Zoti Cohen tha në fillim të fjalës së tij se është penduar për ndihmën që i ka dhënë Presidentit Trump dhe ndihet i turpëruar për veprimet e tij.
“Ai është racist, është mashtrues. Është i pandershëm”, tha ai.
Zoti Cohen tha se Donald Trump kishte njohuri, drejtoi dhe gënjeu rreth negociatave që kompania e tij pati gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016 për të ndërtuar një kullë Trump në Moskë.
Cohen tha se zoti Trump e dinte se këshilltari i tij i fushatës Roger Stone ishte në kontakt me kreun e WikiLeaks Julian Assange rreth publikimit të emaileve që do të dëmtonin rivalen Hillary Clinton.
“Në korrik të vitit 2016, disa ditë para Konventës së Demokratëve, u ndodha në zyrën e z. Trump kur sekretarja e tij njoftoi se në telefon ishte Roger Stone. Zoti Trump e vuri bisedën në altoparlant. Stone i tha zotit Trump se sapo kishte përfunduar një telefonatë me Julian Assange dhe se zoti Assange i kishte thënë se brenda pak ditësh do të dilte një sasi e madhe emailash që do të dëmtonin fushatën e Hillary Clintonit.”
Cohen tha më tej se zoti Trump kurrë nuk e priste të fitonte zgjedhjet presidenciale dhe e shinte kandidaturën e tij si “një mundësi marketingu”.
“Të jemi të qartë: Zoti Trump kishte dijeni dhe drejtoi negociatat për kullën Trump në Moskë gjatë gjithë fushatës dhe gënjeu për këtë. Ai gënjeu sepse kurrë nuk priste të fitonte zgjedhjet. Ai gjithashtu gënjeu sepse shpresonte të fitonte qindra miliona dollarë me projektin e pasurive të patundshme në Moskë,” tha zoti Cohen.
Trump, në Vietnam për samitin e tij me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jung Un, sulmoi ish-avokatin e tij në Twitter përpara dëshmisë , duke thënë se ai ishte “i përjashtuar nga Gjykata e Lartë e Shtetit për gënjeshtra dhe mashtrime. Ai po gënjen në mënyrë që të reduktojë kohën e burgut ”
Michael Cohen was one of many lawyers who represented me (unfortunately). He had other clients also. He was just disbarred by the State Supreme Court for lying & fraud. He did bad things unrelated to Trump. He is lying in order to reduce his prison time. Using Crooked’s lawyer!
— Donald J. Trump (@realDonaldTrump) February 27, 2019
Ligjvënësit republikanë në Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve për Mbikëqyrjen dhe Reformën u munduan të diskreditonin sjelljet e zotit Cohen që çuan në paditë e tij për mashtrime tatimore dhe manipulime ndaj një banke. Kongresmeni Mark Green tha: “Ai është një dëshmitar i rremë. Shfaqja e tij këtu është qesharake”. Ligjvënësit demokratë u përqëndruan në dëshminë e zotit Cohen për veprimet e presidentit Trump.
Zoti Cohen pohoi se nuk ekzistojnë prova të drejtpërdrejta për një marrëveshje të fshehtë ndërmjet fushatës Trump dhe Rusisë, por tha se për këtë ka dyshimet e tij.
Ai citoi si dëshmi të mundshme një bisedë mes zotit Trump dhe djalit të tij, Donald Trump Jr. ku tha se ishte vetë i pranishëm. Sipas tij, tema ishte një takim që do të zhvillohej në kullën Trump ku përfshiheshin Donald Trump Jr, dhëndrri i presidentit, Jared Kushner, menaxheri i fushatës Trump, Paul Manafort dhe një avokate ruse që kishte lidhje me qeverinë e Rusisë.
Ky takim është shqyrtuar me kujdes edhe nga prokurori Mueller. Presidenti Trump ka mohuar të ketë patur njohuri paraprake të bisedimeve dhe në gusht minimizoi pretendimet se pala e tij ishte atje për të marrë informacion potencialisht të dëmshëm rreth kandidates Clintonit, duke thënë se akte të tilla janë “krejtësisht ligjore dhe të kryera shpesh në politikë”.
Cohen tha se zoti Trump kishte sajuar një herë një person të ofronte në një ankand të paguante 60,000 dollarë për një portret të Trumpit, dhe më pas e kishte rimbursuar nga fondet e fondacionit bamirës Trump.
Ish avokati tha, “Zoti Trump është një mashtrues. Në përvojën time, Trump frynte pasuritë e tij kur kjo i shërbente qëllimeve të tij, të tilla si kur përpiqej të ishte në mesin e njerëzve më të pasur në revistën Forbes, dhe i zvogëlonte pasuritë e tij për të ulur taksat ndaj pasurive të patundshme”.
Ai e quajti Trumpin një “racist”, duke thënë se ai shpesh i përbuzte afrikano-amerikanët.
“Vendi ka parë mbështetjen për supremacistët nga zoti Trump”, tha Cohen. “E keni dëgjuar atë t’i referohet vendeve të varfra si hale. Privatisht, është edhe më i keq. Një herë më pyeti nëse dija ndonjë vend të drejtuar nga një person afrikano-amerikan që nuk ishte një ‘hale’. Kjo ishte në kohën kur Barack Obama ishte president i Shteteve të Bashkuara. Ndërkohë që ishim kaluar me makinë nëpër një lagje të varfër në Çikago, ai komentoi se vetëm njerëzit e zinj mund të jetonin në atë mënyrë duke shtuar se ata kurrë nuk do të votonin për të, sepse ishin shumë budallenj”.
Michael Cohen tha se ishte rimbursuar nga Donald Trump për pagesat që Cohen bëri për të mbajtur të heshtura dy gra, yllin pornografik Stormy Daniels dhe modelen e Playboy-it Karen McDougal, të cilat pretendonin se kishin patur marrëdhënie seksuale me zotin Trump. Cohen tha se Donald Trump personalisht nënshkroi 11 çeqe nga llogaria e tij personale ndërkohë që ishte president dhe se i ka dhënë komisionit një kopje të tyre.
Cohen është dëshmitari i profilit më të lartë që nga skandali i Watergate në vitet 1970 që dëshmon në Kongres kundër një presidenti amerikan në detyrë.
Hera e fundit që Shtetet e Bashkuara përjetuan një ngjarje të ngjashme ishte në vitin 1973, kur ish-këshilltari i Shtëpisë së Bardhë John Dean dha një dëshmi dramatike që implikoi Presidentin Riçard Nixon dhe të tjerë në një përpjekje të fshehtë për çështjen Watergate. Një vit më vonë Nixon u bë presidenti i parë dhe i vetëm amerikan që dha dorëheqjen.
Zoti Cohen do të dëshmojë edhe nesër, me dyer të mbyllura. Ai është shpallur fajtor për tetë akuza penale, duke përfshirë shkelje të ligjit për financimin e fushatave lidhur me pagesat për dy të dashurat e dyshuara të zotit Trump. Ai ende i lirë deri sa të fillojë dënimin trevjeçar me burg në muajin maj.
Si pjesë e marrëveshjes së tij për pranimin e fajësisë, zoti Cohen vazhdon të bashkëpunojë me prokurorët federalë në Nju Jork të cilët po hetojnë rreth interesave të biznesit të zotit Trump si dhe për miliona dollarë donacionesh në favor të komisionit të inaugurimit presidencial.
Komentet