Duke thënë se vendi po përballet me “një krizë të thellë të vuajtjeve njerëzore”, Presidenti i zgjedhur Joe Biden paraqiti të ejten një plan prej 1.9 trilionë dollarësh për të përshpejtuar shpërndarjen e vaksinës kundër Covid-19 dhe për të rimëkëmbur ekonominë e goditur rëndë nga pandemia e koronavirusit.
I quajtur “Plani Amerikan i Shpëtimit”, propozimi legjislativ do të përmbushte qëllimin e zotit Biden për kryerjen e 100 milionë vaksinimeve në 100 ditët e para pas marrjes së detyrës më 20 janar dhe avancimin e objektivit të tij për të rihapur shumicën e shkollave deri në pranverë. Në të njejtën kohë, ai beson se do të japë një raund tjetër ndihmash për të stabilizuar ekonominë ndërsa përpjekjet për të vënë nën kontroll pandeminë do të fillojnë të sjellin rezultate.
“Unë e di se ajo që sapo përshkrova nuk vjen me një kosto të ulët, por ne thjesht duhet ta bëjmë atë që po propozoj”, tha Biden në një fjalim drejtuar vendit. “Nëse investojmë tani me guxim, me zgjuarsi dhe me fokus të palëkundur te punëtorët dhe familjet amerikane, ne do të forcojmë ekonominë tonë, do të zvogëlojmë pabarazinë dhe do t’i vendosim financat afatgjata të vendit tonë në një rrugë më të qëndrueshme.”
Plani i tij përfshin 1,400 dollarë çeqe për shumicën e amerikanëve, të cilët tashmë pritet të marrin 600 dollarë nga paketa e fundit financiare për COVID-19, që do ta çonte totalin në 2,000 dollarë, që zoti Biden e kishte kërkuar më parë. Ai gjithashtu do të zgjasë deri në shtator përfitimet e papunësisë dhe një moratorium mbi dëbimet dhe përjashtimet nga pamundësia e pagimit të qerasë.
Në fjalimin e tij Biden gjithashtu përmendi qëllimet politike afatgjata të demokratëve, si rritja e pagës minimale në 15 dollarë në orë, zgjerimi i pushimeve me pagesë për punëtorët dhe rritja e kredive tatimore për familjet me fëmijë. Pika e fundit do ta bënte më të lehtë për gratë që të ktheheshin në punë, gjë që do të ndihmonte në rimëkëmbjen e ekonomisë.
Udhëheqësi demokrat i Senatit Chuck Schumer ka thënë se miratimi i një projektligji për të lehtësuar pasojat e pandemisë do të ishte përparësia kryesore e demokratëve me marrjen në kontroll të Senatit.
Ngritja zyrtarisht e akuzës për shkarkimin e Presidentit Donald Trump të mërkurën kërcënon të mbushë kalendarin e punimeve të Senatit, por zoti Biden tha se ai shpreson që kjo dhomë e Kongresit të mund ta ekuilibrojë këtë çështje me përparësi të tjera.
Prej fillimit të pandemisë në Shtetet e Bashkuara janë regjistruar afërsisht 385,000 vdekje si pasojë e COVID-19. Prej më shumë se dy muajsh vendi po përballet me rritje dramatike të infeksioneve.
Gjatë javës së kaluar u regjistruan mesatarisht 245,000 raste të reja në ditë dhe 3,300 vdekje. Shtrimet në spital si pasojë e COVID-19-s janë në nivele rekord.
Komentet