Rusia duket se ka më tepër gatishmëri për të vendosur armatime atomike sot se sa gjatë Luftës së Ftohtë, tha mbrëmë vonë, sekretari amerikan i mbrojtjes, Ashton Carter.
Mëtutje, duke folur në një bazë ajrore ushtarake në Dakotën Vriore, ai e ka akuzuar Moskën për “frikësim atomik”, derisa ndërmerr më tepër ushtrime atomike dhe angazhohet në më tepër retorikë të zëshme bërthamore.
“Është fakt i sigurt se përdorimi më i mundshëm i armatimit atomik sot nuk është këmbimi bërthamor masiv i tipit të Luftës së Ftohtë, por kthimi jo i mençur në sulme më të vogla por të tmerrshme dhe të paprecedente, për shembull nga Rusia ose Koreja Veriore”, tha Ashton Carter.
Ai, po ashtu, ka shprehur shqetësim për ecjen e Rusisë kah shqyrtimi i përgjithshëm i sistemeve të armatimit atomik, bile edhe derisa sekretari Carter ka shpallur se Shtetet e Bashkuara do të ecin përpara me ndërtimin e gjeneratës së re të armatimit atomik, me çmim prej më tepër se 100 miliardë dollarë.
Ashton Carter konsideron se forcimi atomik rus i “shtron pyetjet serioze për përkushtimin e liderëve të saj për stabilitetin strategjik, qëndrimin e tyre për marrëveshjet e krijuara afatgjata kundër përdorimit të armatimit atomik dhe nëse ata e respektojnë kujdesin e thellë që e kanë treguar liderët e periudhës së Luftës së Ftohtë, sa i përketë kërcënimit nga armatimi bërthamor”.
Komentet