Shërbimi sekret amerikan, ka tentuar me të gjitha mënyrat të rrëzojë regjimin komunist në Shqipëri. Mirëpo në vitin 1953 shihet se fillimisht pati një ndryshim plani, pasi misioni kryesor ishte shkëputja e Shqipërisë nga Bashkimi Sovjetik. Në një dokument të deklasifikuar nga CIA, tregohet se për këtë periudhë shihej e papërshtatshme rrëzimi i regjimit, teksa synimi ishte që vendi ynë të ndërpriste marrëdhëniet me Bashkimi Sovjetik. Në dokument tregohet dhe një bashkëpunim me shërbimin sekret britanik.
Tetor 1953
Raport i veprimeve të koordinuara mes shërbimeve amerikane e britanike
Shërbimet sekrete të CIA dhe MI6 kanë rënë dakord në parim për linjën e veprimet në lidhje me Shqipërinë, e cila do të fokusohet në mbledhje inteligjence të brendshme sipas direktivave të caktuara, dhënie të mbështetjes për Komitetin për Shqipërinë e Lirë dhe lëshime broshurash propagande afërsisht një herë në muaj. Edhe direktivat për vitin 1954 priten të jenë të ngjashme me ato të këtij viti, me shumë pak gjasa për urdhra përshkallëzimi të aktiviteteve të Luftës së Ftohtë në Shqipëri. Kjo për arsye se një trazirë e mundshme në Shqipëri do të shoqërohej me ndërhyrjen e forcave të Komitetit të Prizrenit nga Jugosllavia, dhe më pak e mundshme është ndërhyrja e Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë. Ndërhyrje të tilla do të interpretoheshin si kërcënim të interesave kombëtare edhe nga fqinjët, prandaj për momentin nuk duhet të kishte ndryshim të pushtetit në Shqipëri.
Shkëputja nga BRSS
CIA nuk ka direktiva konkrete veprimi për Shqipërinë por ajo gjithsesi konsiderohet si një objektiv i rëndësishëm i luftës psikologjike dhe se përpjekjet për ta shkëputur atë nga blloku sovjetik nuk duhet të reduktoheshin. Është pranuar se ndryshimi kryesor i politikave mes CIA dhe MI6 qëndron në faktin se CIA është e gatshme të përdorë një politikë më të drejtpërdrejtë, por ky dallim nuk do të ndalojë punën e përbashkët të dy shërbimeve.
Infiltrimet
Tre operacione infiltrimi janë planifikuar sivjet. Grupi i parë i Vlorë nuk u formua për arsye të vështirësive me agjentët, kurse grupi i dytë për në Tiranë u infiltrua në rrugë tokësore nga Greqia. Një grup i tretë duhet të infiltrohen në Veri të Shqipërisë, por është anuluar për arsye të vështirësive në organizmin e infiltrimit nga ajri ose toka, dhe pritet të kryhet vitin që vjen. Operacionet e infiltrimit kanë pasur të njëjtat objektiva si më parë: krijimin e qendrave të rezistencës, vazhdimin e operacioneve për qëllimin final të shkëputjes së Shqipërisë nga orbita sovjetike dhe inkurajimi i dezertimit mes zyrtarëve komunistë. Operacionet janë reduktuar disi për të ngritur kalibrin e agjentëve të zgjedhur, por është pranuar nga të dyja palët se në përgjithësi kalibri i agjentëve linte shumë për të dëshiruar. Një grup prej pesë personash të ri-infiltruar këtë vit, qëndruan për tre javë në Korçë deri sa rimorën kontaktet e vjetra. Një grup prej dy personash të infiltruar në zonën e Sarandës qëndruan aty për tre javë.
Cilësia e agjentëve
Si CIA dhe MI6 janë dakord se cilësia e agjentëve të tyre shqiptarë të rekrutuar në Greqi është e ulët. Aktualisht janë shumë pak refugjatë shqiptarë që arrijnë në Greqi dhe normalisht të larguarit e nivelit të lartë nuk pranojnë të kthehen aty për të jetuar në male. CIA ka punuar për krijimin e qendrave rezidente në Shqipëri, dhe tekstet e broshurave të përdoren për të inkurajuar pjesëmarrjen e agjentëve të kalibrit të lartë. Broshurat e nxitjes së dezertimit deri tani nuk kanë dhënë efekt, por autoritetet shpresojnë se në të ardhmen mund të ketë anëtarë të lartë të partisë, prandaj ia vlente të vazhdohej me iniciativën. Programi i CIA për vitin 1954 parashikon 24 lëshime broshurash propagande, të shoqëruara me artikuj ushqimorë apo të përdorimit shtëpiak. Ata kërkojnë të përmirësojnë tekstet e fletushkave, duke zgjeruar apelin e tyre publik, pasi propaganda e pastër nuk po sjell efektin e pritur.
