VOAL

VOAL

Beograd: Kryeministri Vuçiç pret Inva Mulën

May 24, 2016

Komentet

Situata e sigurisë në Ballkan është seriozisht e lëkundur, thotë Vuçiq

Radio Evropa e Lirë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se situata e sigurisë në Ballkan është “seriozisht e lëkundur” dhe se Serbia “përpiqet të ruajë paqen dhe stabilitetin, si dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve të saj”.

Më 10 mars, Vuçiq mori pjesë në një mbledhje të Qeverisë, në të cilën, siç tha ai, u diskutua për situatën aktuale të sigurisë në vend dhe rajon, veçanërisht për “sfidat e sigurisë në Kosovë dhe në Bosnjë e Hercegovinë”.

“Diskutuam edhe për të gjitha aspektet e protestës së paralajmëruar më 15 mars”, shkroi Vuçiq në llogarinë e tij në Instagram pas mbledhjes së Qeverisë.

Më herët, presidenti serb kishte deklaruar se në protestën dhe bllokadën e paralajmëruar nga studentët për 15 mars në Beograd, ai pret që “opozita të organizojë dhunë të madhe”.

Pa dhënë detaje dhe prova për këto pretendime, Vuçiq tha se “të gjithë ata që do të marrin pjesë në këtë, do të arrestohen”.

Tubimet masive të organizuara deri më tani nga studentët në disa qytete të mëdha në Serbi, duke kërkuar përgjegjësi për vdekjen e 15 personave nga shembja e strehës së Stacionit Hekurudhor në Novi Sad, kanë qenë paqësore dhe nuk janë shënuar incidente.

Vuçiq tha se tema e mbledhjes së Qeverisë ishte edhe ndikimi i bllokadave në Serbi mbi gjendjen e ekonomisë.

“U ndalëm edhe te gjendja e ekonomisë në dritën e protestave aktuale, si dhe dëmi që kanë shkaktuar këto ngjarje, i cili reflektohet në uljen e investimeve dhe sfida të tjera për ekonominë”, theksoi Vuçiq.

Ai shtoi se është arritur një pajtim për marrjen e masave urgjente “për t’i zbutur pasojat dhe për t’’ mbështetur sektorët ekonomikë të prekur nga këto rrethana”.

Me bllokadat dhe protestat prej disa muajsh në Serbi, studentët dhe qytetarët që i mbështesin ata, po kërkojnë publikimin e të gjithë dokumentacionit mbi rindërtimin e Stacionit Hekurudhor të Novi Sadit, për të përcaktuar përgjegjësinë për tragjedinë, ndjekjen penale të sulmuesve ndaj pjesëmarrësve të protestave të deritashme, si dhe ndërprerjen e procedimeve kundër të arrestuarve në demonstrata.

Qeveria pretendon se i ka përmbushur të gjitha kërkesat e studentëve, ndërsa një grup ekspertësh i formuar nga Senati i Universitetit të Beogradit, në një raport, e ka mohuar këtë.

Rutte: Nuk do të lejojmë që të rrezikohet paqja në Bosnje

Shefi i NATO-s, Mark Rutte, së bashku me tre anëtarët e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës.

 

Radio Evropa e Lirë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se aleanca mbështet sovranitetin dhe integritetin e Bosnje e Hercegovinës, duke theksuar se nuk do të lejojë që paqja “e fituar me mund” në këtë shtet të vihet në rrezik.

Në një konferencë për media në Sarajevë, pas takimit me anëtarët e Presidencës trepalëshe, Rutte tha se situata aktuale nuk është sikur më 1992, kur nisi lufta në Bosnje.

Vizita e Ruttes u zhvillua në kohën kur autoritetet e Republikës Sërpska, duke kërcënuar me shkëputje, kanë tentuar të ndalojnë funksionimin e institucioneve shtetërore të drejtësisë dhe policisë në territorin e këtij entiteti.

“Kam dëgjuar shqetësime për situatën e sigurisë. Le të jemi të qartë, kjo situatë nuk është si më 1992 dhe ne nuk do të lejojmë që të krijohet një vakum i sigurisë. Komuniteti ndërkombëtar është këtu dhe është i angazhuar për të vazhduar mbështetjen tonë të fuqishme, përfshirë përmes EUROF-it”, tha Rutte.

Rutte tha se NATO-ja mbështet sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjës dhe Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit, që tha se është thelbi i paqes në Bosnje.

“Retorika nxitëse dhe veprimet janë të rrezikshme. Ato paraqesin një kërcënim të madh për stabilitetin e Bosnje e Hercegovinës dhe të sigurisë”, tha Rutte.

Ai tha se çdo veprim që e minon Dejtonin, rendin kushtetues dhe institucionet shtetërore, por edhe retorika nxitëse, “janë të papranueshme”.

Rutte tha se këtë situatë duhet ta zgjidhin vetë udhëheqësit e Bosnjës, duke iu drejtuar anëtarëve të Presidencës trepalëshe, teksa theksoi se nga “i gjithë rajoni do të përfitojë nga pajtimi dhe paqja e qëndrueshme në Bosnje”.

Shefi i NATO-s nisi vizitën në Bosnje është me anëtarët e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës – Zhelka Cvijanoviq, Denis Beqiroviq dhe Zhelko Komshiq.

Tre anëtarë të Presidencës së Bonjës, dy qëndrime të ndryshme

Gjatë konferencës së përbashkët për media, kryesuesja e presidencës, Zhelka Cvijanoviq, tha se për të dhe përfaqësuesit politikë të entitetit serb nuk është i diskutueshëm integriteti territorial dhe ruajtja e multietnicitetit të Bosnjë dhe Hercegovinës, si dhe bashkëpunimi me NATO-n, por që ata kundërshtojnë anëtarësimin në këtë aleancë ushtarako-politike.

“Kolegët e mi mendojnë se është normale që një i huaj të imponojë ligje, unë nuk mendoj se është normale që dikush, bazuar në Konferencën e Bonit, të krijojë një kaos të tillë. Në Republikën Sërpska ekziston bindja se kjo shtet është privatizuar në favor të një grupi dhe në dëm të dy të tjerëve përmes spekulimeve të ndryshme”, tha ajo.

Cvijanovq mirëpriti praninë e shtuar të EUFOR-it dhe NATO-s në Bosnje dhe tha se beson se kjo është e mirë për të gjithë “për shkak të kërcënimeve të ndryshme verbale që kemi pasur mundësinë të dëgjojmë”.

