Kryeshefi ekzekutiv, Adam Boehler dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, duke nënshkruar një deklaratë të përbashkët.
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq dhe kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA (DFC), Adam Boehler, nënshkruan një deklaratë të përbashkët, përmes së cilës u zotuan të zbatojnë marrëveshjen e 4 shtatorit për normalizim ekonomik të arritur në Uashington nga Kosova dhe Serbia.
E njëjta deklaratë, mes Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit të SHBA-së dhe Kosovës, u nënshkrua të hënën nga Boehler dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.
Në ceremoninë e nënshkrimit të deklaratës u bë edhe hapja simbolike e zyrës së Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit së SHBA-së në Beograd.
Kryeshefi i DFC-së, Adam Boehler në një konferencë për media tha se hapja e zyrës së kësaj Korporate në Beograd shënon një “epokë të re” në marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë, duke shtuar se kjo Korporatë planifikon të investojë miliona dollarë në projekte të ndryshme, të cilat tani janë në proces të vlerësimit.
Duke folur për marrëveshjen për normalizim ekonomik, të arritur më 4 shtator, Boehler tha se kjo marrëveshje është një reflektim, se rajoni duhet të shikojë kah e ardhmja.
“Marrëveshja që është nënshkruar në Uashington më 4 shtator nuk është vetëm historike, po reflektim që rajoni nuk do të jetë i mbërthyer në të kaluarën, por do të shikojë kah e ardhmja. Zyra e DFC-së (në Beograd) tregon interesimin tonë për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të këtij rajoni”, tha ai.
Vuçiq: Serbia do të zbatojë marrëveshjen e 4 shtatorit
Në konferencën për media presidenti serb, Aleksandar Vuçiq tha se Serbia do të zbatojë obligimet dhe marrëveshjen e Uashingtonit.
Ai tha se kjo është një ditë e rëndësishme për bashkëpunimin tregtar mes Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara.
“Absolutisht jam i sigurt se mund të arrijmë rezultate të mëdha me miqtë tanë amerikanë. Kjo është një ditë e mirë për Serbinë”, u shpreh Vuçiq.
“Aty ku amerikanët duan të investojnë, atje ku është agjencia amerikane e zhvillimit, ka punë. Ne jemi krenar që zyra e tyre po hapet në Beograd”, tha presidenti serb.
Presidenti serb tha se hapja e zyrës së DFC-së në Beograd do të jetë në të mirë të serbëve dhe shqiptarëve.
“Do të mbrojmë interesat tona, por gjithashtu do të kujdesemi për prosperitetin e njerëzve. Ne do të ndërtojmë rrugë, hekurudha”, tha presidenti Vuçiq.
Dialogu me Kosovën do të vazhdojë nën kujdesin e Brukselit, tha Vuçiq, duke shtuar se Serbia mirëpret “edhe takimet me miqtë amerikanë”.
Odat ekonomike të Kosovës dhe Serbisë me grup punues për marrëveshjen e Uashingtonit
Më herët gjatë ditës së martë, në rezidencën e ambasadorit amerikan në Serbi, odat ekonomike të Kosovës dhe Serbisë njoftuan janë pajtuar që të krijojnë një grup punues, që do të ndihmojë qeveritë e të dyja shteteve për të zbatuar projektet e marrëveshjes së Uashingtonit nga 4 shtatori, si dhe të ofrojë mbështetje për zbatimin e projekteve të infrastrukturës, energjisë dhe krijimit të vendeve të punës.
Në takim kanë marrë pjesë drejtori i Korporatës, Adam Boelher, i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell , ambasadori Godfrey, përfaqësuesit e odave të Kosovës dhe Serbisë, Berat Rukiqi, përkatësisht Marko Çadezh si dhe kryetari i Odës amerikane në Serbi, Zoran Petroviq.
Kryeshefi ekzekutiv i Koorporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA, Adam Boehler, tha se Kosova dhe Serbia me marrëveshjen për normalizim ekonomik, kanë “të mirën e popullit dhe jo politikës”.
“Dua të shpreh mirënjohjen për Prishtinë dhe Beogradin që kanë vendosur në të mirën e popullit dhe jo politikë sepse në fund të fundit, normalizimi ekonomik do të thotë investim. Kjo nuk është një situatë kur një vend humb e një tjetër fiton”, tha Boehler.
Pas takimit, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi tha se marrëveshja e arritur në Uashington më 4 shtator për normalizim ekonomik, është marrëveshje e rëndësishme për Kosovën dhe Serbinë si dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Temat politike nuk kanë dhënë investime dhe hapje të vendeve të reja të punës. Ajo që do të bëjmë ne është të fokusohemi në prioritetet e projekteve të ekonomisë dhe shumë të tjera”, tha Rukiqi.
