Duke thënë “Mjaft, mjaft”, presidenti amerikan, Joe Biden, i bëri thirrje Kongresit që të ndalojë armët sulmuese, të zgjerojë kontrollet e të kaluarës dhe të zbatojë masa të tjera kontrolli për të adresuar një sërë të shtënash masive që kanë ndodhur në Shtetet e Bashkuara.
Duke folur nga Shtëpia e Bardhë më 2 qershor, Biden pyeti popullin amerikan se edhe sa jetë duhet të humben para se të ndryshohen ligjet e armëve në Amerikë.
“Për hir të Zotit, edhe sa masakra të tjera duhet të ndodhin?”, pyeti Biden.
SHBA-ja javëve të fundit është përballur me tri sulme vdekjeprurëse në një shkollë fillore në Teksas, në një dyqan ushqimor në Nju Jork dhe në një qendër shëndetësore në Oklahoma.
Biden e përshkroi vizitën në Uvalde të Teksasit ku ndodhi një prej të shtënave.
“Nuk mund të mos e mendoja se ka shumë shkolla të tjera, shumë vende të tjera që janë bërë fusha vrasjesh, fushëbeteja, këtu në Amerikë”, tha ai.
Presidenti demokrat bëri thirrje për një sërë masash që janë kundërshtuar nga republikanët në Kongres, përfshirë edhe ndalimin e shitjes së armëve sulmuese dhe karikatorëve me kapacitet të lartë, ose, nëse do të ishte e mundur, të rritej mosha minimale për të blerë armë nga 18 në 21 vjeç.
Ai po ashtu kërkoi që prodhuesit e armëve të mos mund të mbrohen nga paditë nëse qytetarët kryejnë akte të dhunshme me armët e këtyre prodhuesve.
“Ne nuk mund të zhgënjejmë sërish popullin amerikan”, tha Biden, duke kërkuar nga republikanët, veçmas në Senatin amerikan, që të lejojnë të dalin në votim projektligjet për kontrollin e armëve.
Presidenti amerikan tha se nëse Kongresi nuk vepron, populli amerikan do ta shndërrojë çështjen e armëve në temë qendrore në zgjedhjet afatmesme të nëntorit.
Shoqata Kombëtare e Pushkëve, lobi më i fuqishëm i armëve në SHBA, tha përmes një deklarate se propozimet e Bidenit do të cenonin të drejtat e pronarëve të armëve të cilët u binden ligjeve.
“Kjo nuk është zgjidhje reale, ky nuk është lidership i vërtetë dhe nuk është ajo që i duhet Amerikës”, tha kjo shoqatë.
SHBA-ja ka nivel të lartë të vdekjeve nga armët e zjarrit se çdo shtet tjerë. Së fundmi, nga të shtënat masive dhjetë afrikano-amerikanë u vranë në një dyqan ushqimor në Bufallo të Nju Jorkut, 19 fëmijë dhe dy mësuese u vranë në Teksas, si dhe dy doktor, një recepsionist dhe një pacient u vranë në Oklahoma.
Ligjvënësit po shikojnë masat për të zgjeruar kontrollet e të kaluarës dhe për të miratuar ligje që do t’iu lejonin zyrtarëve të sigurisë të largonin armët nga personat që vuajnë nga sëmundje mendore. Por, çdo masë e re do të përballet me kundërshtinë e republikanëve, sidomos në Senat, dhe propozimi për të ndaluar armët sulmues nuk ka mbështetjen e duhur për t’u miratuar.
Amendamenti i dytë i Kushtetutës amerikane mbron të drejtën e qytetarëve për të mbajtur armë. Por, Biden tha se ky amendament nuk ishte “absolut”, teksa shtoi se masat e reja që ai mbështet nuk kanë për qëllim që qytetarëve t’iu merren armët.
Mbi 18,000 persona kanë vdekur nga dhuna me armë në SHBA gjatë këtij viti, përfshirë këtu vrasje dhe vetëvrasje, tha Arkivi për Dhunën me Armë.
Kanadaja, Australia dhe Britania kanë miratuar ligje më të ashpra pasi në këto shtete kanë ndodhur të shtëna masive, përfshirë edhe ndalimin e armëve sulmuese.
Presidenti Biden po kërkon që Kongresi të miratojë legjislacion për kontroll më të ashpër të armëve. Në Senat, fuqia politike midis demokratëve dhe republikanëve është 50 me 50 dhe që një ligj të kalohet duhet të ketë 60 vota./rel
Komentet