë e Bardhë me ekipin e tij ligjor dhe këshilltarët e afërt.
Zoti Comey tha se e kishte intepretuar “udhëzimin” e Presidentit Trump se shpresonte që ish-drejtori i FBI-së, të hiqte dorë nga një hetim për ish-Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, Michael Flynn.
Senatori republikan James Risch pyeti nëse zoti Comey ishte në dijeni të ndonjë personi që ishte akuzuar për pengim të drejtësisë, vetëm sepse kishte shprehur shpresën për një përfundim të caktuar. Zoti Comey thotë se nuk dinte ndonjë rast të tillë. .
Por ai shtoi më seancën në Senat se “e kishte interpretuar si udhëzim” dhe vuri në dukje se komenti ishte bërë në një takim kokë kokë me Presidentin e Shteteve të Bashkuara.
Zoti Comey tha se në një darkë në janar me Presidentin se ai “donte të siguronte diçka” në këmbim të mbajtjes së tij në detyrën e Drejtorit të FBI-së.
Zoti Comey tha për Presidentin Trump se “i besonte fjalës së tij” se ishte shkarkuar për shkak të hetimit të FBI-së për Rusinë.
Comey tha se komuniteti i zbulimit “ka bindje të fortë” se Rusia ndërhyri në fushatën e zgjedhjeve për të ndihmuar zotin Trump të fitonte ndaj rivales demokrate Hillary Clinton.
Në deklaratën e shkruar që i dorëzoi Komisionit të Senatit për Çështjet e Zbulimit, zoti Comey tha se Presidenti Donald Trump i ka kërkuar atij besnikëri gjatë bisedave që të dy ata kanë patur në Shtëpinë e Bardhë lidhur me hetimet e kësaj agjencie për disa zyrtarë të tanishëm dhe të mëparshëm të administratës. Dje pasdite, Komisioni publikoi paraprakisht një kopje të deklaratës prej shtatë faqesh që zoti Comey do të paraqesë në hapje të një seance të shumëpritur të Komisionit. ((https://www.intelligence.senate.gov/sites/default/files/documents/os-jcomey-060817.pdf)).
Deklarata u bë publike dje pasdite, pak orë pas një seance të mëparshme të Komisionit të Zbulimit, në të cilën Drejtori i Zbulimit Kombëtar dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Inteligjencës refuzuan t’u përgjigjen pyetjeve të senatorëve rreth zotit Comey dhe hetimeve për Rusinë.
Në deklaratën e tij, zoti Comey jep hollësi befasuese për pesë biseda që ai ka patur me Presidentin Trump. Mes të tjerash ai lë të kuptohet se Presidenti i ka kërkuar të ndryshojë rrjedhën e hetimeve të FBI-së për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane.
Trump: “Pres besnikëri nga ju”
Siç tregon zoti Comey, në një bisedë në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti i tha: “Unë kam nevojë për besnikëri, pres besnikëri nga ju”. “Nuk lëviza, nuk fola dhe as ndryshova shprehjen e fytyrës gjatë heshtjes së vështirë që pasoi,” shkruan ish-shefi i FBI-së. “Ne thjesht nisëm të shihnim njëri-tjetrin në heshtje”.
Në deklaratën e tij me shkrim, zoti Comey tregon se i kishte thënë tri herë Presidentit se ai nuk ishte objekt i hetimit të FBI-së, që synonte të sqaronte nëse bashkëpunëtorët e zotit Trump kishin patur kontakte të papërshtatshme me zyrtarët e qeverisë ruse.
Në një pasazh tjetër, zoti Comey dëshmon se Presidenti Trump i kishte kërkuar më 14 shkurt të hiqte dorë nga hetimi për gjeneralin Michael Flynn, i cili ishte shkarkuar si këshilltar i sigurisë kombëtare një ditë më parë. “Shpresoj se ju mund të gjeni mënyrën për të hequr dorë nga kjo, për ta lënë çështjen Flynn,” i kishte thënë Presidenti, gjithnjë sipas deklaratës së zotit Comey. “Ai është njeri i mirë. Shpresoj se mund ta kaloni çështjen e tij.”
Muajin e kaluar, Presidenti Trump mohoi kategorikisht se i kishte bërë presion ish-shefit të FBI-së që të mbyllte çështjen Flynn ose të hiqte dorë nga hetimi i saj. Presidenti hodhi poshtë gjithashtu pohimet se bashkëpunëtorët e tij janë marrë vesh me Rusinë që ajo të ndikonte në rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të nëntorit, duke e quajtur këtë një “gjueti shtrigash”.