“[Përfaqësuesi i lartë në Bosnje, Christian] Schmidt nuk mund ta shpëtojë Bosnjën, por Republika Sërpska dhe Federata e Bosnjës mund ta bëjnë këtë dhe mendoj se duhet të punojmë për këtë, të arrijmë marrëveshje dhe të jetojmë një jetë normale dhe demokratike”, tha ajo.

Anëtari i Presidencës, Denis Beqiroviq tha se është e rëndësishme që Rutte tha se NATO-ja nuk do të lejojë një vakum të sigurisë dhe mbështet përfaqësuesin e lartë ndërkombëtar, Schmidt.

“Këto janë momentet më të vështira që nga viti 1995 e deri më sot. Kemi pasur një sulm brutal ndaj Kushtetutës së Bosnje e Hercegovinës. Destabilizimi i rrezikshëm duhet të ndalet. E vetmja që do të përfitonte nga destabilizimi është Moska”, tha ai.

Anëtari i tretë i Presidencës, Zhellko Komshiq, deklaroi se çdo gjë që ka dëgjuar në takimin me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, ai do ta nënshkruante menjëherë.

Sipas tij, përgjegjësia për Bosnjën “do të mbetet mbi ne” dhe se detyra e tyre është që “kryesisht të sjellim lajme të mira për qytetarët e Bosnjes.”

“Një çështje që askush nuk e përmend është nevoja që Bosnja të ndajë më shumë fonde për sektorin e mbrojtjes, duke qenë se flasim për dëshirën për t’u bërë anëtare e NATO-s. Shuma e parashikuar në buxhetin që miratojmë sot nuk është as afër 2 të GDP-së”, tha Komshiq.

Përveç takimit me anëtarët e Presidencës, Rutte do të zhvillojë një takim me kryetaren e Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës, Borjana Krishto.

Pasdite pritet që Rutte t’u drejtohet studentëve të Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit të Sarajevës.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s po viziton në Bosnjë dhe Hercegovinë pas miratimit të ligjeve antikushtetuese në entitetin Republika Sërpska të Bosnje dhe Hercegovinës.

Më herët, Kuvendi i RS-së ka miratuar një ligj për ndalimin e veprimtarisë së Agjencisë Shtetërore për Hetime dhe Mbrojtje (SIPA) të BeH-së, Gjykatës dhe Prokurorisë së Bosnjë dhe Hercegovinës, si dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial, i cili është përgjegjës për emërimin e të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve në vend.

Gjykata Kushtetuese e Bosnjë dhe Hercegovinës ka marrë një masë të përkohshme dhe ka pezulluar zbatimin e ligjit të miratuar nga Kuvendi Popullor i RS-së më 27 shkurt, një ditë pasi presidenti i RS-së, Millorad Dodik, u dënua nga Gjykata e Bosnjë dhe Hercegovinës me një vit burgim dhe gjashtë vjet ndalim të ushtrimit të funksionit. Ky është dënim i shkallës së parë, ndaj të cilit Dodik ka mundësi të ankohet.

Ai u shpall fajtor për mosrespektimin e vendimeve të përfaqësuesit të Lartë, Christian Schmidt, dhe për nënshkrimin e dekretit për shpalljen e ligjeve që Schmidt i kishte anuluar më herët, me të cilat ishte synuar pengimi i zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe përfaqësuesit të Lartë në territorin e RS-së.

NATO-ja ka përsëritur disa herë se kjo organizatë ushtarako-politike mbështet sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe se nuk do të lejojë një vakum sigurie apo rrezikim të paqes së fituar me vështirësi.

Forcat e Bashkimit Evropian (EUFOR) në Bosnje dhe Hercegovinë njoftuan më 7 mars se do të rrisin përkohësisht numrin e trupave të tyre si një masë parandaluese, pas rritjes së tensioneve në vend.

EUFOR do ta rrisë numrin e ushtarëve në Bosnje pas tensioneve mes Qeverisë dhe RS-së

Radio Evropa e Lirë

Bashkimi Evropian (BE) ka thënë se do të dërgojë trupa shtesë në misionin e vet paqeruajtës në Bosnje e Hercegovinë, për shkak të rritjes së tensioneve mes qeverisë qendrore dhe liderëve të entitetit serb të Bosnjës, Republika Sërpska (RS).

Misioni i Bashkimit Evropian në Bosnje (EUFOR) tha të premten se “do ta rrisë përkohësisht” numrin e trupave paqeruajtëse në Bosnje, pa treguar saktësisht sa.

“Kjo është masë proaktive që synon ta ndihmojë Bosnje e Hercegovinën në interes të të gjithë qytetarëve”, thuhet në komunikatën e EUFOR-it.

“Ditët në vijim, publiku mund të vërejë një prani të shtuar të EUFOR-it”, tha EUFOR-i, duke theksuar se kjo veprimtari “është drejtpërdrejt e lidhur me detyrën e saj për të mbështetur autoritetet e Bosnje e Hercegovinës në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit”.

EUFOR-i ka rreth 1.500 trupa si pjesë e Batalionit Shumëkombësh me bazë në Sarajevë. Kjo forcë përfshin trupa nga Austria, Greqia, Hungaria, Italia, Moldavia, Maqedonia e Veriut, Rumania dhe Turqia.

Ky njoftim vjen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës më 7 mars për ta ndaluar zbatimin e ligjeve të miratuara nga Kuvendi i Republikës Sërpska – entiteti serb i Bosnjës – të cilat ndalojnë punën e Gjykatës, Prokurorisë, Agjencisë Shtetërore të Hetimeve (SIPA) si dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor e Prokurorial të Bosnjës në territorin e këtij entiteti.

Gjykata i shpalli jokushtetuese këto ligje, duke i pezulluar përkohësisht, ndërsa pritet t’i ndalojë ato përfundimisht pas një shqyrtimi të plotë.

Liderët në Sarajevë dhe mbështetësit perëndimorë të Bosnjës i kanë akuzuar liderët etnikë të RS-së se po synojnë ndarjen eventuale nga Bosnja, ndonëse këta të fundit i kanë mohuar akuzat.

Disa veprime të tjera të lidhura me këtë entitet kanë përshkallëzuar tensionet në muajt e fundit.

Gjykata e Bosnjës e dënoi Millorad Dodikun, presidentin e Republikës Sërpska, me një vit burgim dhe ia ndaloi ushtrimin e detyrës së presidentit për gjashtë vjet.

