Presidenti Joe Biden i ka kërkuar drejtorit të FBI-së Christopher Wray të vazhdojë të qëndrojë në detyrë, gjë që ai e ka pranuar, bëri të ditur një burim i zbatimit të ligjit për agjencinë “Reuters”.
Zoti Wray ishte shpesh në shënjestër të ish-Presidentit Republikan Donald Trump për shkak të refuzimit të tij për të mbështetur pretendimet e rreme për manipulime në zgjedhjet e 3 nëntorit.
Vendimi i zotit Biden për të mbajtur zotin Wray si shef të Byrosë Federale të Hetimit u mirëprit nga kryetari i Komisionit të Zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve, Adam Schiff, një kritik i mënyrës se si zoti Trump i ka trajtuar çështjet e zbulimit.
“Christopher Wray u bë drejtor i FBI-së në një moment turbullirash të jashtëzakonshme që kishin përfshirë byronë dhe vendin. Ai ka shërbyer me profesionalizëm dhe integritet të madh. Jam i lumtur që Presidenti Biden synon ta mbajë në detyrë zotin Wray “, tha zoti Schiff.
Zoti Schiff tha se mezi priste të punonte me zotin Wray për të analizuar “dështimin e operacioneve të zbulimit e sigurisë në raport me sulmin e 6 janarit ndaj Kapitolit dhe nevojën për të zgjeruar në mënyrë dramatike vëmendjen dhe burimet financiare ndaj kërcënimit që paraqet terrorizmi i brendshëm“.
Shtatorin e kaluar zoti Wray u tha ligjvënësve të një komisioni të Dhomës së Përfaqësuesve se Rusia po ndërhynte në zgjedhjet presidenciale, duke përhapur disinformata ndaj kandidatin Joe Biden.
Zoti Wray shtoi gjithashtu se FBI-ja po kryente hetime të shumta ndaj ekstremistëve të dhunshëm të brendshëm dhe se “pjesa” më e madhe e hetimit përfshinte grupe supremaciste të bardha.
Lidhur me Kinën, zoti Wray tha se FBI-ja hapte “çdo 10 orë” një hetim të ri kundërzbulimi ndaj Pekinit.
Christopher Wray u betua në 2 gusht 2017 për një mandat 10 vjeçar në krye të FBI-së. Rrjeti televiziv CNBC ishte që i pari që njoftoi vendimin e Presidentit Biden për ta mbajtur atë në krye të Byrosë Federale të Hetimit.
Komentet