Ndërkaq, kreu i Odës Ekonomike të Serbisë, Marko Çadezh tha se do të dëshmohet se marrëveshja e arritur në Shtëpinë e Bardhë, ka sjellë stabilitet në rajon.
“Tash kemi një ekip të përbashkët për të mbështetur projektet dhe për t’i dhënë ekspertizë qeverive tona që të zbatojnë projektet”, tha Çadezh.
Grenell: Marrëveshja do të krijojë vende të reja pune
Ndërkaq, i dërguari i presidentit amerikan për dialogun, Richard Grenell, tha se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, vendosi në rend të parë çështjet ekonomike, sa i përket Kosovës dhe Serbisë.
“Ne nuk do të ishim këtu po të mos ishte presidenti Donald Trump, i cili besoi se mund të bëhej diçka ndryshe dhe që beson se ekonomia duhet të jetë në rend të parë”, tha Grenell duke shtuar se shteti nuk krijon vende pune, por sektori privat.
“Ajo që kemi bërë në Uashington është e mrekullueshme, por nuk është e gjitha, ne duam që ju të na mbani përgjegjës dhe ajo që është në letër duhet të kthehet në punë”, shtoi Grenell.
Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Anthony Godfrey, e përshkroi vizitën e delegacionit amerikan si një sinjal të fuqisë së marrëveshjes së Uashingtonit, duke shtuar se ata tani kanë arritur një marrëveshje të re që “do të përmirësojë tregtinë, komunikimet dhe përmirësojë standardet e jetesës së njerëzve në rajon”.
Gjatë qëndrimit në Prishtinë, ku u nënshkrua edhe deklarata e përbashkët me Kosovën, Boehler tha se dokumenti i nënshkruar ka në vete zotimet për përshpejtimin e investimeve në Kosovë.
“Marrëveshja që kemi nënshkruar sot (21 shtator) ka qenë zotim për të përshpejtuar investimet në Kosovë. Ne kemi qenë duke punuar në përgatitjet për mundësitë e asaj që ndodhi disa javë më parë. Kemi punuar me ambasadën tonë, me ambasadorin tonë dhe kemi projekte në vlerë deri në 1 miliard dollar. Aty përfshihet Autostrada e Paqes, hekurudha, gazi i lëngshëm natyror. Kemi biseduar edhe për mundësinë e investimit në një resort të skijimit. Po ashtu do të ofrojmë mbështetje direkte për bizneset e vogla dhe të mesme”, ka thënë Boehler në Prishtinë.
Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ka konfirmuar se ministrat e kabinetit qeveritar do të formojnë ekipe të veçanta, të cilat do të dakordohen me ekipet e SHBA-së për zbatimin e projekteve që dalin nga marrëveshja e 4 shtatorit.
Hoti dhe Vuçiq kanë nënshkruar marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e presidentit Trump.
Dy palët, megjithatë, nuk i kanë hedhur nënshkrimet në dokumentin e njëjtë, por secila veç e veç i ka nënshkruar zotimet e saj.
Trump, në anën tjetër, ka nënshkruar një letër, përmes së cilës i ka përgëzuar palët për guxim drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Marrëveshja për normalizim ekonomik, ndër të tjera parasheh operacionalizimin e autostradës Prishtinë-Beograd, lidhjes hekurudhore Prishtinë-Merdare, lidhjes hekurudhore Nish-Prishtinë, sigurimin e financave për mbështetjen e kredive që kërkohen për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, projekte shtesë dypalëshe dhe prani e plotë ndërkombëtare në Beograd, e DFC-së.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë, Nevzad Lutfiu, ka thënë se Gjykata Kushtetuese në Serbi e ka legalizuar pasivizimin e adresës së një shqiptari nga Medvegja.
Në në postim në Facebook, Lutfiu shprehet se Safet Demirit i është refuzuar ankesa nga kjo gjykatë për kthimin e adresës, dhe se kjo do të thotë që edhe institucioni më i lartë i drejtësisë në Serbi e legalizoi pasivizimin e adresave.
“Safetit i është hapur rruga për në Strasburg dhe ai do ta ndjekë atë. Ky spastrim etnik duhet të ketë verdikt ndërkombëtar, prandaj i ofroj mbështetjen time të plotë Safet Demirit”, sqaroi më tej Lutfiu. sn
Ish-ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, Radmilla Shekerinska, është emëruar të martën zëvendëssekretare e Përgjithshme e NATO-s, njoftoi aleanca ushtarake.
NATO-ja tha se shefi i aleancës, Mark Rutte, vendosi ta emërojë Shekerinskan si zëvendëssekretare të ardhshme.