Dodik, i cili ka lidhje të ngushta me Rusinë dhe i ka hedhur poshtë akuzat, është nën sanksione nga SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar për veprimet që, sipas qeverive perëndimore, synojnë ndarjen e Republikës Sërpska nga Bosnja.

Ndërkohë, BE-ja më 4 mars e dënoi miratimin e një ligji në stilin rus për “agjentët e huaj” nga Republika Sërpska, duke i akuzuar autoritetet e këtij entiteti se po minojnë “rendin kushtetues dhe ligjor të Bosnje e Hercegovinës”, sipas komenteve të dërguara për Radio Evropa e Lirë (REL).

Sekretari amerikan i Shtetit, Marko Rubio, e shtoi trysninë të shtunën ndaj Republikës Sërpska, duke i cilësuar veprimet e Dodikut si kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin e Bosnje e Hercegovinës.

“Qeveria jonë u bën thirrje liderëve politikë në Bosnje e Hercegovinë për t’u angazhuar në dialog konstruktiv dhe të përgjegjshëm. Ne u bëjmë thirrje partnerëve tanë në rajon të bashkohen me ne për ta kundërshtuar këtë sjellje të rrezikshme dhe përshkallëzuese”, shkroi Rubio në rrjetin social X të shtunën herët.

Sistemi i qeverisjes në Bosnje e Hercegovinë – vend me rreth 3.1 milionë banorë – është ndër më të ndërlikuarit në botë.

Që nga Marrëveshja e Dejtonit për paqe, e cila u nënshkrua në vitin 1995 dhe i dha fund luftës në Bosnje, vendi përbëhet nga Federata Boshnjako-Kroate dhe Republika Sërpska e dominuar nga serbët etnikë, nën një qeveri të dobët qendrore.

Derisa Republika Sërpska mund të miratojë ligje për çështje të brendshme, ligjet dhe institucionet në nivel shtetëror mbeten mbi të gjitha, sipas kushtetutës.

Serbia “ndizet” nga protestat, Vuçiçi telefonon Putinin: Rusia e kupton mirë ç’po ndodh dhe na mbështet!

Në një kohë kur Serbia po ato përballet me protestat antiqeveritare në rritje, presidenti serb Aleksandar Vuçiç, deklaron se ai ka mbështetjen e presidentit rus Vladimir Putin.

Në një postim në llogarinë e tij në Instagram, presidenti Vuçiç shkruan se me presidentin Putin biseduan për atë që ai e përshkroi si “një revolucion me ngjyra”, një referencë për kryengritjet në ish shtetet sovjetike.

“E falënderova për faktin se zyrtarët rusë nuk e mbështesin revolucionin me ngjyra. Presidenti Putin kishte një qëndrim shumë të qartë për këtë, Rusia e kupton mirë se çfarë po ndodh dhe do të vazhdojë të mbështesë autoritetet legjitime në Serbi”, tha ai.

Biseda e presidentit serb Aleksandër Vuçiç, me homologun rus u zhvillua ndërsa studentët në Serbi janë hedhur në protesta dhe kanë bërë thirrje për një grevë të përgjithshme.

Protestat kundër korrupsionit të udhëhequra nga studentët e universiteteve janë përhapur në gjithë vendin ballkanik gjatë katër muajve të fundit, që kur 15 persona humbën jetën nga pasojat e shembjes së një çatie në një stacion treni në Novi Sad, qyteti i dytë më i madh i Serbisë.

Në protestat pothuajse të përditshme marrin pjesë dhjetëra mijëra njerëz dhe kanë tronditur kontrollin e fortë të pushtetit nga presidenti Aleksandar Vuçiç, i cili i ka përshkruar protestat si një përpjekje të organizuar nga perëndimi për ta rrëzuar atë nga pushteti.

Serbia është zyrtarisht në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por ruan lidhje të ngushta me Rusinë dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës për shkak të luftës në Ukrainë.

Pa dhënë hollësi, Presidenti Vuçiç tha se bisedoi me Presidentin Putin për ripërtëritjen e një marrëveshjeje për gazin që skadon më 31 maj dhe për sanksionet amerikane ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë që është në pronësi ruse.

Në fillim të muajit janar Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj sektorit të naftës të Rusisë dhe i dhanë kompanisë Gazprom Neft 45 ditë për të lënë pronësinë e industrisë serbe të naftës. Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja në Departamentin amerikan të Thesarit me 27 shkurt zgjati afatin për një muaj.

Protestat dhe greva e përgjithshme paralizojnë Serbinë, shtohet zemërimi popullor kundër Vuçiçit. Nis tubimi masiv në Beograd

Nuk ndalet revolta popullore kundër Aleksandar Vuçiç në Serbi. Këtë të premte u paralajmëruan protesta të mëdha, ndërsa vendi ka hyrë edhe në grevë të përgjithshme.

Greva është iniciuar nga studentët dhe gjimnazistët, me mbështetjen e sindikatave dhe shoqatave të ndryshme profesionale.

Kjo është greva e dytë e përgjithshme, pas asaj të mbajtur më 24 janar. Mediat vendase raportojnë se qytetarët u mblodhën në të gjitha qytetet kryesore të Serbisë, në ato me numrin më të madh si në Novi Sad, Nish dhe Kragujevc.

Protesta Ne Serbi

Protestat në këto tri qytete kanë përfunduar dhe një tubim i madh në Beograd ka filluar rreth orës 15:30. Kur ora shënoi 16.00 nisi marshimi i protestuesve në kryeqytetit serb.

Serbi Protesta1

Protestat në Serbi kanë nisur pas shembjes së çatisë në një stacion të trenit në Novi Sad, që la të vdekur 15 persona, ngjarje kjo e ndodhur në 1 nëntor 2024.

Për këto protesta presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka akuzuar shërbimet e huaja të inteligjencës, ndërsa deri më tani dorëheqje ka dhënë kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviç dhe kryetari i Komunës së Novi Sadit, Milan Gjuriç. bw

Nga Vulini deri te Bërnabiqi: Fyerjet ndaj shqiptarëve nga zyrtarë serbë ndër vite

Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiq, në seancën e 4 marsit, tregon raportimet e mediave nga Kosova, dhe i quan ato me emra fyes.

 

Iva Martinoviq, Branko Vuçkoviq

“Yjet dhe heronjtë e mediave shiptare“.

Kështu i quajti disa herë deputetët e opozitës kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, nga foltorja e Kuvendit gjatë seancës së 4 marsit.

