Një ditë pasi Presidenti Trump shkarkoi Sekretarin e Mbrojtjes, Mark Esper, tre besnikë të presidentit u emëruan në poste të larta. Ndër ta Anthony Tata, një ish-komentator për rrjetin televiziv Fox News, i cili nuk mori konfirmimin e Senatit si rezultat i komenteve ofenduese që kishte bërë, ndër të tjera edhe në adresë të fesë islame.
Ndryshimet e papritura kanë tronditur Pentagonin, ndërkohë që personeli ushtarak e civil pret se çfarë tjetër mund të ndodhë dhe shqetësimet janë shtuar se mund të jetë vënë në lëvizje një përpjekje për të flakur ata që nuk janë besnikë ndaj zotit Trump.
Situata e trazuar dukej qartë gjatë ditës në ndërtesë, lidhur me shqetësimet mbi vendimet e ardhshme të administratës Trump në muajt deri në ardhjen e administratës së re, sidomos nëse do të kishte përpjekje më të gjera për të politizuar ushtrinë që historikisht ka qëndruar jashtë politikës. Megjithëse nuk ka gjasa për zhvendosje drastike në politika deri më 20 janar kur bëhet inaugurimi i presidentit të ri, ndryshimet mund të dëmtojnë edhe më tej atmosferën për një tranzicion të qetë, që deri tani është tronditur nga refuzimi i presidentit për të pranuar humbjen.
James Anderson, i cili ka qenë nënsekretar në detyrë për politikat, dha dorëheqjen të martën dhe u zëvendësua menjëherë nga Anthony Tata, general i ushtrisë në pension. Më pas, Joseph Kernan, nënadmiral i marinës në pension, dha dorëheqjen si nënsekretar për zbulimin, duke shpejtuar largimin e tij të pritshëm nga ky post pas zgjedhjeve. Zoti Kernan u zëvendësua nga Ezra Cohen-Watnick, i cili tani është nënsekretari në detyrë për zbulimin.
Ndryshimet u regjistruan në ditën e dytë në detyrë të shefit të ri të Pentagonit, Christopher Miller. Zoti Miller solli edhe një shef të ri personeli, Kash Patel, për të zëvendësuar Jen Stewart, që e kishte përmbushur atë detyrë gjatë drejtimit të institucionit nga zoti Esper. Zyrtarët Patel dhe Cohen-Watnick konsiderohen besnikë të betuar të zotit Trump dhe kanë punuar më parë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
Zoti Patel ishte pjesë e një grupi të vogël ndihmësish që udhëtuan disa herë me presidentin në periudhën e fundit të fushatës zgjedhore. Ai ka qenë prokuror në drejtorinë e sigurisë kombëtare në Departamentin e Drejtësisë dhe ish-pjesëtar i stafit në Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin. Në atë detyrë, ai ishte ndihmës i ish-ligjvënësit republikan Devin Nunes, që pat kryesuar hetimet mbi ndërhyrjet ruse në zgjedhjet e 2016-ës.
Zoti Patel, sipas disa artikujve në media, ka qenë i përfshirë në përpjekje për të diskredituar hetimet mbi lidhje të mundshme mes kampit zgjedhor të zotit Trump dhe Rusisë. Ai filloi punë në Këshillin për Sigurinë Kombëtare në shkurt 2019 dhe në fillim të këtij viti ishte në Siri për bisedime të nivelit të lartë për të siguruar lirimin e dy amerikanëve që ishin zhdukur prej vitesh, përfshirë gazetarin Austin Tice.
Zoti Cohen-Watnick ka qenë person i afërt me këshilltarin e parë të Presidentit Trump për sigurinë kombëtare, Michael Flynn, por u shkarkua në verën e 2017 nga pasuesi i zotit Flynn, H.R. McMaster, nëkuadër të një numër lëvizjesh të personelit në Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe stafin e Shtëpisë së Bardhë.
Ndryshimet në personelin e Pentagonit e shtuan dramacitetin e shkarkimit të Sekretarit Esper, por nuk është e qartë se sa do të ndikojnë këto në burokracinë gjigande të Pentagonit. Ky department ushtarak mbështetet në parimin e udhëheqjes civile mbi ushtrinë dhe pjesa më e madhe e punëve të përditshme drejtohen nga udhëheqës ushtarakë e ekspertë në SHBA apo në skaje të botës, të cilët respektojnë me bindje hierarkinë e komandës.
Po ashtu, shumë nga përparësitë dhe politikat e Presidentit Trump lidhur me mbrojtjen janë vënë në zbatim nga zoti Esper dhe pararendësit e tij, nën udhëzimin e Shefave të Shtatmadhorisë dhe shefit të tyre, Gjeneralit Mark Milley. Të gjithë këta udhëheqës ushtarakë mbeten në detyrë.
Kjo është tentativa e dytë e Presidentit Trump për të emëruar në një post politik zotin Tata. Disa muaj më parë, zoti Trump e emëroi zotin Tata në post, por Senati e anuloi seancën për konfirmimin e kandidaturës së tij, pasi u bë e qartë se konfirmimi do të ishte i vështirë. Zoti Tata e tërhoqi kandidaturën për postin numër tre në Pentagon. Më pas presidenti e emëroi në detyrën e zëvendës nënsekretarit.
Departamenti i politikave në Pentagon ka përjetuar trazira të vazhdueshme. John Rood u detyrua të japë dorëheqjen si nënsekretar për politikat në shkurt, pasi irritoi Shtëpinë e Bardhë kur paralajmëroi të mos pezullohen ndihmat amerikane për Ukrainën, një temë që çoi në hapjen e procesit për shkarkimin e mundshëm të presidentit.
Zoti Tata do të përmbushë detyrat e nënsekretarit, por nuk do të ketë titullin “nënsekretar në detyrë”. Zyrtarët që marrin titullin “në detyrë” kanë më shumë autoritet se sa ata që janë thjesht “duke përmbushur detyrën” e postit.
Sipas medias, zoti Tata postoi në 2018 në Twitter komente ku e cilësonte fenë islame “feja më shtypëse e dhunshme që njoh” dhe e quajti ish-Presidentin Obama “udhëheqës terrorist” duke iu referuar atij si mysliman. Postimet u hoqën pak më pas.
Gjatë procesit të konfirmimit në Senat, ligjvënësi demokrat Adam Smith, kryetar i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Shërbimet e Armatosura, tha se presidenti nuk duhet të vërë besnikërinë mbi kompetencën duke emëruar dikë në një detyrë ku “i emëruari nuk mund të marrë mbështetjen e Senatit, siç është e qartë në rastin e zotit Tata”.
Zyrtarë të mbrojtjes thonë se zoti Miller, i cili më parë ka qenë drejtor i Qendrës Kombëtare të Kundërterrorizmit, po takohet me stafin dhe po familiarizohet me Pentagonin dhe temat komplekse dhe kritike të misionit të këtij institucioni.
Largimi i zotit Anderson u njoftua për herë të parë nga portali mediatik, Politico.
zëri i amerikës
Komentet