“Kam kënaqësinë të njoftoj emërim e Radmila Shekerinska si zëvendëssekretare të Përgjithshme. Ajo beson vërtet në NATO, e di punën që nevojitet për të qenë pjesë e aleancës, dhe çfarë do të thotë të jesh anëtar i plotë”, tha Rutte.
Shekerinska do ta marrë zyrtarisht detyrën e re në fund të këtij viti.
Ajo ka shërbyer në të kaluarën si zëvendësministre për Integrim Evropian dhe ministre e Mbrojtjes e Maqedonisë, përfshirë gjatë kohës kur vendi i saj iu bashkua aleancës së NATO-s më 2020.
Shekerinska do ta zëvendësojë zëvendëssekretarin e Përgjithshëm në detyrë, Boris Ruge, i cili e mori këtë pozitë përkohësisht në fillim të vjeshtës, pasi zëvendëssekretari i atëhershëm, Mircea Geoana njoftoi se do të garonte për president të Rumanisë.
Disa zyrtarë të NATO-s, të cilët folën me kusht që të mbeteshin anonimë, thanë për Radion Evropa e Lirë se ekzistonte një dëshirë e fortë që këtë pozitë ta merrte dikush nga Evropa Qendrore dhe Lindore dhe ajo t’i takonte një gruaje.
Ndër kandidatët e tjerë ishin ish-ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Maria Gabriel, ish-presidentja e Kroacisë, Kollinda Grabar-Kitaroviq, dhe Olivera Injac, e cila ishte ministre e Mbrojtjes në Malin e Zi nga viti 2020 deri në vitin 2022.
Shekerinska do të jetë zyrtarja më e lartë e NATO-s nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, jashtë Bashkimit Evropian. Aktualisht, ajo është nënkryetare e Partisë së Socialistëve Evropianë.
Roli kryesor i zëvendësit të sekretarit të Përgjithshëm është ta zëvendësojë kreun dhe t’i kryesojë takimet e 32 ambasadorëve në Këshillin Veri-Atlantik dy herë në javë, ose në çdo takim urgjent, përfshirë edhe Këshillin NATO-Ukrainë. REL
Presidenti rus Vladimir Putin ftoi presidentin serb Aleksandar Vuçiç dhe atë të Republika Srpska Milorad Dodik për të vizituar Moskën në maj të vitit të ardhshëm, kur do të shënohet 80-vjetori i fitores në Luftën e Dytë Botërore.
“Ju ftoj të merrni pjesë në festimet e 80-vjetorit të fitores në Luftën e Madhe Patriotike, që do të mbahet në Moskë më 9 maj 2025”, tha Putin në ftesën drejtuar liderëve serbë.
Në ftesë, Putin theksoi se është i bindur se ruajtja e kujtimit të fitores së madhe do të forcojë vendosmërinë e përbashkët për të kundërshtuar çdo manifestim të neonazizmit dhe për të rritur bashkëpunimin konstruktiv për të garantuar paqen dhe sigurinë në planet.
Presidenti i entitetit boshnjak Republika Srpska Milorad Dodik u mburr në rrjetin X me ftesën e ardhur direkt nga Kremlini.
“Jam i nderuar dhe mirënjohës për ftesën e Presidentit të Federatës Ruse, Vladimir Putin, për të marrë pjesë në ngjarjet ceremoniale me rastin e 80-vjetorit të Fitores në Luftën e Madhe Patriotike, që do të mbahet në Moskë”, shkroi Dodik.
Kujtojmë se që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë, Dodik është takuar disa herë me Presidentin e Rusisë.
Ish-gjenerali i Ushtrisë së Republikës Sërpska, Radisllav Kërstiq, të cilin gjykata e Hagës e dënoi me 35 vjet burg dy dekada më parë për ndihmë dhe mbështetje të gjenocidit në Srebrenicë, e ka pranuar përgjegjësinë dhe ka shprehur pendesë për pjesëmarrjen e tij në gjenocid.
Kërstiq, në një letër drejtuar gjykatës ku kërkoi lirim të parakohshëm nga burgu, shkroi se do të kishte votuar për Rezolutën e Kombeve të Bashkuara për Srebrenicën.
“Nuk kam të drejtë vote, sepse në këtë Rezolutë përmendet emri im pasi kam kryer një vepër penale të papërfytyrueshme dhe të pafalshme”, ka shkruar Kërstiq në letrën drejtuar kryetares së gjykatës.
Ai ka shkruar gjithashtu se, nëse i jepet mundësia, do të shkonte në Potoçar për t’i “nderuar” viktimat e gjenocidit.
Në qershor të vitit 2024, mbrojtja e Radisllav Kërstiqit paraqiti kërkesë për lirimin e tij të parakohshëm në Mekanizmin Ndërkombëtar për Gjykatat Penale (ish-Tribunali i Hagës), duke bashkëngjitur letrën e shkruar nga vetë Kërstiq, ku ai kërkon që ajo të bëhet publike.