“Deklaratat e saj janë pasqyrim i kulturës politike të institucionalizuar. Me këtë propagandojnë urrejtje etnike që rrezikon drejtpërdrejt sigurinë e shqiptarëve në Serbi”, tha për Radion Evropa e Lirë (REL) ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi.

Nga kabineti i kryetares së Kuvendit dhe i Partisë Progresive Serbe në pushtet, nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it në lidhje me fyerjet e bëra.

Nuk është hera e parë që Ana Bërnabiq fyen popullin shqiptar dhe nuk është as e vetmja zyrtare serbe që i ka quajtur ata me emërtim fyes.

Fyerjet nga nivelet më të larta të pushtetit kanë vazhduar pavarësisht vendimit të një gjykate në Serbi, e cila e ka cilësuar termin “shiptari” si politikisht të pasaktë dhe fyes. Po ashtu, edhe Komisionarja për Mbrojtjen e Barazisë ka vlerësuar më parë se përdorimi i tij shkel Ligjin për ndalimin e diskriminimit.

Çfarë tha kryetarja e Kuvendit?

Pasi deputetët e opozitës hodhën bomba tymuese në sallën e Kuvendit, kryetarja e tij i quajti ata “bandë terroriste”.

“Dua t’i informoj deputetët se ata të opozitës janë yjet e të gjitha mediave të Albin Kurtit (kryeministrit të Kosovës), mediave shiptare. U bëtë yje, jeni ndjekësit e tij, ju lumtë (…)”.

Ajo e akuzoi kryeministrin e Kosovës për “metoda terroriste”, duke aluduar në gazin lotsjellës që deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kishin hedhur në të kaluarën në Kuvendin e Kosovës.

Gjuha fyese dhe denigruese u përsërit edhe disa orë më vonë.

“Kjo është vetëm një pjesë e vogël e asaj se si ju lavdërojnë mediat shiptare (…)”, u tha Bërnabiq opozitës, duke treguar faqet e internetit të mediave Koha dhe Reporteri nga Prishtina, të cilat kishin raportuar për bombat tymuese dhe përleshjen mes deputetëve në Kuvendin serb.

*Pamje nga protesta me bomba tymuese në Kuvendin e Serbisë më 4 mars

Shkelja e vendimit të gjykatës

Fjala “shiptar” konsiderohet fyerje nga gjykatat serbe dhe nga pakica kombëtare shqiptare në Serbi, kujton Katarina Golluboviq nga Komiteti i Juristëve për të Drejtat e Njeriut (YUCOM).

Një deklaratë e tillë për shqiptarët nuk është vetëm fyerje, por edhe një sinjal shqetësues në lidhje me të drejtat dhe sigurinë e tyre në Serbi”.

Megjithatë, ajo u përdor disa herë në Kuvend për të paraqitur në një dritë negative deputetët e opozitës.

“Dikush që ka detyrën të kujdeset për mënyrën e të shprehurit në Kuvendin Popullor tregoi se nuk respekton as Rregulloren, as standardet, por mbi të gjitha, as qytetarët që jetojnë në Republikën e Serbisë”, tha Golluboviq për REL-in.

Shqiptarët përbëjnë shumicën e popullsisë në jug të Serbisë, në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

“Një deklaratë e tillë për shqiptarët nuk është vetëm fyerje, por edhe një sinjal shqetësues në lidhje me të drejtat dhe sigurinë e tyre në Serbi”, tha për REL-in kryetarja e komunës së Preshevës, Ardita Sinani.

Ana Bërnabiq i ka fyer shqiptarët edhe kur ishte kryeministre e Serbisë.

Për shkak të një deklarate ku tha se Beogradi në negociatat me Prishtinën po merrej me “njerëz që kanë dalë nga mali”, asaj iu ndalua hyrja në Kosovë në vitin 2019.

Ata që jetojnë në Serbi “janë ekspozuar ndaj një diskriminimi të tillë për vite me radhë saqë jemi bërë rezistentë”, thotë ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi:

“Por, kjo është diçka kundër së cilës jemi të gatshëm të luftojmë deri në fund, sepse nuk kërkojmë asgjë më shumë se ajo që është rregulluar me ligj dhe institucione të vetë Serbisë”.

Çfarë thonë në Kosovë?

Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me deklaratat e kryetares së Kuvendit të Serbisë.

Sociologu dhe analisti politik nga Prishtina, Artan Muhaxhiri, vlerëson se përdorimi i gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve në Kuvendin serb nuk kontribuon në normalizimin dhe përparimin e marrëdhënieve mes dy palëve.

“Kjo është një mënyrë e vjetruar e të menduarit dhe të bërit politikë, e cila i ka sjellë kaq shumë të këqija rajonit tonë në të kaluarën e afërt”, thotë Muhaxhiri për REL-in.

Ai, gjithashtu, vlerëson se Ana Bërnabiq “nuk është vendimmarrëse”, por shpreh qëndrimet e “një kulture të përgjithshme politike të udhëhequr nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Partia Progresive Serbe”.

Muhaxhiri shton se përdorimi i emërtimit fyes për shqiptarët nga zyrtarë të lartë serbë “vetëm sa zbulon mungesën e tyre të vizionit minimal politik”.

“Meqenëse përparimi ndërkombëtar i Serbisë është i lidhur pandashëm me pranimin e realitetit se Kosova është shtet i pavarur, kjo gjuhë urrejtjeje nuk ka ndikim në politikën bashkëkohore normale. Ajo mund të mobilizojë vetëm një kategori të caktuar të votuesve të Partisë Progresive Serbe që ende jetojnë në të kaluarën”, thotë Muhaxhiri.

Kush e ka fyer popullin shqiptar?

Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi, thotë se fjalët e kryetares së Kuvendit janë “vetëm një hallkë tjetër në një zinxhir të gjatë, të formësuar dhe promovuar nga njerëz si Aleksandar Vullin”.

Zëvendëskryeministri aktual i Serbisë ka quajtur shqiptarët me emra fyes nga të gjitha pozitat shtetërore që ka mbajtur deri tani.

Kështu, në deklaratat zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes, të cilën ai e drejtonte, në vitin 2020, shqiptarët u quajtën me emër fyes gjashtë herë brenda një muaji.

Para formimit të Qeverisë së re të Serbisë në tetor të atij viti, organizata joqeveritare YUCOM i bëri thirrje publike mandatares së atëhershme, Ana Bërnabiq, që të mos e përfshinte Vullinin në listën e ministrave për shkak të qëndrimit të tij ndaj shqiptarëve.

