Presidenti i zgjedhur Joe Biden, një figurë e njohur në qarqet politike të Uashingtonit prej gati gjysmë shekulli, do të pasojë Presidentin Donald Trump në janar. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Mike O’Sullivan i hedh një vështrim karrierës së politikanit me përvojë, i cili arriti fitoren e tij më të madhe në politikë, katër vjet pas largimit nga posti i nënpresidentit.
Rezultati i zgjedhjeve u përcaktua nga pak shtete, duke përfshirë edhe Pensilvaninë, ku dallimi në vota midis kandidatëve ishte shumë i ngushtë.
Presidenti aktual dhe mbështetësit e tij pretendojnë se parregullsitë përmbysën rezultatin dhe se gjithçka mund të ndryshojë.
Por kur rrjetet amerikane të lajmeve parashikuan se epërsia e zotit Biden ishte e pakapërcyeshme, ai deklaroi fitoren dhe bëri thirrje për tejkalimin e ndarjeve politike në vend.
“Për të gjithë ata që votuan Presidentin Trump, e kuptoj zhgënjimin tuaj sonte, edhe unë kam humbur disa herë. Por tani, le t’i japim një mundësi njëri tjetrit”, tha Presidenti i zgjedhur Joe Biden.
Gjatë fushatës, Presidenti Trump u përqëndrua tek çështje si trazirat shoqërore, rendi dhe ligji, ndërsa zoti Biden e kritikoi Presidentin për mënyrën se si e trajtoi pandeminë.
Presidenti Trump gjatë gjithë kohës mbeti prapa në sondazhe. Ai mbante tubime të mëdha në shtete si Miçigan dhe Uiskonsin, ku votuesit dukeshin të përçarë.
Për tetë vite, zoti Biden ka qenë nënpresident, duke luajtur rol të rëndësishëm në administratën e presidentit Barak Obama.
Ndryshe nga Presidenti Trump, që ishte risi politike kur u zgjodh më 2016, zoti Biden është një politikan me përvojë, diçka që ai e përdori edhe gjatë fushatës.
“Do të them diçka të pazakontë. Unë di të vë një qeveri në punë“, deklaroi Presidenti i zgjedhur, Joe Biden.
Zoti Biden hyri në Senat në moshën 29 vjeçare, detyrë që e mbajti për gati 50 vite.
78 vjeçari do të jetë presidenti më i moshuar në historinë e Shteteve të Bashkuara.
“Ai është neutral në sjellje dhe kjo do ta dëmtonte shumë përballë Donald Trumpit. Kjo në të vërtetë u ofron njerëzv dy alternativa mjaft të mprehta,” u shpreh Larry Sabato i Universitetit të Virxhinias.
Zoti Biden u zgjodh si kandidat i Partisë Demokrate pasi mposhti pretendentët më liberalë në zgjedhjet paraprake. Një prej tyre ishte ajo që do të bëhet nënpresidente e tij e zgjedhur, Kamala Harris.
Tubimet zgjedhore të zotit Biden ishin të vogla dhe pa shumë njerëz për shkak të pandemisë.
Presidenti i zgjedhur mbajti një fjalim në shtetin kyç të Pensilvanisë, një ditë përpara zgjedhjeve të 3 nëntorit.
“Nesër mund t’i japim fund një presidence që dështoi të mbrojë vendin. Nesër mund t’i japim fund një presidence që ndezi flakën e urrejtjes në të gjithë vendin”, tha zoti Biden.
Një ditë para zgjedhjeve, edhe zoti Trump shfaqi besim në Usikonsin.
“Mbani në mend çfarë kam thënë katër vite më parë. Unë jam zëri juaj dhe të gjithë së bashku do ta bëjmë Amerikën madhështore sërish. Kjo është ajo që kemi bërë dhe që po bëjmë“, kishte deklaruar zoti Trump.
Në këto zgjedhje amerikanët votuan në shifra rekord, gati 90 për qind e qyetarëve me të drejtë vote.
Rezultati i ngushtë tregon se sa i ndarë është elektorati amerikan.
Sfidat ligjore nënkuptojnë se zgjedhjet mund të vendosen përfundimisht në gjykatë.
Presidentin e ardhshëm të ShBA-së e pret detyra e vështirë: bashkimi i një vendi të ndarë.
http://retufdkvg.com