Komiteti për Shqipërinë e Lirë
Është pranuar diskutimi i komitetit ekzekutiv të Komitetit për Shqipërinë e Lirë (NCFA) dhe riorganizimi i tij. CIA ka kërkuar riorganizimin e NCFA me qëllim shkurtimin e kostove, dhe krijimin e një kampi në Itali për strehimin e shqiptarëve atje. Britanikët kërkonin emërimin e anëtarëve të kryesisë së NCFA si individë dhe jo në bazë të partive që përfaqësojnë.
Ka pasur debate mes CIAs dhe grupeve britanike mbi masën e informimit të NCFA për operacionet e infiltrimit në Shqipëri. Ata mendonin se agjentët kishin nevojë për mbështetjen e NCFA dhe se detajet e dhëna nga NCFA për prejardhjen e agjentëve ishin të rëndësishme në operacion dhe në vlerësimin e cilësive të tyre. CIA ishte e mendimit se kishte rreziqe sigurie në rast njoftimi paraprak të NCFA dhe do të vazhdonte të vepronte edhe pa aprovimin e tyre, prej rrezikut të daljes së informacionit dhe dështimit të operacioneve. Pas diskutimeve u pranua edhe nga britanikët të ndiqej e njëjta linjë. Një prej sugjerimeve ishte njoftimi i NCFA pas futjes së agjentëve në Shqipëri, por u refuzua prej rrezikut të daljes së informacionit. Diskutimet përfshinë mundësinë e përkeqësimit të marrëdhënieve me NCFA në rast të mbajtjes së tyre të painformuar, çka pritet të trajtohet me riorganizimin e ri ku nuk do të përfshihej një “juntë” ushtarake.
Aktivitetet e NCFA nga Romë mendohet të ndahen në dy kategori: Në atë të luftës psikologjike ku përfshihen fletushkat, përmbledhjet e lajmeve dhe monitorimi i stacionit të Barit. Për zhurmimin e transmetimeve të Zërit të Amerikës, ekspertët besonin se vinte nga Bullgaria.
Dhe përfaqësues të NCFA që marrin pjesë në takimet e OKB për Kampet e punës dhe në takimet e Juristëve të Lirë.
Komiteti i Prizrenit
Në diskutime u përmend se kur u krijua fillimisht Komiteti i Prizrenit, CIA kishte qenë shumë e interesuar, por në informacionet e mëvonshme rezultoi se Komiteti ishte tërësisht nën dominimin jugosllav dhe ishte kryesisht një mjet mbulimi për operacionet e UDB në Shqipëri. ka shumë pak emra të njohur në komitetin e Prizrenit dhe CIA mendonte se nëse realizohej ndryshim i regjimit në Shqipëri, Komiteti do të përpiqej të vendoste një qeveri titiste. Ne dhe britanikët ishim në një mendje se situata aktuale në Trieste pengonte çdo bashkëpunim real të mundshëm mes Komitetit të Prizrenit dhe NCFA.
Organizata e Hilë Shllakut
CIA mendon se ka ende dyshime mbi ekzistencën e kësaj organizate dhe mbi të gjitha për forcën e saj të pretenduar prej 35.000 njerëzish. Ata janë duke eksploruar nëse kjo organizatë ekziston, pasi do të ishte me vlerë të madhe. Britanikët thanë se zotëronin fakte se organizata e Shllakut ekzistonte dhe se ishte e gatshme ta vinte veten në dispozicion të Perëndimit. Por masa e pretenduar e saj ishte një kërcënim serioz për qeverinë e Tiranës dhe meqenëse kishte interesa jugosllave të përfshira, lëvizjet e mëtejshme për të duhet të diskutoheshin imtësisht mes dy shërbimeve. CIA deklaroi se vetëm tre refugjatë shqiptarë kishin dëgjuar për organizatën. Korça, i cili ishte mik i ngushtë i Hilë Shllakut, tha se ishte dërguar nga ky i fundit për të kontaktuar me Perëndimin. Vetë Shllaku ka qenë më parë xhandar, para dhe gjatë luftës. Ai ka kontakte të shumta në zonat malore dhe është arrestuar një herë nga komunistët. Pasi arriti të shpëtonte u vendos përsëri si klandestin në zonat malore, ku ka pasur mundësinë e kontakteve të shumta në zonat malore dhe më poshtë deri në afërsi të Tiranës. Sipas Korçës organizata ekziston por ka mungesë armësh.
