Shefi i politikës së Jashtme, Josep Borrell, përgëzoi për fitoren historike, siç e quajti ai, të dyshes Biden-Harris. Ai shprehu optimizëm për të ardhmen e marrëdhënies SHBA – BE dhe për një tranzicion pushteti pa probleme në Shtetet e Bashkuara.
Bashkimi Evropian të mërkurën tha se priste marrëdhënie më të mira me Shtetet e Bashkuara nën udhëheqjen e Presidentit të zgjedhur Joe Biden dhe shprehu shpresën se tranzicioni presidencial nuk do të ketë probleme.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell përgëzoi ngrohtësisht “Joe Biden-in dhe Nënpresidenten e zgjedhur Kamala Harris për fitoren e tyre historike” dhe tha se blloku prej 27 vendesh priste marrëdhënie më të mira sesa nën drejtimin e Presidentit Donald Trump.
“Nuk është sekret që në 4 vitet e fundit gjërat janë ndërlikuar në marrëdhëniet tona“, u tha zoti Borrell ligjvënësve në Parlamentin Evropian.
Të dyja palët, megjithëse aleate të hershme, nuk u pajtuan rreth temave kryesore, si tregtia, siguria dhe lufta kundër ndryshimit të klimës.
BE-ja pritet ta ftojë zotin Biden së shpejti në biseda me videokonferencë në një përpjekje për t’i dhënë një shtysë të re aleancës transatlantike.
“Mund t’ju siguroj se ne jemi të gatshëm të angazhohemi shpejt me administratën e re“, tha zoti Borrell.
Por ai gjithashtu aludoi për problemet politike në Shtetet e Bashkuara ku Presidenti Trump ende nuk ka pranuar humbjen.
Zoti Biden po përparon me këmbëngulje me përgatitjet për presidencën e tij.
“Ende duhet të presim deri në 20 janar sepse siç e dini shumë mirë është një tranzicion mjaft i gjatë përpara. Le të shpresojmë se nuk do të jetë një tranzicion me probleme“, tha zoti Borrell.
Presidenti Trump ka shtangur dhe zhgënjyer në mënyra të ndryshme evropianët – shumica anëtarë të aleancës ushtarake të NATO-s që udhëhiqet nga Amerika – duke vendosur tarifa për eksportet e BE-së, duke u tërhequr nga marrëveshja e klimës së Parisit dhe marrëveshja bërthamore me Iranin.
Komentet