Megjithatë, Vullin u emërua në qeverinë e re si ministër i Punëve të Brendshme, nga ku vazhdoi të fyente popullin shqiptar.

Në vitin 2021, ministria e tij lëshoi më shumë se dhjetë deklarata që përmbanin termin fyes për shqiptarët.

Edhe ministri aktual i Punëve të Jashtme, Marko Gjuriq, kur ishte drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, në një deklaratë zyrtare në prill të vitit 2019, i quajti shqiptarët e Kosovës me të njëjtin term fyes.

Ky term është përdorur edhe nga deputetët e koalicionit qeverisës në Kuvendin e Serbisë kur kanë dashur të fyejnë dikë.

Pavarësisht vendimit të gjykatës, ky term ende shfaqet shpesh në faqet e para të tabloideve proqeveritare.

Çfarë tha gjykata?

Gjykata e Apelit në vitin 2018 konfirmoi vendimin gjyqësor pas padisë së ish-aktivistes së Iniciativës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, Anita Mitiq, kundër tabloidit Informer dhe sanksionoi përdorimin e termit “shiptar”.

“Ky term konsiderohet politikisht i pasaktë dhe me përmbajtje fyese në gjuhën serbe për anëtarët e kombësisë shqiptare që jetojnë në Kosovë”, thuhej në vendimin e gjykatës.

Gjithashtu, sipas qëndrimit të gjykatës, të quash një serb me këtë emër është e barasvlershme me etiketimin e dikujt që lufton kundër interesit kombëtar.

Komisionarja për Mbrojtjen e Barazisë, Brankica Jankoviq, në vitin 2015, arriti në përfundimin se dy tabloide kishin shkelur Ligjin për ndalimin e diskriminimit, pasi kishin përdorur këtë term për shqiptarët.

REL-i nuk arriti të marrë një koment nga komisionarja për deklaratat e kryetares së Kuvendit serb deri në publikimin e këtij teksti.

Më herët, Jankoviq kishte deklaruar se përdorimi i fjalës “shiptar” përbën shkelje të nenit të Ligjit për ndalimin e diskriminimit, i cili ndalon trajtimin poshtërues dhe fyes.

Padi për fyerjen e shqiptarëve

Aleksandar Vullin u padit në vitin 2019 nga Këshilli Kombëtar i Pakicës Shqiptare për fyerjen e shqiptarëve. Gjykata e hodhi poshtë padinë dhe Ragmi Mustafi, i cili atëherë ishte kryetar i Këshillit, tha për REL-in se ata kanë apeluar në Gjykatën Kushtetuese.

“Rasti kundër Vullinit për gjuhë të urrejtjes dhe përhapje të intolerancës racore dhe kombëtare është ende aktiv. Po presim për gjashtë vjet dhe nëse refuzohet, do të shkojmë edhe në Gjykatën Evropiane në Strasburg”, tha Mustafi.

*Video nga arkivi: Deklaratat e zyrtarëve serbë duke përdorur terma nënçmues për shqiptarët

Një tjetër padi kundër Vullinit për ndalimin e gjuhës së urrejtjes ndaj pakicës kombëtare shqiptare është ngritur edhe nga organizata joqeveritare YUCOM.

“Qëllimi i padisë ishte ndalimi i një gjuhe të tillë nga të gjithë politikanët, pasi ajo nxit armiqësi ndaj një komuniteti etnik që jeton në Serbi. Fatkeqësisht, në vendimet e fundit ligjore, është vendosur se nuk ka gjuhë urrejtjeje dhe se përdorimi i termit ‘shiptar’ është thjesht fyes”, thotë Katarina Goluboviq.

Ajo shton se me këto vendime, gjyqësori serb i ka dhënë dritën jeshile përhapjes së fyerjeve ndaj një populli të tërë, dhe se individët mund të mbrohen vetëm nëse guxojnë të thonë se ndihen të fyer.

Çfarë përfaqëson ky term fyes?

Shqiptarët e quajnë veten “shqiptarë”, që është sinonim i identitetit etnik të shqiptarëve, por në gjuhën serbe, termi “shiptar” është fyes, pasi ka një term tjetër në këtë gjuhë: “allbanci”.

Ky term ka një konotacion negativ në Serbi, pasi lidhet me njerëz primitivë dhe të pacivilizuar, njerëz që kanë zbritur nga malet, punëtorë manualë.

Shqiptarët e Kosovës thonë se termi “shiptari” u bë për herë të parë fyes në vitet ’60, pasi filloi të keqpërdorej.

Në Kosovë ekziston një term fyes për serbët – “shkije” – por as zyrtarët kosovarë dhe as mediat nuk e përdorin atë.

Radio Evropa e Lirë

Kontribuoi: Sandra Cvetkoviq

Dodik dekreton ligjet jokushtetuese në RS

Millorad Dodik duke dekretuar ligjet jokushtetuese.

 

Radio Evropa e Lirë

Presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, mbrëmjen e 5 marsit ka nënshkruar dekretet për shpalljen e ligjeve jokushtetuese, të miratuara në Kuvendin e këtij entiteti të Bosnjë e Hercegovinës, me të cilat ndalohet veprimtaria e Gjykatës dhe Prokurorisë së Bosnjë e Hercegovinës, Agjencisë Shtetërore për Hetime dhe Mbrojtje (SIPA) dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Bosnjës (VSTS).

Ndër këto ligje përfshihet edhe ai për Regjistrin e Posaçëm dhe transparencën e punës së organizatave jofitimprurëse.

Më herët gjatë ditës, Klubi i Boshnjakëve në Këshillin e Popujve, organ legjislativ i Republikës Sërpska (RS), nuk e aktivizoi mekanizmin e interesit jetik kombëtar, i cili do të mundësonte potencialisht parandalimin e hyrjes në fuqi të ligjit që ndalon punën e institucioneve gjyqësore dhe prokuroriale të shtetit të Bosnje dhe Hercegovinës në atë entitet.

Ligjet u miratuan nga Kuvendi i Popullit të RS më 27 shkurt, si organi kryesor legjislativ.

Këshilli i Popujve, në fakt, nuk është një dhomë e barabartë me Kuvendin Popullor të RS-së, por një institucion i veçantë i pushtetit legjislativ, që shqyrton ligjet vetëm nëse një ose më shumë klube të popujve kërkojnë shqyrtimin e shkeljes së interesit jetik kombëtar.