Kjo letër u shpërnda për media më 13 nëntor nga Mekanizmi në Hagë.
Qendra Memoriale në Potoçari pret që ish-gjenerali Kërstiq, pasi pranoi përgjegjësinë për gjenocidin në Srebrenicë, të ndajë me Prokurorinë gjithçka që di për krimet e luftës, tha për Radio Evropa e Lirë Allmasa Sallihoviq, zëdhënëse e kësaj qendre ku janë varrosur viktimat e gjenocidit në Srebrenicë.
Ajo, duke komentuar deklaratën e Kërstiqit, tha se Qendra Memoriale “përshëndet pranimin e përgjegjësisë”.
Nura Begoviq, e cila në gjenocidin e Srebrenicës humbi 19 anëtarë të familjes, tha për Radio Evropa e Lirë se ” Kërstiq sigurisht nuk e bën këtë nga zemra, por vetëm për siguruar falje”.
“Ai do të vinte në Potoçari, është e rëndësishme që e tha këtë, por me siguri familjet nuk do të dëshironin të takoheshin me të”, tha Begoviq.
Rasti i Kërstiqit
Dhoma e Apelit e Tribunalit të Hagës më 2004 e dënoi përfundimisht me 35 vjet burgim ish-komandantin e Korpusit të Drinës së Ushtrisë së Republikës Sërpska, Radisllav Kërstiq, duke e shpallur fajtor për ndihmë dhe mbështetje të gjenocidit në Srebrenicë, përndjekje dhe vrasje të boshnjakëve të Srebrenicës në korrik të vitit 1995.
Ky ishte vendimi i parë përfundimtar me të cilin Tribunali i Hagës konstatoi se Ushtria e Republikës Sërpska kreu gjenocid në Srebrenicë. Ky vendim ia uli dënimin prej 45 vjet burgim Kërstiqit, të cilin ia kishte shqiptuar në vitin 2001 Dhoma e Shkallës së Parë të Tribunalit.
Me vendimin e shkallës së parë, Kërstiq ishte dënuar për kryerje të gjenocidit, por Dhoma e Apelit ndryshoi atë pjesë të vendimit.
Kërstiq në letrën drejtuar kryetares së gjykatës deklaroi se pranon vendimet e Tribunalit të vitit 2001 dhe 2004.
Ai konfirmoi se dinte që “disa anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm kishin për qëllim të kryenin gjenocid”, por se ai shtab “nuk kishte forca të mjaftueshme për të kryer ekzekutimet” pa “përdorimin e Korpusit të Drinës”, të cilin Kërstiq e komandonte asokohe.
“E dija që përdorimi i forcave nën komandën time do të kontribuonte në mënyrë të konsiderueshme në ekzekutimin e të burgosurve boshnjakë”, ka shkruar Kërstiq në letër.
Ai ka konfirmuar gjithashtu se ka ndihmuar dhe mbështetur krimin kundër njerëzimit duke marrë pjesë në një ndërmarrje të përbashkët kriminale për zhvendosjen me dhunë të civilëve boshnjakë nga Potoçari, prej 10 deri më 13 korrik 1995.
“Kam marrë pjesë në krijimin e një krize humanitare që i parapriu zhvendosjes së detyruar të grave, fëmijëve dhe të moshuarve nga Srebrenica, në të cilën gjithashtu kam marrë pjesë, duke ditur që civilët në Potoçari ishin të ekspozuar ndaj vrasjeve, përdhunimeve, rrahjeve dhe abuzimeve”, ka shkruar Kërstiq.
Ai shtoi se gjenocidin në Srebrenicë e kryen individë dhe se për veprat dhe krimet e tyre duhet të përgjigjen, duke shtuar se “fatkeqësisht edhe unë jam një nga ata”.
Kërstiq ka deklaruar gjithashtu se po i drejtohet me letër publikut në ish-Jugosllavi.
“Do të doja që fjalët e mia t’i lexojnë dhe kuptojnë të rinjtë që sot jetojnë në hapësirat ku dikur ishte një vend që quhej Jugosllavi (…), të ndalojnë dhe të mendojnë – kurrë më. Kurrë më luftë, kurrë më vdekje për shkak të fesë, kombit ose bindjeve të ndryshme, kurrë më gjenocid”, ka shkruar Kërstiq.
Radisllav Kërstiq u arrestua nga forcat ndërkombëtare në Bosnje e Hercegovinë më 2 dhjetor 1998. Pas vendimit përfundimtar, ai u dërgua në Britani të Madhe në vitin 2004 për të vuajtur dënimin.
