Kandidati demokrat për president, Joe Biden, tha se nëse i fiton zgjedhjet, ai do të krijojë një komision dypartiak për të shqyrtuar reformimin e sistemit të drejtësisë që ai e quajti “të dalë nga binarët”, duke vënë në dukje se ka alternativa të tjera që mund të merren parasysh përveç zgjerimit të Gjykatës së Lartë.
Biden, sfiduesi i Presidentit republikan Donald Trump në zgjedhjet e 3 nëntorit, i bëri komentet në një intervistë për emisionin “60 minuta” të kanalit CBS që do të transmetohet këtë fundjavë. Një pjesë e intervistës u bë publike të enjten.
Ish-nënpresidenti amerikan tha se ai do të krijojë një komision dypartiak të studiuesve ligjorë që do të përfshinte demokratë, republikanë, liberalë dhe konservatorë për të rishikuar gjyqësorin amerikan.
“Unë do t’u kërkoj atyre që, pas më shumë se 180 ditësh, të kthehen tek unë me rekomandime se si të reformohet sistemi gjyqësor sepse ai tani po del nga binarët, dhe kjo nuk ka të bëjë me çështjen e shtimit të numrit të anëtarëve të gjykatës”, shtoi zoti Biden.
“Ka një numër alternativash që … shkojnë përtej mbushjes (së gjykatave me më shumë gjyqtarë)”, tha zoti Biden.
Disa njerëz nga e majta kanë hedhur idenë e rritjes së numrit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë, e cila aktualisht ka nëntë gjyqtarë, nëse zoti Biden fiton, për t’iu kundërvënë zhvendosjes në të djathtë të gjykatës si rezultat i veprimeve të republikanëve të Senatit në vitin 2016 dhe tani. Republikanët e kanë hedhur poshtë idenë duke e quajtuar atë një përpjekje për të “mbushur gjykatën (me anëtarë të partisë në pushtet)”.
Zoti Biden tha javën e kaluar se ai nuk është “një tifoz” i idesë së rritjes së numrit të gjyqtarëve, por i ka lënë të hapura të gjitha opsionet. Numri prej nëntë anëtarësh i Gjykatës së Lartë është caktuar me ligj më shumë se një shekull më parë. Propozimi për krijimin e një komisioni mund të shërbejë si justifikim për zotin Biden që të mos japë një përgjigje përfundimtare mbi rritjen e numrit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë para zgjedhjeve.
Komentet e zotit Biden u bënë publike në të njëjtën ditë që Komisioni Juridik i Senatit amerikan, i kontrolluar nga republikanët votoi për t’i hapur rrugë konfirmimit të plotë të gjyqtares konservatore Amy Coney Barrett, të emëruar nga Presidenti Trump për të mbushur vendin bosh në Gjykatën e Lartë. Senati ka në plan të votojë për konfirmimin përfundimtar të gjyqtares Barret të hënën.
Konfirmimi i saj do t’i jepte organit më të lartë gjyqësor të Shteteve të Bashkuara një shumicë konservatore 6-3, që mund të jetë e rëndësishme në rastet ligjore që përfshijnë abortin, kompetencat presidenciale, të drejtat fetare dhe të armëmbajtjes, të drejtat e komunitetit LGBT dhe çështje të tjera.
Demokratët janë të zemëruar që republikanët e senatit filluan procesin e emërimit të gjyqtares Barrett kaq afër ditës së zgjedhjeve pasi refuzuan në vitin 2016 të fillonin procesin e konfirmimit të kandidatit për anëtar të Gjykatës së Lartë të emëruar nga Presidenti demokrat Barack Obama, me arsyetimin se ishte një vit zgjedhjesh.
Komentet