Sekretari i Shtetit Antony Blinken thotë se Shtetet e Bashkuara nuk kanë bërë asnjë lëshim ndaj kërkesave kryesore ruse mbi Ukrainën dhe NATO-n në një përgjigje me shkrim të dërguar të mërkurën ndaj Moskës.
Rusia kishte kërkuar garanci që NATO-ja nuk do të pranojë kurrë Ukrainën si dhe vendet e tjera ish-sovjetike të bëhet pjesë e saj si dhe se aleanca të tërheqë trupat nga vendet e tjera të ish-bllokut sovjetik. Këto nuk janë pika diskutimi për SHBA-në dhe aleatët e saj.
Sekretari Blinken tha se përgjigja ndaj Rusisë e bën shumë të qartë se Shtetet e Bashkuara po u qëndrojnë parimeve të tyre, duke thënë: “Nuk ka ndryshim, dhe nuk do të ketë ndryshim”.
Ambasadori amerikan në Moskë, John Sullivan, ia dorëzoi përgjigjen zëvendësministrit të Jashtëm të Rusisë, Alexander Grushko.
SHBA nuk e ka bërë publike përgjigjen e saj, por tashmë ka paralajmëruar se kërkesat kryesore të Rusisë janë të papranueshme.
Rusia ka paralajmëruar se do të marrë shpejt “masa hakmarrëse” nëse SHBA dhe aleatët e saj refuzojnë kërkesat e saj.
Kremlini ka mohuar në mënyrë të përsëritur se ka plane për të sulmuar Ukrainën, por SHBA-ja dhe NATO janë të shqetësuara për dislokimin e rreth 100,000 trupave nga Rusia pranë Ukrainës dhe fillimin e një sërë manovrash të gjera ushtarake .
Si pjesë e stërvitjeve, njësitë e motorizuara të këmbësorisë dhe artilerisë në Rusinë jugperëndimore praktikuan gjuajtjen me municione reale. Avionët luftarakë në Kaliningrad në Detin Baltik, kryen bombardime ndërsa dhjetëra anije luftarake lundruan për manovra stërvitore në Detin e Zi dhe Arktik. Avionë luftarakë rusë dhe parashutistë mbërritën në Bjellorusi për stërvitjet e përbashkëta që do të zhvillohen në shkurt.
Duke folur me ligjvënësit, Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov tha se ai dhe zyrtarë të tjerë të lartë do të këshillojnë Presidentin Vladimir Putin për hapat e ardhshëm pas marrjes së përgjigjes nga Shtetet e Bashkuara.
“Nëse Perëndimi vazhdon kursin e tij agresiv, Moska do të marrë masat e nevojshme hakmarrëse”, tha zoti Lavrov.
Ai shtoi se Rusia nuk do të presë përgjithmonë. “Ne nuk do të lejojmë që propozimet tona të mbyten në diskutime të pafundme”, tha ai.
Zoti Lavrov ironizoi me pohimet mbi mundësinë e një pushtimi të afërt nga ana e Rudisë, duke thënë se “kolegët perëndimorë e kanë futur veten në një histeri ushtarake”, duke shtuar se edhe “vetë elita ukrainase është trembur disi nga vetë frika e perëndimit”.
I pyetur nga ligjvënësit nëse Rusia mund të zgjerojë bashkëpunimin ushtarak me Kubën, Venezuelën dhe Nikaraguan si pjesë e masave të saj hakmarrëse, zoti Lavrov u përgjigj se Moska ka lidhje të ngushta me to dhe po kërkon t’i thellojë marrëdhëniet. Ai vuri në dukje se Presidenti Puti zhvilloi biseda telefonike me udhëheqësit e tre vendeve javën e kaluar dhe ata ranë dakord të “shqyrtojnë mënyra për të thelluar më tej bashkëpunimin strategjik”.
Në fillim të këtij muaji, zëvendësi i ministrit Lavrov refuzoi në mënyrë të prerë të përjashtonte dislokimin e pajisjeve ushtarake ruse në Kubë dhe Venezuelë, nëse kërkesat e sigurisë së Moskës nuk do të përmbusheshin./ZiA
Komentet