Në një burg britanik, ai u sulmua dhe u plagos nga të burgosur të tjerë, për çka më 2013 u transferua në Poloni.
Pasi vuajti dy të tretat e dënimit, autoritetet polake, sipas ligjit të atjeshëm, nuk kishin mundësi ta mbanin më në burg, prandaj Kërstiq u rikthye në paraburgim në Hagë, ku ndodhet aktualisht.
Gjykata disa herë më parë e ka refuzuar kërkesën e tij për lirimin e parakohshëm për shkak të rëndësisë së krimit për të cilin është dënuar.
Vendimin për kërkesën e re do ta marrë kryetarja e gjykatës Grasiela Gati (Graciela Gatti) Santana.
Forcat e Ushtrisë së Republikës Sërpska vranë në korrik 1995 në Srebrenicë më shumë se 8.000 burra dhe djem boshnjakë.
Për këto krime, disa gjykata kanë dënuar më shumë se 50 persona me mbi 700 vjet burgim për gjenocid dhe krime lufte në Srebrenicë.
Në mesin e tyre janë edhe ish-presidenti i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së atëhershme serbe, Ratko Mlladiq. Të dy janë dënuar me burgim të përjetshëm.
Ministri turk i Mbrojtjes Yasar Guler lëshoi një paralajmërim të ashpër se Izraeli mund të përbëjë një kërcënim të drejtpërdrejtë për Turqinë, duke deklaruar se “Izraeli është një vend agresiv; mund të na sulmojë”, ndërsa la te kuptohet mundësinë e shpërthimit të Luftës së Tretë Botërore në çdo moment.
Duke folur gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë per nje television lajmesh ne Turqi, ministri Guler theksoi se Turqia duhet të jetë e përgatitur për çdo skenar.
Kur u pyet nëse Izraeli mund të ishte një kërcënim i drejtpërdrejtë për Turqinë, Guler u përgjigj:
“Presidenti ynë po paralajmëron shoqërinë sepse e sheh këtë rrezik. A do të shprehte zoti President shqetësime të tilla nëse nuk do të shihte një kërcënim të mundshëm nga Izraeli?”.
Guler tërhoqi paralele historike, duke kujtuar se si luftërat e mëparshme botërore nisën nga ngjarje në dukje të vogla, duke paralajmëruar se konflikti mund të shpërthejë papritur. “Sigurisht, ne nuk duam luftë, por duhet të jemi gjithmonë të gatshëm”, tha ai.
Ministri i Mbrojtjes theksoi se prioriteti i Turqisë është ruajtja e paqes, por shtoi se forcat e sigurisë së vendit po bëjnë plane të detajuara për çdo kërcënim të mundshëm. Komentet e Guler vijnë mes tensioneve të rritura rajonale, me operacionet ushtarake të Izraelit në Gaza dhe Liban që ngjallën shqetësime të përhapura në të gjithë Lindjen e Mesme. bw
Vaslije Krgoviq, pjesëtar i Ushtrisë së Malit të Zi (MCG), dyshohet se është arrestuar më 5 nëntor të këtij viti në ngjarjet në fshatin Mojkovac të Shtitaricës.
Sipas informacioneve që ka portali malazez Antena M, Krgoviq, me origjinë nga Donji Polje – Komuna e Mojkovcit, është i afërt me Demokracinë e Re Serbe, partinë e Andrija Mandiqit.
Fotografia e publikuar tregon Krgoviqin me anëtarët e sigurimit të partisë së Mandiqit dhe Mihail Çagjenoviqin, ish-shoferin e Mandiqit, i akuzuar në rastin “grusht shteti” për tentativë terrorizmi.
Më 5 nëntor, katër burra u dërguan në Departamentin e Sigurisë së Mojkovcit (OB) në Shtitaricë, sepse ata “provuan të thyejnë shtizën e flamurit shtetëror të Malit të Zi” natën vonë.
E kjo raportohet se nuk ishte hera e parë e këtij veprimi.
Në Shtitaricë, një grup vendasish për herë të dytë vendosën flamurin e Malit të Zi. Më herët gjatë instalimit të parë, është vjedhur flamuri malazez.
“Antena M” raporton se të hënën, Ministria e Punëve të Brendshme – Drejtoria e Policisë – Qendra Rajonale e Sigurisë – Mojkovac i është drejtuar zyrtarisht Ministrisë së Punëve të Brendshme për Krgoviqin lidhur me ngjarjet aktuale në Shtitaricë.
