Administrata e presidentit Joe Biden po synon që gjatë javëve të ardhshme të sigurojë një fond tjetër ndihmash prej 37 miliardë dollarësh për Ukrainën, para se të fillojë nga puna Kongresi i ri në janar, ku republikanët do të kenë kryesinë e Dhomës së Përfaqësuesve, ndonëse me një diferencë të vogël.
Ukraina po përballet me të ftohtin, ndërsa lufta nëntëmujore kundër Rusisë vazhdon.
Deri tani, ndihma për Kievin kishte mbështetje të gjerë dypartiake në Kongresin amerikan, por kjo mund të ndryshojë.
Disa udhëheqës të Partisë Republikane, të cilët nga janari do të drejtojnë Dhomën e Përfaqësuesve, thonë se do të shqyrtojnë nga afër paketat e ndihmave për Ukrainën të propozuara nga administrata Biden.
“Do të rrisim mbikëqyrjen, transparencën dhe llogaridhënien. Nuk do të lëshojmë një çek të bardhë”, tha ligjvënësi republikan Michael McCaul.
Ndihma e mëparshme për Ukrainën është miratuar me mbështetje të gjerë dypartiake.
Administrata e presidentit Biden po kërkon 37 miliardë dollarë të tjera, si ndihma urgjente për Kievin, për t’u siguruar që Ukraina dhe ushtria e saj të kenë fondet e mjaftueshme për muajt e ardhshëm.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, 21.7 miliardë dollarë do të ndahen për ushtrinë, zbulimin dhe ndihma tjera për mbrojtjen, ndërsa 14.5 miliardë dollarë do të jenë ndihma humanitare dhe për qeverinë ukrainase.
“Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë me Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Nuk do të ketë asnjë luhatje në mbështetjen tonë”, thotë Këshilltari amerikan për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan.
Ndërsa në të dyja partitë ka zëra që kundërshtojnë mbështetjen për Ukrainën, disa republikanë kanë kritikuar sasinë e ndihmave për këtë vend dhe kanë ngritur dyshime nëse të gjitha fondet kanë shkuar vërtetë për Ukrainën. Ata kanë hedhur dhyshime mbi aftësitë e administratës Biden për të gjurmuar se ku kanë shkuar paratë e ndihmave për Ukrainën.
“Do ta bëjmë këtë në mënyrë të përgjegjshme, me transparencë ndaj popullit amerikan. Këto janë dollarë të taksapaguesve amerikanë. A e zbeh kjo vullnetin tonë për të ndihmuar popullin ukrainas të luftojë? Jo. Por ne do ta bëjmë atë në mënyrë të përgjegjshme”, tha ligjvënësi republikan Michael McCaul.
Ukraina ndërkohë, njofton se ekipet e shërbimeve po punojnë për të rikthyer furnizimin me energji, pas goditjeve nga Rusia të infrastrukturës energjitike në rajonet lindore dhe jugore të Ukrainës.
Komentet