Komentojnë përkrahësit e zotit Trump
Pas publikimit të deklaratës së zotit Comey, mbështetësit e Presidentit Trump thanë se aty nuk kishte asgjë që lë të kuptohet se Presidenti ka bërë ndonjë shkelje.
Avokati Marc Kasowitz, këshilltar privat i zotit Trump për hetimin e çështjes së Rusisë tha se presidenti “ndihet plotësisht i shfajësuar”.
“Presidenti, – tha zoti Kasowitz, – është i kënaqur që zoti Comey më në fund ka konfirmuar publikisht se presidenti nuk është nën hetime, në asnjërin prej hetimeve rreth Rusisë.” “Ai mezi pret të vazhdojë punën për të vënë në jetë axhendën e tij si president”.
Kryetarja e Komitetit Kombëtar Republikan Ronna McDaniel theksonte të njëjtën gjë në një deklaratë në faqen e internetit të këtij Komiteti: “Presidenti Trump kishte të drejtë. Deklarata e drejtorit Comey rikonfirmoi atë që presidenti ka thënë gjatë gjithë kohës, se ai kurrë nuk ka qenë nën hetime”.
Demokratët e shohin ndryshe çështjen
Demokratët në Kongres e shohin ndryshe rëndësinë e dëshmisë së zotit Comey.
Kongresmeni Adam Schiff, demokrat i lartë në Komisionin për Inteligjencën në Dhomën e Përfaqësuesve, i quajti “shqetësuese” akuzat e zotit Comey. Në një deklaratë, zoti Schiff tha se bisedat e presidentit me zotin Comey “përfaqësojnë një tjetër përpjekje të papërshtatshme për të detyruar agjencitë e inteligjencës të shërbejnë si mjete të Shtëpisë së Bardhë për marrëdhëniet me publikun dhe për të minuar pavarësinë apo integritetin e komunitetit të inteligjencës”.
Disa kritikë të tjerë të zotit Trump thanë se pohimet e zotit Comey tregojnë se presidenti është përpjekur të ndërhyjë në mënyrë të papërshtatshme dhe se kjo mund të përbëjë pengim të drejtësisë.
Një ish-zyrtar i vjetër i FBI-së, i cili nuk deshi të identifikohej, i tha Zërit të Amerikës se “Zoti Comey ka vepruar korrekt për gjithçka.” Kjo ngjarje thjesht flet për një president që nuk e kupton se si funksionon qeveria dhe se e trajton qeverinë sikur të ishte një biznes.”
Kreu i FBI-së u shkarkua në muajin maj
Presidenti Trump e shkarkoi zotin Comey muajin e kaluar. Shtëpia e Bardhë në fillim lëshoi një deklaratë duke thënë se shkarkimi ishte bërë me rekomandimin e Zëvendës Prokurorit të Përgjithshëm Rod Rosenstein, i cili kishte dërguar një memo ku kritikonte mënyrën se si zoti Comey i trajtoi hetimet rreth çështjes së emailave të kandidates demokrate për presidente, Hillary Clinton.
Më vonë, vetë zoti Trump e hodhi poshtë këtë version. Ai i tha një gazetari se kur shkarkoi zotin Comey “kishte në mendje punën e Rusisë”.
Studiuesit e presidencës thonë se, nëse versioni i ngjarjeve i treguar nga zoti Comey konfirmohet, kjo do të paraqiste një sfidë të rëndësishme ndaj barrierave tradicionale që synojnë të ruajnë pavarësinë e institucioneve ligjzbatuese në SHBA.
“Mendoj se një nivel të tillë shqetësues ndërveprimi mes presidentit dhe FBI-së nuk e kemi parë që nga koha e Uotërgejtit,” thotë Dan Mahaffee, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Studimin e Presidencës dhe Kongresit.
Të mërkurën, dy zyrtarë të lartë i thanë Komisionit të Senatit për Zbulimin se nuk kishin ndjerë ndonjë trysni të papërshtatshme nga presidenti për të deklaruar publikisht se nuk ka patur ndonjë koordinim të mundshëm mes ndihmësve të zotit Trump dhe Rusisë në zgjedhjet e vitit të kaluar.
Drejtori i Zbulimit Kombëtar Dan Coats dhe Drejtori i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare Michael Rogers u thanë anëtarëve të Komisionit se nuk mund të flisnin publikisht mbi hollësitë e takimeve të tyre me Presidentin Trump në muajt e fundit. Ata refuzuan t’u përgjigjen pyetjeve nëse zoti Trump u kishte kërkuar të ndërhynin për të frenuar hetimet rreth ndikimit rus në fushatën presidenciale të 2016s.
Komentet