Operacionet e planifikuara për 1954
Britanikët thanë se kishin vetëm një operacion të planifikuar për vitin 1954, grupin e infiltrimit në veri të vendit që u anulua këtë vit. At akant kontakte të dobishme në veri dhe është propozuar që ata të lëshohen në qershor. Por mbeteshin vështirësi me gjetjen e agjentëve të kalibrit të lartë. Ka disa agjentë të operacioneve të shkuara që pranojnë të rinisen, por në përgjithësi mbetet problemi i rekrutimit të dobët të shqiptarëve në Greqi.
20 prill 1954
Gjyqi në Tiranë i agjentëve të CIA
Gjyqi i 8 agjentëve të CIA kapja dhe gjykimi të cilëve u njoftua nga Radio Tirana 29 dhjetor 1953, filloi më 5 prill 1954. Gjyqi zgjati 5 ditë dhe përfundoi me dënimin e të akuzuarve. Anëtarët e mëposhtëm të grupit tonë Apple Team u dënuan me vdekje, me pushkatim: Zenel Shehu, Halil Branica (të rekrutuar personalisht nga Mbreti Zog), Ahmet Kabashi, Naum Sula, Gani Malushi e Rapush Agolli (ky i fundit u rekrutuar brenda në Shqipëri). Hamit Matjani, guidë dhe konsulent i rekrutuar nga CIA, u dënua me vdekje me varje, kurse Ibrahim Laçi, kontakt i grupit tona, u dënua me 10 vjet burgim. Dënimet u zbatuan më 15 prill 1954. Armiqtë pretendojnë se kanë vrarë tre prej agjentëve tanë menjëherë sapo u ulën me parashutë. Nuk dimë se ç’bëhet me dy anëtarë të grupit tonë, si për shembull Tahir Preçi, operatori fillestar i radios, dhe Pal Nikollën lideri i nëngrupit. Ka një mundësi të vogël se ata mund të jenë ende të lirë, kurse mundësia më e madhe është të jenë vrarë gjatë marrjes në pyetje apo të dënuar në fshehtësi prej refuzimit të bashkëpunimit me gjykatësit.
Gjyqet publike
Gjyqet në fakt janë bërë publike si një mjet propagande kundër Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë, si organizatorët kryesorë të aktiviteteve klandestine kundër qeverisë komuniste në Shqipëri. Prandaj dhe nuk është përmendur thuajse fare mënyra e kapjes së agjentëve dhe marrja e tyre nën kontroll. Kështu jemi ende pa të dhëna se kur grupi ynë kaloi nën kontrollin e armiqve.
Bashkëpunimi mes Shteteve të Bashkuara dhe ish-mbretit Zog është publikuar. Gjithashtu është analizuar me detaje të imta bashkëpunimi mes spiunazhit të SHBA dhe organeve greke, duke theksuar mënyrën e përulur të veprimit të Greqisë dhe vendeve të tjera perëndimore në lidhje me SHBA, si dhe lehtësia me të cilën agjentët amerikanë kalojnë kufijtë dhe operojnë në këto vende.
Janë bërë publike disa informacione në lidhje me metodat e trajnimit dhe vendndodhjen fizike të zonave të agjentëve në Greqi, por shumica e pikave dhe metodave tashmë janë ndryshuar, dhe ato që kanë mbetur do të ndryshohen së shpejti. Përveç kësaj të gjitha furnizimet, municionet, armët, veshjet, pajisjet radio dhe floriri, u kapën dhe u ekspozuan në sallën e gjyqit. Në lidhje me personelin e CIA, asnjë emër i vërtetë nuk u ekspozua gjatë gjyqit, përveç një agjenti kontakti që është larguar në vjeshtën e vitit 1951. Agjentë të tjerë të përfshirë kanë përdorur pseudonime në kontaktet me shqiptarët. Me qëllim kundërvënien ndaj efektit të propagandës që soli gjyqi, të paktën pjesërisht, u lëshua në Tiranë një broshurë pas ekzekutimeve, e cila ngrinte lart agjentët e vrarë si martirë të kauzës së çlirimit të Shqipërisë. Është propozuar një tjetër broshurë e cila është duke u hartuar.
