E diela, 21 qershor, është Dita e Babait në Shtetet e Bashkuara. Marrëdhënia midis babait dhe vajzës evoluon ndërsa vajzat e vogla rriten për tu bërë gra. Ndonjëherë kjo shndërrohet në punë në ekip siç është historia e një babai dhe një vajze që u arrestuan së bashku.
Për Julia dhe Malcolm Young, të drejtat e njeriut janë një pasion i përbashkët.
Kështu që kur babai dhe vajza dëgjuan për një marshim për afrikano-amerikanët që vdiqën të arrrestuar nga policia, ata e dinin se duhet të ndodheshin aty… Edhe gjatë një pandemie.
“Ai dhe nëna ime më rritën që të shqetësohesha vërtet për njerëzit e tjerë, dhe pabarazinë dhe padrejtësitë në botë“, thotë vajza, Julia Young.
Babai dhe vajza kanë një etje për drejtësi sociale, të ndjekur në profesione të ndryshme. Malcolm është një avokat që promovon të drejtat e të burgosurve. Julia jep mësim historinë në kolegj dhe ka shkruar një libër mbi emigracionin.
Në korrik të vitit të kaluar, ata morën pjesë në një protestë për fëmijët emigrantë jashtë Kapitolit të Shteteve të Bashkuara. Julia i dërgoi email babait të saj për një aksion të planifikuar të mosbindjes civile.
“Kështu që ia përcolla babait tim dhe i thashë: – A dëshiron të arrestohemi së bashku?“, tregon Julia.
“Dhe unë i thashë, Julia, një familje që arrestohet së bashku, qëndron së bashku“, thotë Malcolm.
Dhe vërtet u arrestuan. Në kaosin që pasoi, lidhja mes babait dhe vajzës u forcua.
“Ishte një pozicion shumë delikat“, thotë Julia.
“Krahët janë pas shpinës“, tregon Malcolm.
“Pata një reagim emocional kur pashë babanë tim në pranga“, thotë Julia.
“Po na veçonin dhe kërkova të shoh nëse ishte mirë. Dhe pashë që po më shikonte duke më përshpëritur: ‘A je mirë?’ Çfarë mund të jetë më e mirë për një baba sesa të ndjejë shqetësimin e fëmijëve të tij për të?“, thotë Malcolm.
“U shndërrua në një moment solidariteti të qëndroja me të gjithë këta njerëz dhe me babanë tim“, thotë Julia.
Disa muaj më vonë, dueti udhëtoi për në Dilly, Texas, për të intervistuar gratë hispanike që po kërkonin azil në Shtetet e Bashkuara.
“Në një moment, Julia ndjeu se po u kërkoja shumë [[duke i pyetur azilkërkuesit shumë intensivisht]]. Dhe ajo u kthye nga mua dhe më tha: ‘Babi, ajo po ndihet vërtet jokomode. Kjo nuk është mirë”, thotë Malcolm.
“Dhe ndërsa java vazhdoi, unë kuptova se ai është me të vërtetë i aftë të nxjerrë një histori nga njerëz që mund të jenë pothuajse shumë të traumatizuar për të rrëfyer ndodhitë e tyre“, thotë Julia.
Malcolm, i cili filloi të protestojë gjatë Luftës së Vietnamit, thotë se e ardhmja duket e ndritshme ndërsa Amerika përballet me padrejtësinë racore.
“Ndërsa shikon Julia-n dhe të rinjtë e tjerë tani në rrugë në mënyrë paqësore, por duke bërë presion për të avancuar këto kauza, ka shpresë se do të ketë sukses. Nëse nuk erdhi sot apo dje, do të vijë nesër“, thotë Malcolm.
Dhe kjo është një arsye më se e mjaftueshme që ky ekip aktivist të festojë në Ditën e Babait./VOA
Komentet