UASHINGTON – CIA thotë se rusët që nuk mbështesin sulmin e Presidentit Vladimir Putin ndaj Ukrainës mund të jenë duke u përpjekur për t’u vënë në kontakt me shërbimet amerikane të zbulimit. CIA sugjeron që për këtë ata t’i drejtohen të ashtuquajturit internetit të errët (darknet).
Të hënën, agjensia amerikane e zbulimit filloi një fushatë të re për të vendosur praninë e saj në një pjesë të internetit që është e arritshme vetëm nëpërmjet mjeteve të specializuara që mundësojnë anonimitetin. CIA ka një faqe në darknet që ka të njëjtat parametra si faqja e saj normale, por që mund të vizitohet vetëm nëpërmjet programit të navigimit Tor, i cili ka opsione kriptimi që nuk i kanë shumica e programeve normale të navigimit në internet.
Udhëzimet në anglisht dhe rusisht se si mund të arrihet deri tek faqja e saj u shfaqën të hënën në mediat sociale të CIA-s. Agjensia shpreson që rusët e diasporës do t’ua dërgojnë këto udhëzime kontakteve të tyre brenda vendit.
Ndërsa shumë rusë duket se mbështesin atë që Kremlini e quan zyrtarisht “operacion i posaçëm ushtarak”, vëzhgues të hershëm të Rusisë mendojnë se menaxhimi i luftës nga Presidenti Putin mund të distancojë më tej disa prej njerëzve të fuqishëm që nuk janë dakort me të. Megjithë kapacitetet e mëdha për gjurmimin e komunikimeve dhe për marrjen e imazheve satelitore, vazhdon të mbetet jetësore për agjensitë perëndimore të zbulimit që të rekrutojnë burime njerëzore që mund të ofrojnë të dhëna për Kremlinin dhe për rrethanat brenda Rusisë.
“Për misionin tonë global është e nevojshme që individët të mund të na kontaktojnë në mënyrë të sigurt nga kudo që ndodhen”, u shpreh agjensia nëpërmjet një deklarate.
Një zyrtar i CIA-s, që foli në kushte anonimiteti për diskutimin e çështjeve të zbulimit, tha se agjensia e di se “ka rusë të shqetësuar që po përpiqen në mënyrë të dëshpëruar për të kontaktuar CIA-n”. Zyrtari nuk pranoi të thotë se sa persona janë munduar të kontaktojnë që nga fillimi i luftës.
“Nuk ka siguri angazhimi i drejtpërdrejtë me amerikanët, fizikisht apo virtualisht” në Rusi, tha zyrtari. “Për ata persona që dëshirojnë të na kontaktojnë në mënyrë të sigurtë, kjo është mënyra e duhur”.
E çelur për herë të parë në vitin 2019, faqja e CIA’s në darknet mund të vizitohet nëpërmjet programit Tor. Programi Tor e mori këtë emërtim të shkurtuar nga “The Onion Router”, që kanalizon trafikun e internetit përmes disa palëve të treta, për të maskuar identitetin dhe destinacionin. Pasi instalojnë aplikacionin Tor, përdoruesit zakonisht shkruajnë adresa të gjata të përbëra nga simbole të shumta dhe të cilat në fund mbarojnë me “.onion”.
Duke përdorur programin Tor, përdoruesit shmangin gjurmimin gjatë navigimit. Megjithëse asnjë formë komunikimi nuk është krejtësisht e sigurtë gjatë gjithë kohës, zyrtarët e zbulimit thonë se një informator i mundshëm do të ishte më i mbrojtur në darknet nga përgjimi i autoriteteve ruse.