12 tetor 1954
Përmbledhje e operacioneve të CIA në Shqipëri
Deri në korrik 1954, aktivitetet e Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë drejtoheshin nga oficerët e shërbimeve të CIA dhe britanikëve MI-6 në Romë. Kontakti me selinë e NCFA në Nju Jork mbahej me anë të një konsulenti të fshehtë, kurse pjesa shqiptare e tij merreshin me mbikëqyrjen e teksteve të transmetimeve klandestine radio dhe fletushkave të propagandës. Në korrik 1954 pas marrëveshjes me britanikët, i gjithë stafi amerikan dhe britanik u tërhoq nga Roma dhe kontaktet e NCFA me CIA janë kryer vetëm prej Athinës. Kjo ka sjellë frikë nga ana e disa prej anëtarëve të komitetit, se interesat e SHBA për Shqipërinë po shuheshin. Klasa e emigrantëve shqiptarë është habitur gjithashtu nga njoftimi i 12 gushtit 1954 për formimin e Komitetit Kombëtar Demokrat nën drejtimin e krahut disident të Ballit Kombëtar, i cili më parë ishte tërhequr nga NCFA dhe kishte bërë çdo tentativë për të sabotuar aktivitetet e tij. divizioni ynë ka propozuar që drejtimi i NCFA t’i kalohet Komitetit të Evropës së Lirë, teksa aktivitetet klandestine të propagandës të kryhen në emër të NCFA. Divizioni beson se kjo lëvizje do të forcojë pozitën e NCFA në sytë e shqiptarëve, si dhe do të shpërndajë frikën se Perëndimi nuk është më i interesuar për Shqipërinë. Kur po mendohej të niste projekti amerikan për Shqipërinë në vitin 1949, u zbulua se britanikët e kishin nisur një projekt me thuajse të njëjtat objektiva, prandaj u vendos që dy projektet të koordinoheshin për të përdorur struktura të përbashkëta dhe që të parandalohej që CIA dhe MI-6 të shkelnin këmbët e njëra-tjetrës. Por operacionet e SHBA dhe të Britanisë kanë qenë thuajse
krejtësisht të ndara dhe vetëm me këmbime informacionesh të përgjithshme mbi zonat e përafërta të aktivitetit dhe kohën e tyre, thjeshte për parandalimin e përplasjeve. Inteligjenca e operacioneve është këmbyer lirisht në terren dhe gjithashtu në nivel zyrtar Londër-Uashington. Aktivitetet e propagandës janë kryer bashkërisht nga Roma dhe Athina deri në korrik 1954 kur si CIA ashtu dhe MI-6 tërhoqën oficerët e tyre nga Roma, për të koordinuar aktivitetet nga Athina.
24 qershor 1953
Departamenti i Shtetit
Integriteti territorial i Shqipërisë
Dokumentet e mëposhtme janë mbi subjektin e memorandumit tuaj dhe mund të ndihmojnë në materialet për “integritetin territorial të Shqipërisë” dhe gjithashtu duhet se bëjnë të qartë nevojën për nxitjen e veprimeve të tjera sipas këtyre linjave. Mesazh për popullin shqiptar nga sekretari Acheson, 13 maj 1951
Dokumenti mbi Italinë e Vatikanin
Në konferencën e tij të sotme për shtyp, zëdhënësi i kryeministrit italian tha: “Fakti se de Gaspari ka marrë pjesë në takimin e ministrave të jashtëm në Paris në një pikë të tillë të fushatës së tij, do të thotë se sa e rëndësishme për Italinë komuniteti ndërkombëtar”. Në lidhje me subjektin e marrëdhënieve Shqipëri-Itali, zëdhënësi tha se ato ende nuk kishin arritur në pikën e dëshirueshme normalizimit për arsye të disa politikave të Tiranës: Kjo e fundit ka dhënë të tjera prova të intolerancës së saj me një not proteste në Romë kundër transmetimeve të rrjetit italian RAI, si dhe me kërkesat për arrestime dhe ekstradime të disa liderëve politikë shqiptarë në Itali. Ministria e jashtme e Italisë refuzoi notën e protestës duke thënë se Itali ishte një vend i lirë, dhe kushtetuta i garantonte të drejta azilantëve apo refugjatëve politikë. Ishte e sigurt se në Shqipëri, ashtu si në vende të tjera prapa Perdes së Hekurt, ekzistonin ndjenja revolte dhe rezistence. Ato kishin uljet e ngritjet e tyre, sipas aftësisë së policisë për t’i shtypur. Sidoqoftë, pikëpamja italiane për Shqipërinë ishte e ditur: ajo donte liri, pavarësi dhe integritet territorial.
Komentet