Pas vendimit të Klubit të Boshnjakëve, u krijuan kushtet që këto ligje jokushtetuese, të cilat ndalojnë punën e institucioneve gjyqësore të shtetit të Bosnjës në RS, të nënshkruhen nga presidenti i RS, Milorad Dodik.

Ai veçse kishte paralajmëruar se do ta bënte këtë dhe pasi nënshkroi dekretin për shpalljen e tyre, ligjet do të hyjnë në fuqi një ditë pas pas botimit në Gazetën Zyrtare të RS.

Pas hyrjes në fuqi, mbetet mundësia e kontestimit të këtyre ligjeve para Gjykatës Kushtetuese të Bonjës ose e anulimit të tyre nga përfaqësuesi i lartë i komunitetit ndërkombëtar, Christian Schmidt, në përputhje me të ashtuquajturit “fuqitë e Bonit”.

Fuqitë e Bonit përfshijnë të drejtën e përfaqësuesit të lartë për të miratuar ose ndryshuar ligje dhe direktiva, për të shkarkuar zyrtarë, për të vendosur sanksione, për të kundërshtuar vendimet e institucioneve, për të ndryshuar të gjitha kushtetutat përveç asaj shtetërore, si dhe për të krijuar ose shfuqizuar institucione.

Çfarë parashikojnë ligjet jokushtetuese?

Me projektligjin për moszbatimin e ligjeve dhe ndalimin e veprimtarisë së institucioneve jokushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës, të miratuar më 27 shkurt, parashikohet ndalimi i punës dhe veprimeve të Gjykatës dhe Prokurorisë së Bosnjës, Agjencisë Shtetërore për Hetime dhe Mbrojtje dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Bosnjës në Republikën Sërpska.

Shfuqizimi i njëanshëm i kompetencave shtetërore të Bosnjë e Hercegovinës në një pjesë të territorit të saj nuk është në përputhje me Kushtetutën e këtij shteti.

Kodi Penal i Bosnjë dhe Hercegovinës parashikon dënime deri në pesë vjet burg dhe ndalim të ushtrimit të detyrës zyrtare për këdo që në mënyrë të paligjshme përpiqet të ndryshojë rendin kushtetues të Bosnjës ose të rrëzojë institucionet e saj më të larta.

Gjykata dhe Prokuroria e Bosnjës, si dhe SIPA, janë themeluar bazuar në ligje të miratuara në Asamblenë Parlamentare të Bosnje dhe Hercegovinës dhe të konfirmuara në Dhomën e Popujve të shtetit.

Për t’u shfuqizuar, sipas Kushtetutës së Bonjsë, për këtë duhet të shprehet edhe Parlamenti i shtetit.

Deputetët e Kuvendit të RS-së kanë miratuar gjithashtu ndryshime në Kodin Penal të entitetit, me të cilat parashikohet ndjekja penale e të punësuarve në institucionet e Bosnjës që jetojnë në RS, nëse nuk zbatojnë vendimet e autoriteteve të entitetit.

Dodik i nënshkroi këto ligje pas vendimit të Gjykatës së Bosnjës më 26 shkurt, e cila e dënoi atë në shkallën e parë me një vit burg dhe ndalim nga ushtrimi i funksionit për gjashtë vjet. Më herët, ai ishte shpallur fajtor për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të lartë, Christian Schmidt.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Gazetës Zyrtare të RS-së, Millosh Llukiq, u shpall i pafajshëm.

Liderët e R-sëS, përpara shpalljes së dënimit, kishin kërcënuar me “vendime radikale” dhe braktisjen e të gjitha institucioneve të Bosnjë e Hercegovinës nëse Dodik do të dënohej.

“Brnabiç insistoi të qëndronim në sallën e mbushur me gaz”, deputeti shqiptar i Kuvendit serb në mes të dhunës dhe tymit, ndan pamjet e pazakonta (VIDEO)

Parlamenti i Serbisë u përfshi sot nga një kaos i pazakontë, që përfshiu hedhjen e bombave tymuese dhe gazit lotsjellës brenda ambienteve të tij.

Gjatë këtyre momenteve të tensionuara, prezent në sallën e kuvendit serb ishte edhe deputeti shqiptar, Shaip Kamberi, i cili përfaqëson komunitetin e shqiptarëve që jeton brenda territorit të Serbisë.

Ky i fundit ka ndarë në rrjetet sociale momentin e shpërthimit të dhunës mes opozitës dhe mazhorancës serbe.

Ai u shpreh se opozita ka hedhur gaz lotsjellës dhe vezë duke penguar mbajtjen e seancës, ndërsa ka akuzuar kryeparlamentaren Ana Brnabiç se kjo e fundit insistoi të vazhdonte punimet në këtë situatë.

“Opozita me gaz lotësjellës, vezë pengoi po tenton të pengojë mbajtjen e Seancës. Brnabiq insiston në vazhdim nën sallën e mbushur me gaz lotësjellës”, shkroi ai në Facebook krah pamjeve të dhunës.

Nga dhuna në parlament tri depuete përfunduan në spital, ndërsa një prej tyre raportohet se ishte 8 muajshe shtatzënë. bw

‘Lufta’ në parlamentin serb- Dodik: Incidenti, përpjekje për të përmbysur pushtetin

Presidenti i Republikës Serbe Milorad Dodik dënoi përdorimin nga opozita të gazit lotsjellës dhe bombave tymuese për të prishur seancën e parlamentit serb, duke e quajtur atë një përpjekje për të përmbysur me forcë qeverinë, ndërsa mbështeti presidentin serb Aleksandar Vuçiç.

“Unë mbështes plotësisht presidentin Aleksandar Vuçiç dhe institucionet e Serbisë në mbrojtjen e rendit kushtetues dhe stabilitetit të shtetit! Sot, ishim dëshmitarë të një përpjekjeje turpëruese për të përmbysur me dhunë qeverinë dhe për ta zhytur Asamblenë Kombëtare në kaos. Në vend të dialogut, ata përdorin bomba tymuese; në vend të politikës, ata nxisin dhunën në rrugë; Në vend që t’i shërbejnë popullit, ata sulmojnë institucionet shtetërore. Kjo nuk është një opozitë politike, por një forcë shkatërruese që kërkon ta gjunjëzojë Serbinë!”, shkroio Dodik në faqen e tij X.

“U uroj atyre që kanë pësuar një shërim të shpejtë. Dhe atyre që mendojnë se mund ta pushtojnë Serbinë me bomba, dhe se: Serbia nuk është pre e askujt!”, përfundoi politikani.