Tensionet në fshatin Shtitaricë u shkaktuan në fillim të festës së këtij viti, kur – sipas disa dëshmitarëve – nga dega e Kishës së Serbisë – Dioqeza e Budimljansko-Nikshicka Ljubisha alias Metodij Ostojic urdhëroi papritmas aktivistët vendas (komiteti i kishës) për të qëndruar përpara hyrjes së tempullit, pasi ata vunë në shtyllë flamurin serb. sn
Moment nga arrestimi i afaristit Zoran Beqiroviç nga policia e Malit të Zi
VOA/Ali Salaj
PODGORICË – Afaristi dhe sipërmarrësi i njohur i Malit të Zi, Zoran Beqiroviç, djali dhe truproja e tij janë arrestuar nën dyshimet se kanë sulmuar gazetaren e gazetës së përditshme ditore “Pobjeda”, Ana Raiçkoviç dhe familjen e saj, njoftoi të hënën policia malazeze.
Sipas autoriteteve, tre të dyshuarit sulmuan “verbalisht dhe fizikisht” gazetaren Raiçkoviç dhe anëtarët e familjes së saj të dielën në Podgoricë. Vetura e zonjës Raiçkoviç u dëmtua gjatë sulmit, sipas njoftimit të policisë.
Sulmi ndaj gazetares Raiçkoviq, e cila raporton mbi ngjarjet e kronikës së zezë në gazetën “Pobjeda”, është dënuar nga udhëheqësit malazezë, zyrtarët ndërkombëtarë dhe sindikata e gazetarëve.
“Liria e medias dhe puna e papenguar e gazetarëve është thelbësore për demokracinë”, deklaroi Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç.
Presidenti malazez, Jakov Milatoviç, kërkoi nga autoritetet shtetërore “të krijojnë një mjedis në të cilin gazetarët do të mund ta bëjnë punën e tyre të papenguar dhe pa frikë”.
Ambasadori i BE-së në Mal të Zi, Johan Sattler, tha se BE-ja “pret një hetim të shpejtë dhe një përgjigje efektive gjyqësore”.
“Dhuna ndaj gazetarëve nuk ka vend në një shoqëri demokratike”, shkroi zoti Sattler në platformën X.
Sindikata e Medias së Malit të Zi (SMCG) bëri thirrje për ndjekjen e menjëhershme të autorëve të sulmit, duke theksuar se vetëm në këtë mënyrë “mund të dërgohet një mesazh i qartë se nuk ka të paprekshëm në këtë shoqëri dhe se çdo përplasje fizike dhe verbale me përfaqësues të mediave është e papranueshme”.
Gjatë vitit 2024, sipas kësaj sindikate, janë shënuar 18 sulme apo incidente ndaj gazetarëve në Mal të Zi.
Qytetarët dhe aktivistët serbë kanë protestuar sërish ditën e djeshme pas vdekjes së 14 personave nga shembja e strehës së betonit të Stacionit Hekurudhor në këtë qytet më 1 nëntor.
Ata i bëjnë thirrje qeverisë për përgjegjësi dhe kërkojnë dorëheqjen e kryetarit të Komunës së Novi Sadit, Milan Gjuriç, dhe kryeministrit të Serbisë, Milos Vuçeviç. Siç shihet edhe në foto pjesëmarrësit e protestës, të udhëhequr nga organizatorët kanë lyer urën me ngjyrë të kuqe, duke lënë gjurmë të duarve të përgjakura.
Me ngjyrë të kuqe, ata kanë shkruar mbi urë mesazhe kundër presidentit serb, Aleksandar Vuçiç Disa nga mesazhet janë: “pushteti absolut, përgjegjësi absolute”, “vitet e heshtjes përfundojnë me një minutë heshtje” si dhe “duart e tua janë të përgjakura”.
Stacioni Hekurudhor në Novi Sad u hap solemnisht në muajin korrik të vitit 2024, pas një rindërtimi trevjeçar. Shkaqet e shembjes së tendës prej betoni të Stacionit Hekurudhor në Novi Sad ende nuk dihen.
Deri më 5 nëntor, Prokuroria e Lartë në Novi Sad ka marrë në pyetje 48 persona, përfshirë ish-ministrin e ndërtimit, drejtorin e Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës në Novi Sad, përgjegjësit në “Hekurudhat e Serbisë” dhe “Infrastrukturën e Hekurudhave të Serbisë”, si dhe përgjegjësit për ekzekutimin e punimeve për shkak të aksidentit të 1 nëntorit.
Pas aksidentit, në Novi Sad dhe Beograd janë zhvilluar disa protesta nga aktivistët, opozita dhe një pjesë e qytetarëve, të cilët i kanë bërë thirrje qeverisë për përgjegjësi.