Programi i navigimit Tor u krijua fillimisht me mbështetjen e Laboratorit Kërkimor të Marinës së Shteteve të Bashkuara dhe menaxhohet nga një organizatë jofitimprurëse që nga viti 2006. Programi është përdorur prej kohësh nga ata që kërkojnë më shumë privatësi: disidentët në vendet autoritare dhe njerëzit që duan të shmangin sensorët dhe programet ndaluese, si dhe nga p.sh. gazetarët e agjensisë së lajmeve Associated Press, e cila ka një faqe të sajën për të marrë informata nëpërmjet programit Tor. Programi mund të përdoret pra nga çdokush që kërkon më shumë privatësi, por ai është shfrytëzuar edhe nga kriminelët.
Rusëve iu është dashur prej kohësh të gjejnë mënyra për të shmangur bllokadat e qeverisë në internet. Si reagim ndaj represionit të Kremlinit që nga fillimi i luftës, disa organizata të mediave dhe kompania Twitter kanë reklamuar përdorimin e faqeve të tyre me adresë të llojit “.onion”, apo të programeve që krijojnë një rrjet virtual privat (VPN).
Megjithëse zyrtarët nuk japin detaje, mendohet se shërbimet amerikane të zbulimit ushtrojnë veprimtari brenda Rusisë. Tërheqja e vëmendjes tek faqja në darknet i bën të ditur kontakteve të mundshme se CIA i kushton vëmendje sigurisë së tyre, thotë Mark Kelton, i cili doli në pension nga CIA në vitin 2015, pasi shërbeu si drejtues për kundërzbulimin.
“Kur njerëzit vendosin të kontaktojnë, ata janë shumë mirë të vetëdijshëm për atë që po bëjnë dhe se cilat janë rreziqet”, thotë zoti Kelton. “Tashmë bëhet fjalë që t’i sigurojnë se nga kjo anë ka njerëz që interesohen për mbrojtjen e tyre”.
Ngjarjet madhore si rënia e Murit të Berlinit kanë përfaqësuar shpesh mundësi rekrutimi për shërbimet e zbulimit në Uashington dhe në Moskë. Lufta në Ukrainë e Presidentit rus Putin ka shkaktuar një spirale me pasoja për Rusinë, me mijëra ushtarë të vrarë, sanksione që kanë dëmtuar ekonominë ruse, si dhe dështimin e arritjes së objektivave bazë ushtarake ndërkohë që imazhet që duket se pasqyrojnë krime lufte po përhapen në mbarë botën. Disa vëzhgues besojnë se kjo luftë mund të ofrojë mundësi të tilla.
Dy gazetarë të respektuar rusë, Andrei Soldatov dhe Irina Borogan, shkruajtën në një artikull të fundit se dështimet e luftës kanë provokuar “një lojë të ashpër kalimi të fajit” brenda aparatit të sigurisë të Rusisë, i njohur me emërtimin “siloviki”. Ushtria ruse fajëson Putinin që kërkoi një “strategji të re të përmbajtur”, e cila besojnë se ua ka lidhur duart përballë forcave ukrainase që mbështeten nga Perëndimi, shkruajtën gazetarët Soldatov dhe Borogan.
Disa nga anëtarët e aparatit të sigurisë që refuzonin telefonatat e gazetarëve kur filloi lufta, tashmë po flasin më shumë.
“Kjo është hera e parë që ‘solivikit’ po krijojnë distancë mes tyre dhe presidentit. Kjo hap mundësira të të gjitha llojeve”, shkruajtën gazetarët.
Ideologjia personale apo zhgënjimi me regjimin e Putinit mund të shërbejnë më shumë si shtysa për dikë që vendos të spiunojë Rusinë, se sa shpërblimet financiare që mund të jepen, thotë zoti Kelton.
“Kriza është gjithnjë një moment i mirë për spiunazhin”, tha ai. “Njerëzit në shoqëritë autokratike shpesh ndjekin rrymën deri në pikën kur iu duhet të përballen me domosdoshmërinë morale dhe politike për të bërë një zgjedhje. Kjo ka qenë historikisht një mundësi e mirë që njerëzit të kontaktojnë me Shtetet e Bashkuara”.
Komentet