Radio Televizioni i Serbisë, duke cituar një deklaratë të kryetares së parlamentit Ana Brnabiç, raportoi se tre deputetë të Asamblesë Kombëtare (parlamenti njëdhomësh) të Serbisë u plagosën gjatë një përleshjeje midis ligjvënësve nga partitë opozitare dhe shumicës qeverisëse. Një nga të plagosurit është në gjendje të rëndë.

Më parë të martën, deputetët e opozitës u përpoqën të ndërpresin një sesion parlamentar duke vendosur pajisje piroteknike në sallën e sesionit. Sherri nisi kur një deputet i opozitës u përpoq t’i afrohej foltores nga ana tjetër. Bashkëpunëtorët e tij ndezën tymuese me ngjyra dhe shpalosën një banderolë që kërkonte përmbysjen e Vuçiçit. Në përgjigje, deputetët nga koalicioni qeverisës valvitën flamujt kombëtarë të Serbisë./ Tass. sn

Detaje nga kaosi në parlamentin serb- Plagosen tri deputete, njëra prej tyre 8 muajshe shtatzëna

Detaje të reja dalin lidhur me kaosin në parlamentin serb.

Mediat në Serbi bëjnë me dije se nga episodet e dhunshme në Kuvend kanë mbetur të lënduara tri deputete, njëra prej tyre është 8 muajshe shtatzënë.

Deputetët e opozitës serbe hodhën sot bomba tymuese dhe gaz lotsjellës brenda parlamentit, në shenjë kundërshtimi ndaj politikave të qeverisë dhe mbështetjes për protestat disa muajshe të studentëve të universiteteve në Serbi.

Demonstratat e nxitura nga shembja e çatisë së një stacioni të trenit që la pas vetes 15 të vdekur katër muaj më parë, janë shndërruar në kërcënimin më të madh për qeverinë serbe.

Në seancën parlamentare, pasi koalicioni qeverisës i udhëhequr nga Partia Përparimtare Serbe miratoi rendin e ditës, disa politikanë të opozitës u përleshën me rojat e sigurisë, ndërsa po i drejtoheshin kryetares së parlamentit.

Të tjerë deputetë hodhën bomba tymi dhe gaz lotsjellës. Pamjet televizive shfaqën tym të zi dhe rozë brenda ndërtesës.

Kryetarja e parlamentit Ana Bërnabiç tha se dy deputetë mbetën të plagosur ndërsa deputetja e Partisë Përparimtare Jasmina Obradoviç, pësoi një goditje në tru dhe është në gjendje kritike.

“Parlamenti do të vazhdojë të punojë dhe të mbrojë Serbinë,” tha ajo.

Parlamenti pritej të miratonte të martën një ligj për shtimin e fondeve për universitetet, një nga kërkesat kryesore të studentëve që po mbajnë të bllokuar fakultetet që nga dhjetori.

Parlamenti duhej të miratonte gjithashtu dorëheqjen e kryeministrit Millosh Vuçeviç. Por, pikat e tjera të vendosura në rendin e ditës nga koalicioni qeverisës, zemëruan opozitën. sn

VIDEO- Incident në Kuvendin e Serbisë: Bomba me tym dhe kaos në sallë

Kuvendi i Serbisë, 4 mars 2025.

 

Radio Evropa e Lirë

Një incident ndodhi të martën në Kuvendin e Serbisë, ku deputetët e opozitës u ngritën nga ulëset dhe aktivizuan mjete piroteknike në sallë.

Deri te kjo erdhi pasi deputetët e koalicionit qeverisës miratuan rendin e ditës, të cilin opozita e kundërshtoi.

Deputetët opozitarë iu afruan tavolinës së kryetarit, aktivizuan bomba me tym të kuq dhe të zi dhe shpalosën një pankartë ku shkruhej “Serbia po ngrihet për të rrëzuar regjimin”.

Ekipi i Radios Evropa e Lirë, i pranishëm në vendngjarje, raportoi se tymi nga mjetet piroteknike, mund të nuhatej edhe në korridoret e kuvendit.

Kuvendi i Serbisë, 4 mars 2025.

Kuvendi i Serbisë, 4 mars 2025.

Qeveria miratoi paraprakisht rendin e ditës me 62 pika, ku përfshiheshin edhe ndryshimet në Ligjin për Arsimin e Lartë.

Këto të fundit janë kërkesë e studentëve që protestojnë në Serbi, që nga shembja vdekjeprurëse e një strehe në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, më 1 nëntor të vitit të kaluar.

Në seancë duhej të miratohej edhe dorëheqja e kryeministrit të Serbisë, Millosh Vuçeviq, të cilën ai e ofroi më 28 janar, nën presionin e protestave të studentëve.

Opozita kërkoi që në rend dite të ishin vetëm ndryshimet në Ligjin e Arsimit të Lartë, duke thënë se Qeveria që ka shpallur dorëheqjen, nuk mund të miratojë ligje të rëndësishme.

“Ne konsiderojmë se Qeveria ka rënë. Ju nuk keni të drejtë të propozoni ligje, derisa jeni në dorëheqje. Ju duhet ta arrestoni veten dhe të mos bëni cirk”, tha deputetja e Partisë për Liri dhe Drejtësi, Marinika Tepiq.

Disa deputetë të opozitës në sallë mbajtën edhe fotografi me duar të përgjakura dhe pankarta ku shkruhej: “Grevë e përgjithshme”, “Studentët kanë të drejtë” dhe “Mësimdhënës, jemi me ju”.

Pavarësisht kaosit, kryetarja e Kuvendit, Ana Bërnabiq, refuzoi ta shtynte seancën.

“Ne kemi punë për të bërë dhe Serbia nuk do të ndalet kurrë. Revolucioni juaj me ngjyra ka dështuar”, tha ajo.

Ministrat dhe deputetët e koalicionit qeverisës filluan më pas të diskutojnë për pikat e rendit të ditës, ndërsa opozita i ndërpreu, duke bërë zhurmë dhe duke brohoritur.

Forcat policore para hyrjes kryesore në Kuvendin e Serbisë, 5 mars 2025.

Forcat policore para hyrjes kryesore në Kuvendin e Serbisë, 5 mars 2025.

Bërnabiq tha, po ashtu, se deputetja e koalicionit qeverisës, Jasmina Obradoviq, “pësoi goditje në tru” pas incidentit në Kuvend dhe se është “në rrezik për jetën”.

Ajo tha se edhe dy deputete të tjera janë lënduar.