Gjatë protestës së 5 nëntorit në Novi Sad ndodhën incidente kur grupe burrash, kryesisht me maska dhe kapuçë, hodhën mjete piroteknike, gurë dhe sende të tjera drejt ndërtesës së Komunës, ndërsa policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës. Gjithashtu për shkak të trazirave para ndërtesës së Komunës së Novi Sadit më 5 nëntor, u arrestuan 14 persona. sn
Partitë proserbe dhe pro-ruse kërkojnë që gjuha serbe të jetë gjuhë zyrtare në Mal të Zi duke marrë parasyshë faktin se, sipas tyre, regjistrimi i popullsisë tregoi se shumica e banorëve flasin këtë gjuhë.
Këtë ndryshim të statusit të gjuhës serbe analistët e shohin si një kërkesë politike që ka për qëllim polarizimin e skajshëm të shoqërisë malazeze.
Ngritja e kësaj çështjeje, sipas analistit dhe gjuhëtarit Haxhi Shabani ka pretendime ndaj pavarësisë dhe shtetësisë së Malit të Zi.
“Duke pasur parasyshë ngjajshmëritë e shumta të gjuhëve që përdoren në Malin e Zi, gjuha serbe dhe gjuha malazeze realisht nuk kanë ndryshime thelbësore, prandaj mund të themi se serbishtja është një gjuhë që faktikisht është në përdorim zyrtar prandaj kërkesa është një çështje që ngritet për të pasur pretendime të tjera. Ato pretendime mund të jenë shumë më afatgjate dhe më të dëmshme për funksionimin e shtetit të Malit të Zi,” thotë zoti Shabani.
Edhe analisti dhe ish-kryeredaktori i disa mediave malazeze, Xhevdet Pepiq tha se këto kërkesa janë lojëra politike me qëllim të ruajtjes së elektoratit.
“Këto janë disa lojëra të partive politike për ta ruajtur elektoratin e vet pasi kjo çështje nuk paraqet asnjë interes për qytetarët e Malit të Zi,” tha Pepiq.
Zoti Pepiq, vuri në dukje se në këtë kuadër nuk kemi asgjë të re përveç ndarjeve edhe më të thella ndëretnike në vend dhe se partitë politike po luajnë me ndasitë e identitetit gjuhësor për tu forcuar në skenën politike në Malin e Zi.
Analisti Nikollë Berishaj vë në dukje se marrja me çështjet gjuhësore sinjalizon për krizën e identitetit që mbretëron në Malin e Zi.
Në regjistrimin e popullsisë, sipas gjuhëtarit Haxhi Shabani janë vërejtur disa dukuri të pakuptimta që janë pasojë e politikave diskriminuese.
“Në këto regjistrime ka edhe disa absurditete, si përshembull më shumë ka malazezë se sa ka folës që gjuhë amtare kanë gjuhën malazeze. Kjo ndodh edhe me shqiptarët: më shumë ka folës të gjuhës shqipe se sa ka shqiptarë. Këto janë pasoja të politikës diskriminuese,” tha analisti Shabani.
Edhe pse gjuha serbe, sipas analistëve, është e përcaktuar në Kushtetutë si “gjuhë në përdorim zyrtar”,së bashku me gjuhët tjera që fliten në vend, kjo kërkesë e partive pro-serbe ka për qëllim dobësimin e shtetit qytetar dhe imponimin e politikës së identitetit etnik gjë që, sipas tyre, shkakton ndarje dhe fërkime të ashpra në shoqërinë malazeze.
Aleksandar Vulin, ish-ministër i Mbrojtjes dhe ish- drejtor i BIA-s, përmes Marko Knezheviq me para të ‘pista’ ka financuar organizata dhe individë në Serbi dhe ka tentuar nxitjen e trazirave në Kosovë.
Në një video të publikuar së fundmi, i infiltruari i Vulinit, Knezheviq i arrestuar muaj më parë në Kosovë shihet duke dorëzuar para tek udhëheqësi i Lëvizjes “Levijatan”, Pavle Bihali.
Avokati nga Serbia Cedomir Stokjoviq thotë se është i bindur që këto para, të dërguara në kesh siç shihet në video janë përdorur për krijimin artificial të protestave në Bërnjak dhe Jarinje.
Stojkoviq thotë se video është bërë për t’ia dëshmuar Vulinit besnikërinë.
Bashkëpunëtori i Aleksandar Vulin, Knezheviq, në këtë video i dorëzon 43,000 euro para në dorë presidentit të organizatës naziste Leviathan, Pavlo Bihalja dhe e regjistron në telefon për të vërtetuar dorëzimin dhe për të justifikuar Vulinën. Bihalji është gjithashtu kryetar i “Lëvizjes Serbo-Ruse”, një organizatë, krijimi i së cilës u koordinua nga Vulin”.
Stojkoviq është i bidnur se nga konteksti i videos se kjo është vetëm një nga shumë dërgesat e parave kesh.