Një gazetar i Radios Evropa e Lirë raportoi se ekipet mjekësore të urgjencës hynë në Kuvendin e Serbisë pas incidentit.

Para ndërtesës së këtij institucioni u mblodhën edhe studentë dhe qytetarë të tjerë, të cilët paraprakisht nderuan 15 viktimat e tragjedisë në Novi Sad, duke bllokuar për 15 minuta një udhëkryq pranë.

Kërkesat e studentëve

Kërkesat e studentëve për ndalimin e bllokadave përfshijnë publikimin e dokumentacionit të plotë për rindërtimin e Stacionit Hekurudhor të Novi Sadit, për të përcaktuar përgjegjësinë për aksidentin e 1 nëntorit, 2024.

Ata gjithashtu kërkojnë që sulmuesit e demonstruesve nëpër Serbi, gjatë protestave që pasuan aksidentin, të identifikohen dhe të përballen me përgjegjësi penale.

Kërkesat përfshijnë edhe lirimin e aktivistëve të arrestuar gjatë protestave, ndalimin e procedurave penale kundër tyre, si dhe rritjen e buxhetit për universitetet.

Bërnabiq tha më herët se është arritur marrëveshje me përfaqësuesit e të gjitha universiteteve shtetërore për ndryshime në Ligjin për Arsimin e Lartë dhe se me këtë do të përmbushet kjo kërkesë e studentëve.

Qeveria pretendon se janë plotësuar edhe kërkesat e tjera të studentëve.

Studentët thonë se bllokadat dhe protestat e tyre do të vazhdojnë dhe se grupet e ekspertëve do të përcaktojnë nëse kërkesat janë plotësuar ose jo.

Kompania izraelite ia ndalon Serbisë përdorimin e softuerit për spiunim, pasi e përdori kundër gazetarëve dhe aktivistëve

Kompania izraelite Cellebrite ia ndërpreu Serbisë qasjen në produktet e saj, pasi u zbulua se policia dhe shërbimet e sigurisë së vendit përdorën teknologjinë e kompanisë për të spiunuar gazetarët dhe aktivistët socialë, shkruan Haaretz.

Siç u raportua në Haaretz në dhjetor 2024, studiuesit nga Amnesty Tech, krahu i teknologjisë i grupit ndërkombëtar të të drejtave të njeriut, zbuluan se Serbia ishte në gjendje të përdorte teknologjinë e bërë nga Cellebrite për të anashkaluar mekanizmat e sigurisë së telefonave inteligjentë dhe për t’i infektuar ata me malware.

Cellebrite shet teknologjinë e mjekësisë ligjore digjitale tek agjencitë e zbatimit të ligjit, duke përfshirë teknologjitë që mund të hakojnë telefonat inteligjentë të kyçur ose të paaftë dhe të nxjerrin informacione konfidenciale dhe të koduara.

Ashtu si spyware, platformat e Cellebrite përfitojnë nga një dobësi në sistemet e mbrojtjes së telefonave të mençur, të njohur si një shfrytëzim.

Ndryshe nga spyware, i cili mund të instalohet nga distanca, Cellebrite duhet të jetë i lidhur fizikisht me telefon të mençur, transmeton Telegrafi.

Për më tepër, teknologjia e Cellebrite mund të përdoret vetëm për të hakuar dhe nxjerrë përmbajtjen ekzistuese nga telefonat inteligjentë, dhe nuk lejon mbikëqyrje aktive pas shkëputjes dhe nuk mund të gjurmojë pajisjen pasi të jetë restauruar.

Raporti i Amnesty zbuloi, megjithatë, se agjencia e sigurisë së brendshme e Serbisë ishte në gjendje të instalonte spyware-in e vet me qëllim të keq pas zhbllokimit të telefonave inteligjentë, duke abuzuar me teknologjitë e Cellebrite jo për të mbledhur informacion, por si një shfrytëzim për të instaluar në mënyrë aktive programe të mbikëqyrjes.

Nën presidentin serb Aleksandar Vuçiq, media, gjyqësori dhe shoqëria civile ishin në shënjestër të regjimit.

Kompania tha të enjten se pas shqyrtimit të pretendimeve të bëra në raportin e Amnesty International, Cellebrite ka ndërmarrë hapa specifikë për të hetuar çdo akuzë në përputhje me politikën e saj të etikës dhe integritetit.

“Ne e kemi parë të përshtatshme në këtë moment që të ndalojmë përdorimin e produkteve tona nga klientët përkatës. Jemi duke vlerësuar vendet me të cilat ne bëjmë biznes”, tha kompania.

Cellebrite është një kompani izraelite e listuar në Nasdaq me mijëra klientë në SHBA dhe agjencitë e zbatimit të ligjit në mbarë botën. Megjithatë, me kalimin e viteve, teknologjitë e saj të hakimit kanë gjetur rrugën e tyre në duart e organizatave që shtypin aktivistët e të drejtave të njeriut, pakicat dhe komunitetin LGBTQ.

Siç ka raportuar vazhdimisht Haaretz, klientët e Cellebrite kanë përfshirë regjime represive nën sanksione, duke përfshirë Bjellorusinë, Kinën dhe Hong Kongun, Ugandën, Venezuelën, Indonezinë, Filipinet, Rusinë, Etiopinë, Pakistanin dhe njësinë famëkeqe të ekzekutimit RAB të Bangladeshit.

Softueri spiun mundëson monitorimin në distancë të pronarëve të telefonave të mençur, duke përfshirë aktivizimin e fshehtë të kamerës dhe mikrofonit, qasjen në aplikacionet e mesazheve dhe nxjerrjen e fotove, kontakteve, skedarëve, etj. Por spyware ushtarak i aftë për infektim në distancë shitet vetëm me miratimin e qeverisë.

Zakonisht është gjithashtu jashtëzakonisht i shtrenjtë, dhe dobësitë që teknologjitë shfrytëzojnë për të infektuar pajisjet bëhen edhe më të shtrenjta, pasi ato zbulohen shpesh nga ekipet e sigurisë kibernetike të Google dhe Apple.

Spyware serb, të cilin studiuesit e quajtën NoviSpy, nuk u mbështet në të metat e sigurisë për të infektuar pajisjet. Në vend të kësaj, ai u instalua në pajisjet e synuara vetëm pasi ato u zhbllokuan fizikisht duke përdorur teknologjitë Cellebrite.

Në disa raste, duket se viktimat mund të jenë thirrur nga policia si pjesë e një mashtrimi për të fituar qasje fizike në pajisjen e tyre. sn


Send this to a friend