“Për çfarë qëllimi? Për secilin: për krijimin artificial të protestave në Bërnjak dhe Jarinje, për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale, për sulme dhe kërcënime ndaj aktivistëve properëndimorë dhe frikësim të njerëzve normalë…”, ka shkruar Stokjoviq.
Sipas gazetës Blic, udhëheqësi i lëvizjes të “Leviathan” Pavel Bihali, veprimtarinë tij e ka të shtrirë edhe në Kosovë, kryesisht përmes Dragan Grmushën, kryetar i shoqatës “Junak”, e cila shoqatë para opinionit prezantohet si një shoqatë që merret në radhë të parë me aksione humanitare për veteranët serbë të luftërave të viteve 1990.
Ai po ashtu ka ngritur një sistem të organizuar propagande për të mbështetur Vulin dhe ideologjinë pro-ruse, duke përdorur taktika të dezinformimit dhe manipulimit në mediat sociale.
Për të njëjtin thuhet se përdorë një mbulesë të mirë, punën e tij në të ashtuquajturën “Zyra për Kosovë”, ndërsa është i përfshirë në veprimtari të ndryshme kriminale që ndodhin në veriun e Kosovës. sn
Kështu ka thënë analisti ushtarak serb Mario Galiq gjatë një emisioni në HTV.
Ai e ka dhënë këtë informacion pasi thotë se kjo duhet të ndodhte, sepse sipas tijn të gjithë po armatosen.
“Hungaria bleu Panthers, Italia dhe Gjermania janë në prag të marrëveshjes për të filluar prodhimin serial të Panthers, Serbia filloi të blejë tanke ruse mjaft të avancuara. Të gjithë rreth nesh po armatosen. Gjendja e Forcave tona të Armatosura është aq e keqe sa nuk mund të presim më”, ka thënë analisti ushtarak serb.
Sipas tij Serbia duhet të ndryshojmë teknikën. “Sa i përket mbrojtjes së blinduar, tanket M84 ishin tashmë të vjetruara nga luftërat e kaluara” sn
Qeveria e Serbisë njoftoi të hënën se e ka miratuar një projektligj për siç e quajti ajo organizimin dhe kompetencën e autoriteteve gjyqësore serbe në ndjekjen e veprave penale të kryera në territorin e Kosovës.
Miratimi i këtij legjislacioni ishte paralajmëruar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në fillim të shtatorit, duke thënë se një prokurori speciale dhe një trup gjykues special “do t’i ndjekin penalisht të gjithë ata që marrin pjesë në persekutimin e popullatës serbe” në Kosovë.
“Zgjidhjet e propozuara ligjore parashikojnë që juridiksionin në lëndët penale në shkallë të parë ta kenë Prokuroria e Lartë Publike dhe Gjykata e Lartë në Beograd, ndërsa për procedurën në shkallën e dytë Prokuroria Publike e Apelit dhe Gjykata e Apelit në Beograd”, tha Qeveria serbe.
Ajo tha se është planifikuar që në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd të krijohet një “departament special për ndjekjen e krimeve të kryera në territorin e ‘Kosovës dhe Metohisë’”.
Më 13 shtator, presidenti serb Vuçiq njoftoi se legjislacioni për organizimin e juridiksionit të organeve gjyqësore serbe për zonën e Kosovës do të miratohej nga Kuvendi i Serbisë brenda 45 ditëve. Siç tha Vuçiq asokohe, prokuroria do të ketë “detyrë të veçantë të hetojë dhe të ndjekë penalisht veprat penale dhe të kundërligjshme të punonjësve dhe zyrtarëve të institucioneve në Prishtinë”.
Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e shpallur më 2008, dhe rrjedhimisht as institucionet e saj.
Serbët e Kosovës, posaçërisht në veri, janë udhëhequr me dekada nga Beogradi dhe nga institucionet paralele serbe, përfshirë, bankat serbe, një sistem pensionesh dhe beneficionet.
Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, ndërmori disa hapa këtë vit për t’i mbyllur institucionet paralele serbe në veri, në përpjekje për ta shtrirë autoritetin e Prishtinës në veri sa më shumë.
Qeveritë perëndimore i kanë kritikuar hapat e Kurtit duke thënë se ato janë ndërmarrë në mënyrë të “pakoordinuar” dhe në një kohë kur tensionet ende janë të larta në veri.
Në të njëjtën seancë të hënën, Qeveria serbe e ka miratuar edhe një projektligji për shpalljen e Kosovës si “zonë e mbrojtjes së veçantë sociale”.
Sipas saj, ky projektligj ofron mbështetje financiare për të papunët, gjegjësisht ata mbi 65 vjeç që nuk kanë ushtruar të drejtën e pensionit, “me qëllim të mbijetesës së tyre në atë territor dhe inkurajon ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe historike, me theks në zhvillimin demografik, ekonomik dhe kulturor”. REL
Komentet